🖊 Nga: Jeton Lleshi
Situata politike në Strugë vazhdon të mbetet e tensionuar edhe pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, në të cilat fitoi kandidati i mbështetur nga koalicioni VLEN, Mendi Qyra. Fushata e tij u përkrah fuqishëm edhe nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, i cili përmes një vizite publike dha mbështetje të hapur jo vetëm për kandidatin, por edhe për strukturat qeveritare të VLEN-it.
Megjithë këtë angazhim politik dhe faktin se kryetari i ri i Komunës së Strugës u zgjodh me votat e VMRO-DPMNE-së, institucionet lokale vazhdojnë të mbeten jofunksionale. Problemi kryesor lidhet me moszgjedhjen e kryetarit të Këshillit Komunal, një organ kyç pa të cilin funksionimi normal i komunës është praktikisht i pamundur.
Sipas burimeve politike, vetoja për këtë post vjen nga VMRO-DPMNE, duke qenë se kjo ka qenë edhe një nga kushtet parazgjedhore. Si pasojë, Struga po përballet me një bllokadë serioze institucionale, e cila po ndikon drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve dhe në zhvillimin e projekteve lokale.
Funksionimi i institucioneve komunale është jetik për zhvillimin ekonomik, social dhe urban të qytetit, si dhe për përmbushjen e nevojave bazë të qytetarëve të Strugës.
Në këto rrethana, shtrohet një pyetje thelbësore për të ardhmen politike të qytetit:
A duhet Struga të shkojë sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme lokale për të dalë nga kriza institucionale?


