LPK: Fyerjet ndaj UÇK-së dhe vlerave të luftës çlirimtare duhet të trajtohen me ligj

LËVIZJA POPULLORE E KOSOVËS (LPK) dënon fuqishëm çdo fyerje, sharje dhe denigrim ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe vlerave të luftës çlirimtare, duke kërkuar nga institucionet e Kosovës reagim dhe trajtim ligjor të rasteve që nxisin urrejtje, përçarje apo dhunë.

LPK u bënë thirrje Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Qeverisë që, në përputhje me Kushtetutën, ligjet dhe standardet demokratike, të ndërmarrin masa ligjore ndaj çdo forme të gjuhës së urrejtjes, nxitjes së përçarjes dhe cenimit të dinjitetit të luftës së UÇK-së dhe heronjve të saj.

Sipas LPK-së, çdo përpjekje për të përbaltur UÇK-në, figurat e saj dhe sakrificën e dëshmorëve duhet të trajtohet me seriozitet nga institucionet kompetente.

Në reagimin e saj, LPK kërkon gjithashtu që çdo pretendim për ndërhyrje apo ndikim të shërbimeve të sigurimit serb në veprime që synojnë nxitjen e përçarjes dhe vëllavrasjes të hetohet nga organet kompetente dhe të mbështetet vetëm në prova të verifikueshme.

LPK thekson se mbrojtja e vlerave të luftës së UÇK-së nuk duhet të nënkuptojë cenimin e lirisë së shprehjes, por që fyerjet, nxitja e urrejtjes, dhunës dhe përçarjes duhet të trajtohen në përputhje me ligjin.

Në përfundim, LPK shprehet se do të qëndrojë fuqishëm në mbrojtje të UÇK-së, dëshmorëve, veteranëve dhe vlerave të luftës çlirimtare.

ARTIKUJ TË LIDHUR
- Advertisment -spot_img

U lexua shpesh

- Advertisment -spot_img