shkurt 12/02/25
Ish-komandanti i UÇK-së, Sylejman Selimi, ka vazhduar dëshminë e tij për të tretën ditë me radhë në Dhomat e Specializuara në Hagë, në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Gjatë dëshmisë së dhënë të mërkurën, Selimi deklaroi se nuk kishte njohuri për mënyrën e organizimit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së në kohën kur ai drejtonte Zonën e Drenicës.
Në seancën e fundit, ai u mor në pyetje nga mbrojtja e Kadri Veselit, konkretisht avokati Rodney Dixon.
Gjatë pyetjeve të tij, Dixon kërkoi të sqarojë nëse Selimi kishte informacion mbi funksionimin e Shtabit të Përgjithshëm në vitin 1998.
Disa nga pyetjet dhe përgjigjet në seancë:
Dixon: “A është e saktë që në vitin 1998 ju nuk e dinit si funksiononte Shtabi i Përgjithshëm? Ju e dinit për zonën tuaj, por jo se çfarë ndodhte brenda Shtabit?”
Selimi: “Nuk e kam ditur si ndodhi dhe si ka qenë i organizuar Shtabi i Përgjithshëm.”
Dixon: “Kur u bëtë komandant i përgjithshëm, filluat të mësonit më shumë?”
Selimi: “Po, e saktë.”
Mbrojtja gjithashtu diskutoi mënyrën e mbledhjeve të Shtabit të Përgjithshëm dhe faktin se jo gjithmonë të gjithë anëtarët ishin të pranishëm.
Selimi pranoi se mbledhjet nuk ishin gjithmonë të plota dhe komunikimi mes anëtarëve ishte i rastësishëm.
Një tjetër çështje e ngritur gjatë dëshmisë ishte ekzistenca e Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK) në vitin 1998.
Selimi deklaroi se ky shërbim nuk kishte ekzistuar në atë kohë dhe se u krijua vetëm më vonë, në vitin 1999.
Selimi është dëshmitari i 121-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar në këtë proces gjyqësor.
Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha akuzat, ndërsa gjykimi ndaj tyre vazhdon.
Ish-krerët e UÇK-së ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.