Fazli Veliu
Letër e Lëvizjes Popullore të Kosovës – LPK, drejtuar ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të BE-së

Kosova e ka një zot: Zoti i saj janë vetë banorët e saj etnikë, populli shqiptar. Kjo do të ndodhë në qoftë se vërtetohet që Kosova do të trajtohet si një “provincë serbe”, d.m.th., në rast se Jugosllavia nuk do të mbështetet në realitetin dhe në faktet e dhëna, por në të ashtuquajturin “mit historik” që është servirur nga makineria e propagandës jashtëzakonisht të zellshme serbe, e njohur për shtrembërimin e qëllimshëm të fakteve objektive.
Shqiptarët janë një popull autokton dhe paqësor, por ata janë të vendosur që të çlirohen me çdo kusht nga pushtuesit e huaj, nga barbaria kriminale serbomadhe, edhe sikur kjo t’u kushtonte jetën. Ne kemi duruar gjatë, kemi mbajtur mbi vete shumë vuajtje, tortura dhe dënime, të cilat disa vende të Evropës as që mund t’i përfytyrojnë. Ne e kemi bërë këtë jo se kishim frikë nga agresori serb apo se trembeshim prej vdekjes, por me dëshirën që të evitojmë një konflikt të armatosur, me qëllim që në Ballkan të mos shpërthejë edhe një luftë tjetër, një luftë e cila nuk do të mund të kufizohej e të kontrollohej.
Shumë të nderuar zotërinj ministra të jashtëm të shteteve anëtare të Bashkësisë Evropiane,
Emigrantët shqiptarë të Republikës së Kosovës, që jetojnë këtu në Evropë, të trishtuar dhe shqetësuar për fatin e popullit tonë të ndarë dhe të vendit tonë të pushtuar, të Kosovës, me demonstratat e sotme, të organizuara nga Lëvizja Popullore e Kosovës, duan t’ju tërheqin vëmendjen për këto çështje:
Përgjegjës për luftën që do të shpërthejë në Kosovë do të jenë, veç agresorit serb, sigurisht edhe fuqitë e mëdha.
Kosova ishte dhe është një territor iliro-shqiptar, megjithëse, si në të kaluarën dhe sot, ajo është e pushtuar nga të huajt. Shqiptarët nuk janë as të ardhur dhe as pushtues, por, siç dëshmojnë dokumente të sigurta historike, janë zot i këtij vendi të paktën qysh prej 3000 vjetësh para Krishtit.
Populli shqiptar është i shqetësuar për mënyrën “tërhiq e mos e këput” të trajtimit të krizës së ish-Jugosllavisë dhe veçanërisht të çështjes shqiptare.
Ne e pranojmë mundësinë për të shprehur qëllimet tona me rezistencë paqësore, pasi kemi shpresuar se edhe ne, si gjithë të tjerët, do të arrinim paqësisht të shijonim frytet e lirisë dhe të demokracisë, si dhe vlerat e reja të sistemit të sotëm botëror. Ky ishte një akt sakrifikimi (flijimi) i vetëdijshëm yni, në mënyrë që Ballkani të mos kthehej në kasaphanën më të madhe të Evropës. Por, duke vënë re se, ndërsa në deklaratat tuaja e dënoni agresorin serbomadh, kurse në realitet e shpërbleni atë, ne jemi të detyruar të gjejmë një mundësi tjetër, e pikërisht atë të kryengritjes së armatosur çlirimtare.
Shqiptarët në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë janë diskriminuar dhe terrorizuar nga qeveria e vendit. Ne kemi mendimin se kjo po ndodh, madje, me pëlqimin në heshtje të Bashkësisë Evropiane. Situata atje po bëhet gjithnjë e më shpërthyese. Nëse ju me të vërtetë jeni të interesuar për stabilitetin dhe ekzistencën e mëtejshme të këtij shteti, atëherë duhet të kërkoni nga qeveria e tij që të organizohet në bazën e një shteti federativ, ose të ndahet në kantone, si Zvicra, ose të organizohet si bashkësi republikash me të drejta të barabarta të popullit sllavo-maqedonas dhe të popullit shqiptar.
Përpjekjet ndërkombëtare diplomatike, iniciatorë të të cilave ishte Unioni Evropian, kanë zgjedhur, deri tani, të ecin në një drejtim tjetër, pikërisht në atë të kompensimit të agresorit serbomadh. Kjo na krijon dyshimin e argumentuar që Jugosllavia tashmë e ka marrë një vendim dhe BE është dakord me të, domethënë që të sakrifikojë Republikën e Kosovës.
Në qoftë se ju keni hedhur një “hap taktik”, duke e dhuruar (domethënë sakrifikuar) Republikën e Kosovës, me shpresën se mund ta keni në dorë e nën kontroll agresorin serb, ne jemi të mendimit që ju me këtë keni bërë një gabim.
Për rreth 3.5 milionë shqiptarë, që përbëjnë grupimin e tretë më të madh për nga popullsia në ish-Jugosllavi, kjo do të ishte një tragjedi e njëjtë me asimilimin e dhunshëm ose edhe me asgjësimin në trojet e tyre.
Ne jemi të detyruar t’ju themi juve, sot dhe këtu, që kjo taktikë, pasoja e së cilës do të jetë një zgjedhje tjetër serbe mbi ne, nuk ka se si të realizohet.


