spot_img

INSTITUTI I KUJTESËS KOMBËTARE SHQIPTARE NË STUTTGART


Aktivitet kulturor për nder të 27-vjetorit të Betejës së Pashtrikut

Në këtë fundjavë, IKKSH në Shtutgart organizoi një aktivitet kulturor për nder të Betejës së Pashtrikut dhe rënies së Komandant Mujë Krasniqit së bashku me 41 luftëtarët e UÇK-së në Likenet e Hasit, në Pashtrik.

Aktiviteti, i cili u zhvillua në sallën e kinemasë Atelier am Bollwerk në Stuttgart, ishte vërtet dinjitoz në çdo pikëpamje për këtë përvjetor, qoftë nga pjesëmarrja e mërgimtarëve tanë, ashtu edhe nga ana organizative.

Programi filloi me intonimin e himnit kombëtar dhe atij shtetëror, ndërsa prezantuesit Rilinda Gega dhe Naser Vrella shkëlqyen në rolin e tyre organizativ. Ata kërkuan nga pjesëmarrësit që të nderonin të rënët me një minutë heshtje dhe paraqitën programin e aktivitetit, ku përveç pjesës kulturo-artistike, u parapa edhe promovimi i disa librave të Gjeneral Kudusi Lamës dhe shfaqja e filmit dokumentar “Shtegu i lirisë”.

Në aktivitet morën pjesë protagonistë të Betejës së Pashtrikut, ish-ushtarë të tri luftërave që u zhvilluan në hapësirat shqiptare, si dhe shumë familjarë të dëshmorëve. Po ashtu, morën pjesë masivisht mërgimtarë nga tri shtetet gjermanofolëse: Gjermania (me rrethinat dhe qytete të ndryshme), Zvicra dhe Austria.

Mërgimtarët shprehën dëshirën që në këtë mënyrë të nderonin luftëtarët shqiptarë, të cilët 27 vjet më parë ranë në grackën e ushtrisë serbe, pak kohë pasi kishin kaluar kufirin më 14 dhjetor 1998. Siç dihet, gjashtë muaj më vonë, po në Pashtrik, u zhvillua një betejë e madhe luftarake, ku forcat serbe pësuan humbje të mëdha.

Gjeneral Kudusi Lama nderoi tubimin me pjesëmarrjen e tij. Ai, si pjesë e Divizionit të Kukësit, ishte i përfshirë drejtpërdrejt në Betejën e Pashtrikut. Në tubim morën pjesë edhe shumë bashkëluftëtarë të Komandant Mujë Krasniqit nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës.

Më pas, pjesëmarrësve iu drejtua Imer Lladrovci, veprimtar politik dhe ish-diplomat i Republikës së Kosovës në Gjermani dhe Austri. Në fjalën e tij ai iu referua Betejës së Pashtrikut dhe rënies së Komandant Mujë Krasniqit, nipit të tij Muhamet Dervishi dhe 41 dëshmorëve të UÇK-së.

Dr. Sali Sefa, ish-i burgosur politik, veprimtar dhe ish-diplomat i Republikës së Kosovës në Cyrih, iu drejtua gjithashtu me disa fjalë pjesëmarrësve. I njëjti veprim u ndoq edhe nga mysafiri special, Gjeneral Kudusi Lama, i cili kishte ardhur posaçërisht nga Shqipëria vetëm për këtë aktivitet.

Para fjalës së Gjeneral Lamës, për librat e tij foli Arben Veselaj, ish-ushtar dhe veteran i UÇK-së, gazetar, publicist dhe autor i disa librave. Ndërsa për jetëshkrimin e gjeneralit foli zonja Sofie Shoshi-Sopa.

Fjala e Gjeneral Lamës u përcoll me interesim të madh dhe shpesh u ndërpre nga duartrokitjet. Ai theksoi se tubime të tilla do të nderonin edhe Tiranën e Prishtinën. Duke folur për luftën, ai përmendi kontributin e madh të mërgatës shqiptare, e cila jo vetëm ndihmoi me mjete dhe armë, por edhe vetë mori pjesë në luftë. Ai theksoi se edhe nënat shqiptare dhanë kontribut të jashtëzakonshëm duke gatuar çdo ditë për luftëtarët në vijën e frontit, duke theksuar se një luftë nuk fitohet pa logjistikë të mirë.

Vajzat dhe djemtë e grupit “Studio Fenix”, drejtuar nga Arsim Berisha, e bënë tubimin edhe më dinjitoz. Ata kishin ardhur nga Winterthur i Zvicrës. Grupit performoi me veshje të UÇK-së “Vallen e Pavarësisë”, e cila ngriti në këmbë gjithë sallën. Pjesëmarrësit shpërthyen në brohoritje “UÇK, UÇK!”. Edhe kënga e Rilind Gashit “Kreshtat e Kosovës” u prit me duartrokitje të gjata, ndërsa kënga për heroin Tahir Sinani e entuziazmoi publikun, që këndoi së bashku me solistin e ri.

Në program ishin edhe Rifat Mujota dhe Leotrim Mëziu.
Rifat Mujota, protagonist i Betejës së Pashtrikut dhe bashkëluftëtar i Mujë Krasniqit, foli shkurtimisht për këtë betejë, ndërsa toger Leotrim Mëziu, djali i Komandant Rifat Mëziut, shprehu krenarinë për luftën që u zhvillua në Pashtrik dhe në fushëbetejat e tjera në Kosovë.

Në fund të tubimit u shfaq edhe filmi dokumentar “Shtegu i Lirisë”.

Organizatori, Instituti i Kujtesës Kombëtare Shqiptare në Stuttgart, ndau mirënjohje për familjarët e Betejës së Pashtrikut, familjet e dëshmorëve, ish-ushtarët e tri luftërave çlirimtare dhe disa veprimtarë nga diaspora.

Mirënjohjet u shpërndanë nga Ylber Gega, djali i atdhetarit Hysen Gega, së bashku me Imer Lladrovcin dhe Shaban Qelajn.

Këtë shkrim e mbyllim me vlerësimin e lartë të pjesëmarrësve.
Urojmë që Instituti i Kujtesës Kombëtare Shqiptare në Stuttgart të vazhdojë punën e tij të mbarë edhe në të ardhmen.

Shkruar nga: Imer Lladrovci

ARTIKUJ TË LIDHUR
- Advertisment -spot_img

U lexua shpesh

- Advertisment -spot_img