shkruan: Imer Lladrovci
Ky tubim festiv, i organizuar nga Shoqata “Rrufeja”, mblodhi në mesin e bashkatdhetarëve edhe familjarë të dëshmorëve dhe martirëve, ish-ushtarë, invalidë dhe veteranë të UÇK-së.
Gjithashtu, të pranishëm ishin z. Imer Lladrovci, veprimtar e ish-shef i Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Stuttgart të Gjermanisë dhe në Vjenë të Austrisë, si dhe veteranët e UÇK-së, Maksut Saramati dhe Ekrem Lladrovci.
Pas intonimit të himnit kombëtar dhe atij shtetëror, moderatorja znj. Florina Jakupi hapi tubimin duke përshëndetur mysafirët dhe të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen në këtë ngjarje të rëndësishme, në nderim të 17-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Kryetari i Shoqatës, z. Fehmi Jakupi, në emër të Shoqatës “Rrufeja”, përshëndeti të pranishmit, duke i falënderuar për pjesëmarrjen dhe njëkohësisht duke ju uruar Ditën e Pavarësisë. Ai theksoi se Shoqata “Rrufeja” gjithmonë do të nderojë dhe festojë festat shtetërore e kombëtare, të cilat na bëjnë të ndihemi krenarë që jemi pasardhës të ilirëve.
Ndërsa, z. Imer Lladrovci në fjalën e tij theksoi se liria e Kosovës i ka rrënjët në gjakun e 12.249 martirëve, 2.246 dëshmorëve, 193 fëmijëve dhe 1.500 të pagjeturve. Ai përgëzoi Shoqatën “Rrufeja” për organizimin e kësaj ngjarjeje, jo vetëm për të festuar, por edhe për të mos harruar kurrë ata që me sakrificën e tyre mundësuan këtë ditë historike.
Z. Lladrovci gjithashtu shtoi se shoqatat dhe klubet shqiptare ishin ambasadat dhe konsullatat e diasporës deri sa Kosova hapi ambasadat dhe konsullatat pas shpalljes së Pavarësisë. Ato ruanin dhe kultivonin vlerat kombëtare, ndërsa shoqatat ishin frymëzim për atdhedashurinë në mërgatë.
Në shenjë nderimi për veprimtarinë e mirëfilltë atdhetare, z. Lladrovci i dhuroi disa libra Shoqatës “Rrufeja”.
Nxënësit dhe valltarët e Shoqatës “Rrufeja”, me veshjet e tyre kombëtare dhe me poezitë, vallet e këngët patriotike, madhështuan këtë mbrëmje festive.
Gjithashtu, duhet të vlerësohet kontributi i vyer i nënkryetarit Shaip Buleshkaj dhe i të gjithë anëtarëve për angazhimin e tyre në organizimin e kësaj mbrëmjeje.
Shoqata “Rrufeja” ndau mirënjohje për z. Imer Lladrovci.
ZIK, 20/02/25 Gjermani