Shkurt 21, 2025
Janë shkëmbyer polemika në distancë mes eksponentëve të koalicionit AAK-Nisma pas gatishmërisë që ka shprehur Fatmir Limaj për t’iu bashkuar qeverisë së re, edhe nëse ajo drejtohet nga Albin Kurti. Të drejtë Limajt i ka dhënë edhe një anëtar i qeverisë Kurti.
Ende pa përfunduar procesi i numërimit të votave janë shfaqur çarje në koalicionin AAK-Nisma.
Polemika në distancë mes eksponentëve të dy subjekteve u nxitën pas gatishmërisë që ka shprehur kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, për t’iu bashkuar qeverisë së re, edhe nëse ajo drejtohet nga Albin Kurti.
Kandidati për kryeministër nga ky koalicion, Ramush Haradinaj, iu kundërpërgjigj kësaj gatishmërie duke shkruar në Facebook “E keqja ka emër – Albin Kurti”.
E njëri prej bashkëpunëtorëve të Limajt, Vesel Krasniqi, i ka dalë në mbrojtje kryetarit të partisë duke thënë se ai do të vazhdojë të punojë për interesa kombëtare.
“Fatmir Limaj është një politikan i kalibrit ndërkombëtar dhe për këtë arsye mendimi i tij shpesh mund të duket i vështirë për t’u kuptuar nga disa. Këta disa e dikush duket se e kanë problem për ta kuptuar realitetin e kthimit të z. Fatmir Limaj në Parlamentin e Kosovës, pavarësisht kontributit të tij të vazhdueshëm për shtetin e Kosovës. Lideri Limaj ka qenë gjithmonë mbështetës i fortë i secilit që ka kontribuuar për interesa të qytetarëve dhe do të vazhdojë të punojë për interesa kombëtare”, ka shkruar ai në Facebook.
E, zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, i cili është prej eksponentëve të Vetëvendosjes, ka thënë se Limaj ka të drejtë largimi nga koalicioni me Haradinajn.
“Fatmir Limaj dhe Nisma kanë të drejtë demokratike, kushtetuese dhe ligjore që pas zgjedhjeve të bëjnë koalicion paszgjedhor me partitë aktuale në skenën politike. Pra, marrëveshja për koalicion parazgjedhor të subjektit politik Nisma me AAK-në është realizuar. Kësisoj, sjellja e tillë është brenda rregullave demokratike!”, ka thënë ai.
E, sipas Vesel Krasniqit të Nismës, subjekti politik në të cilin ndodhet nuk po ngarend për të hyrë në qeveri.
“Ne nuk po vrapojmë për të marrë rendin për qeverisje, jo, rrini të qetë, sepse të tjerët e kanë zënë moti duke ngrënë dreka e darka me Albin Kurtin. Ne punojmë për interesa të qytetarëve dhe për të mirën e Kosovës e jo për agjenda ditore dhe personale”, ka shtuar Krasniqi.
Rezultati preliminar i zgjedhjeve lë pak mundësi që Vetëvendosja ta bëjë qeverinë vetëm me komunitetet joserbe, dhe e njëjta vlen edhe për partitë opozitare. Ndryshe nga kryetari i LDK-së dhe ai i AAK-së, që kanë përjashtuar mundësinë e koalicionit, ai i PDK-së ka shprehur qëndrimin se Kosovës i duhet një qeveri stabile.