spot_img

KADRI HALIMI (1921 – 2001)

Shkruan: Agim Sylejmani

I lindur më 9 shkurt 1921, në fshatin Cërnicë, në familjen e madhe atdhetare Hoxha. Ai është etnologu i parë shqiptar nga Kosova, i diplomuar në shkencat etnologjike në Beograd. Ishte diplomuar me notë të shkëlqyeshme në Universitetin e Beogradit – Fakultetin Filozofik në vitin 1950, ku edhe e ndalin të punonte si asistent në Katedrën e Etnologjisë në këtë fakultet. Më pas ai punoi në Muzeun e Kosovës si kustos, si dhe në disa vende të tjera të punës. Krahas punës kërkimore shkencore, ai u mor dhe zhvilloi një veprimtari të dendur e të përkushtuar patriotike e revolucionare. Për herë të parë Kadri Halimin e arrestuan më 1.5.1951 dhe e dënuan me 3 vjet e gjysmë burg të rëndë, ndërsa u lirua më 1.7.1954. Në vitin 1961 (më 5 mars) ai arrestohet dhe dënohet për të dytën herë me shumë vite burg të rëndë, prej të cilave i mbajti shtatë vjet dhe u lirua në vitin 1968. Më 1960, nën kushtet e shtypjes së egër kombëtare e të protestës së heshtur dhe të dilemës hamletiane “të jesh a të mos jesh”, veprimtarët e çështjes kombëtare, Kadri Halimi, Ali Aliu – Kelmendi dhe Ramadan Hoxha, formuan organizatën e fshehtë politiko-ushtarake „Komiteti Revolucionar Antirevizionist i Bashkimit të Kosovës me Shqipërinë“, drejtues të së cilës ishin Kadri Halimi dhe Ali Aliu. Organizata kishte vendosur lidhje zyrtare me Tiranën dhe e shtriu organizimin pothuajse në të gjitha trojet e pushtuara shqiptare, duke pasur si busull Lidhjen Shqiptare të Prizrenit si dhe vendimet e Bujanit për të drejtën deri në vetëvendosje dhe bashkim me shtetin amë, Shqipërinë.

Brenda radhëve të organizatës kishte edhe gra patriote, të cilave u printe denjësisht intelektualja dhe veprimtarja e shquar Hyrije Hana. Në janar të vitit 1961 UDB-ja arriti të identifikonte drejtuesit e organizatës dhe filloi arrestimin e tyre. Ndonëse kjo organizatë kishte rreth 200 anëtarë, pas zbulimit të saj nga UDB-ja, me gjithë torturat çnjerëzore në hetuesi, para gjyqit regjimi arriti të nxirrte vetëm 40 veta, të cilët u dënuan në grupe të ndara në gjykatat në Prishtinë, Gjilan, Vranjë e Kumanovë. Komiteti Revolucionar për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë ka rëndësi historike për programin e tij kombëtar e demokratik. Komi-teti Revolucionar për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë u shua më 1961, por jo edhe Lëvizja Kombëtare e Kosovës, e cila u rrit me organizata të shumta klandestine, duke kulmuar me luftën titanike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kadri Halimi konsiderohet si prijatar i shumë fushave: ishte etnologu i parë në Kosovë; asistenti i parë shqiptar në Katedrën e Etnologjisë në Universitetin e Beogradit; bibliografi i parë në Kosovë dhe hartues i teksteve të para bibliografike; ishte kustos i parë shqiptar i Muzeut të Kosovës, ku punoi në periudhën e viteve 1955-1961, kur edhe u arrestua për të dytën herë. Kadri Halimi vdiq në moshën 80-vjeçare, më 19.10.2001.

ARTIKUJ TË LIDHUR
- Advertisment -spot_img

U lexua shpesh

- Advertisment -spot_img