Raporti i FBI-së mbylli çdo dilemë lidhur me sulmin ndaj kanalit ujëmbledhës Ibër-Lepenc, duke e konfirmuar natyrën e tij terroriste.
Sulmi u organizua nga struktura kriminale të lidhura me Serbinë. Mostrat e dheut në çizmet e të dyshuarve (vëllezërit Jovan dhe Dragisha Viçentijević) përputheshin 100% me vendin ku ishte vendosur eksplozivi.
Grupi kishte vëzhguar forcat e KFOR-it Amerikan dhe bazën e Njësisë Speciale të Kosovës, duke treguar një planifikim profesional me qëllim destabilizues.
Për muaj të tërë, ndërkohë që Serbia deklaronte se “Kosova e ka inskenuar sulmin”, i njëjti narrativë u përdor brenda Kosovës nga disa parti opozitare, media dhe analistë.
Këta individë flisnin në unison me deklaratat zyrtare të Beogradit. Veçanërisht u theksua rasti i zotëri Buzhala, i cili spekulonte se atentatin ndaj rrjetit ujor e kishte bërë Qeveria e Kosovës.
Ky është skandali i vërtetë. Opozita dhe një pjesë e analistëve u vendosën në të njëjtën linjë me propagandën serbe, qoftë me vetëdije, qoftë nga moskujdesi.
Kur faktet shkencore vijnë nga një autoritet i padiskutueshëm si FBI-ja, bie maska e të gjithëve që dolën në anën e propagandës serbe.
Kjo retorik është përballje me interesin kombëtar. Është e qartë se me mendu, me fol si Serbia, automatikisht të vendos përballë interesit të Kosovës.
Opozita ka detyrimin të kritikojë Qeverinë për punë, rezultate dhe përgjegjësi, e JO TË PËRSËRISË retorikën e Beogradit, duke e kthyer Kosovën në fushë eksperimentesh për karriera politike të çoroditura.
Ky sinkronizim i brendshëm legjitimon, në sytë e Perëndimit, hezitimin për të ndëshkuar Serbinë, pasi narrativat kritike dhe kontradiktore vijnë nga brenda vetë Kosovës.
Shkruar nga: Yll Selaj


