Mijëra shqiptarë nga të gjitha hapësirat shqiptare janë mbledhur në qendër të Tiranës, në mbrojtje të UÇK-së, e cila është vënë në bankën e të akuzuarve në Hagë. Në Kosovë, kudo haset parulla “Liria ka emër”. Diçka që filloi në Prekaz e pastaj vazhdoi në Gllogjan, u masakrua në Mejë dhe shkoi tutje në vijën kufitare të Koshares, ku u kurorëzua me hapjen e kufirit që qëndronte si një litar i varur në tra dhe ku pritej varja e kombit shqiptar, sot zbriti në sheshin “Skënderbej”, por tani si një protestë për gjithçka që ndodhi në fushëbetejë dhe më vonë.
UÇK-ja kurrë nuk vrau civilë serbë që s’ishin të përfshirë kundër saj, aq më pak të kishte bërë trafikim me pjesë trupash të tyre.


Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, e hapi protestën duke thënë se protesta nuk është kundër gjykatës apo drejtësisë, por kundër padrejtësisë që po ndodh tash e pesë vite në Hagë.
Ali Ahmeti ishte oratori kryesor që iu drejtua pjesëmarrësve në protestë. Ai tha, ndër të tjera, se kjo është një protestë mbarëkombëtare, “sot bashkë me bashkëkombasit tanë në Shqipëri, të cilët kanë qenë përherë pranë nesh në ditë të vështira, nga Gjirokastra deri në Shkodër e Kukës, kanë hapur të gjitha dyert. Sot kam një emocion të veçantë, sepse kjo protestë për drejtësi, që të gjithë jemi UÇK, mbahet në sheshin ‘Skënderbej’, në kryeqytetin e Shqipërisë, aty ku kanë vepruar të gjithë këta heronj dhe shumë të tjerë.”
Ali Ahmeti shtoi gjithashtu se “kjo është një protestë mbarëkombëtare, e thirrur nga shoqatat e dala nga lufta, pa ngjyrime politike”. Ai u shpreh kritik ndaj disa faktorëve politikë që refuzuan pjesëmarrjen në demonstratë.
“Besoj që në të ardhmen të gjithë do ta shohin se këtu nuk ka prapavijë as partiake, as politike të përditshme, por është një solidaritet që bëhet për drejtësi, për ata që kanë kontribuar për lirinë e Kosovës, që t’u jepet pafajësia, sepse janë të pafajshëm,” tha Ahmeti.
Sipas tij, “Ushtria jonë ka respektuar të gjitha konventat ndërkombëtare mbi luftërat. Ushtria jonë ka pasur vështirësitë më të mëdha për të menaxhuar gjithë atë gjenocid që ushtruan bandat serbe në Kosovë.”
Ish-presidenti Alfred Moisiu iu drejtua masës:
“Të dashur qytetarë të Tiranës, Shqipërisë dhe Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Preshevës dhe Malit të Zi, të dashur bashkëkombës, sot jemi mbledhur këtu, në zemër të Tiranës, për të mbrojtur dinjitetin kombëtar, për të ngritur zërin kundër padrejtësisë që po u bëhet bijve më të mirë të Kosovës dhe të kombit shqiptar, luftëtarëve të UÇK-së që luftuan për lirinë e atdheut.
Në vitin 2022, bashkë me presidentët Rexhep Meidani, Bamir Topi e Pandeli Majko, shkuam në dhomat e paraburgimit për të takuar personalisht presidentin Thaçi, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin. Në bisedë me këta burra kuptova dhe pashë se ata trima nuk ishin të frikësuar, por burra të vërtetë, të qetë dhe të gatshëm për t’u sakrifikuar që lufta e UÇK-së të mbetet pa njolla, të cilat padrejtësisht duan t’ua veshin ata që nuk i njohin mirë shqiptarët.
Ata kanë kryer detyrën më të lartë që njeh historia bashkëkohore – çlirimin e Kosovës dhe mbrojtjen e popullit të vet. Besoj se drejtësia do të bëjë detyrën e saj dhe do të jetë në krahun e katër vëllezërve të UÇK-së. Ata janë burgosur pa prova, me akuza të fabrikuara në qelitë e errëta serbo-ruse. Dua të theksoj se lufta e UÇK-së u mbështet fuqishëm nga NATO, SHBA dhe partnerët e tjerë perëndimorë.
Komandantët udhëheqës të UÇK-së… shqiptarët historikisht njihen si luftëtarë, por në tri raste kanë luftuar për veten: në kohën e Skënderbeut, gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe me UÇK-në.
Të dashur miq, është koha të mos heshtim, por të ngremë zërin për të mbrojtur vendin tonë. Nuk mund të pranojmë që të nëpërkëmbet gjaku i shqiptarëve. Liria e Kosovës nuk është dhuratë – ajo është fituar me gjak, me sakrifica dhe vendosmëri. I bëj thirrje drejtësisë të tregojë veten, për t’u bërë mësim për të gjithë. Lavdi dëshmorëve të UÇK-së! Liri luftëtarëve të UÇK-së!”
Një gazetar i njohur i Tiranës, Martin Leka, tha se “do të dal në protestë në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me bindjen e thellë dhe të padiskutueshme se lufta e UÇK-së ishte një luftë e drejtë dhe kishte synim çlirimin e Kosovës nga pushtuesi serb, që udhëhiqej nga monstra Slobodan Millosheviç.”
Leka proteston gjithashtu “për mllefin që ka ndaj një skëterre politike, një mashtruesi të blerë dhe një të moshuari matuf si Dick Marty, i cili e filloi këtë sagë të re sakrifice të Thaçit me pretendimin e trafikimit të organeve në një kullë malësie në një fshat të Matit, aty ku nuk ka kushte as të pjellë lopa një viç, e jo më të transplantohen organe.”
Siç dihet, Gjykata Speciale u formua për t’i gjykuar përfaqësuesit e UÇK-së për trafikimin e organeve njerëzore, me pretendimin se ata nuk kishin bërë luftë çlirimtare, por ishin marrë me tregtimin fitimprurës të organeve të serbëve të rrëmbyer. Këto akuza ranë që në fillim të procesit, por ai vazhdoi me çështje të tjera.
Një gazetar nga Kosova, Enver Robelli, foli këto ditë për rrethanat në të cilat u formua Gjykata Speciale. Robelli tha se ishte trysnia e madhe e aleatëve perëndimorë që çoi në formimin e këtij institucioni juridik. Kushtëzimi ishte i tillë, që mosformimi i gjykatës do të çonte në tërheqjen nga Kosova të forcave të armatosura të vendeve të NATO-s. Në këto rrethana, vendimi i presidentit Thaçi ishte vendimi i duhur. Ai kishte të drejtë kur tha se “nga mosdija dhe patriotizmi i rremë, ata deputetë që votuan kundër bënë një gabim trashanik në dëm të interesit shtetëror.”
Opozita politike e Shqipërisë mungoi në demonstratë. Megjithatë, Bujar Leskaj dhe Fatmir Mediu ishin mes demonstruesve.
Prej shumë vitesh, ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ish-kryetarët e Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe ish-deputeti Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë. Ata akuzohen për krime lufte gjatë Luftës në Kosovë dhe për vrasje të kundërshtarëve politikë pas saj. Thaçi dhe të akuzuarit e tjerë i kanë mohuar të gjitha akuzat.
Protesta në Tiranë vjen pas protestave të ngjashme të zhvilluara së fundmi në Prishtinë dhe Hagë. Ali Ahmeti ka paralajmëruar një protestë të ngjashme edhe në Shkup.
🖊️ Nga Imer Xhemail Lladrovci



