LËVIZJA POPULLORE E KOSOVËS (LPK)
REAGIM
Prishtinë, 23 maj 2025
Më 22 maj 2025, në Beograd, u zhvillua një takim mes zonjës Kaja Kallas, shefe e diplomacisë evropiane, dhe Aleksandër Vuçiqit, president i Serbisë dhe bashkëpunëtor i afërt i ish-regjimit të Millosheviqit. Në këtë takim, Vuçiq ka kërkuar me urgjencë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Republikën e Kosovës.

Qëndrimi i LPK-së
Themelimi i këtij asociacioni përbën një platformë të rrezikshme politike për ndarjen e Kosovës. Një veprim i tillë do të çonte në destabilizim të qëndrueshëm të Ballkanit dhe të vetë Bashkimit Evropian.
Mbështetja e kësaj kërkese nga diplomacia evropiane është një gabim me pasoja të pariparueshme.
Për LPK-në, kjo kërkesë është e papranueshme, sepse:
- Përbën një gabim historik mbështetja e diplomacisë evropiane ndaj Aleksandër Vuçiqit, i cili është trashëgimtar politik i Millosheviqit dhe zbatues i politikave të Putinit në Ballkan;
- Asnjë minoritet në Evropë nuk gëzon të drejta më të mëdha sesa minoriteti serb në Republikën e Kosovës;
- Gjuha serbe në Kosovë ka status të barabartë me gjuhën shqipe;
- Të drejtat pronësore dhe qytetare të serbëve në Kosovë janë të garantuara me kushtetutë dhe janë të barabarta me ato të qytetarëve shqiptarë;
- Të gjitha të drejtat kolektive dhe individuale të minoritetit serb respektohen dhe mbrohen me ligj në Republikën e Kosovës.
Kërkesa e LPK-së për Bashkimin Evropian
LPK i bën thirrje zonjës Kaja Kallas dhe Bashkimit Evropian që të angazhohen për garantimin e të njëjtave të drejta për shqiptarët në Serbi, ashtu siç i gëzojnë serbët në Kosovë.
Çështja themelore në marrëdhëniet Kosovë–Serbi mbetet respektimi i të drejtave të shqiptarëve në Serbi, përfshirë:
- Të drejtën për përdorimin e gjuhës shqipe dhe flamurit kombëtar,
- Rikthimin e shqiptarëve të dëbuar (muhaxherëve) në pronat dhe tokat e tyre në Toplicë dhe Kosanicë.
Këshilli Koordinues i LPK-së