spot_img

Deputetët e VV-së të bindur që Kurti do ta formojë Qeverinë, e qysh “nuk e dinë”

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) shprehen të bindur se kryetari i tyre Albin Kurti do ta formojë Qeverinë. Por të pyetur për mundësinë e koalicioneve me partitë opozitare, ata hezituan të përgjigjen.

Kështu u shprehën më të votuarit e partisë, gjatë hyrje-daljeve në Kuvendin e Kosovës, aty ku të enjten, më 10.04.2025, janë regjistruar për mandatin e Deputetit.

Ministri në detyrë i Financave Hekuran Murati është optimist se partia e tij Lëvizja Vetëvendosje do t’i ketë votat e nevojshme për formimin e Qeverisë.

Murati, i cili është edhe Deputet i zgjedhur nga radhët e LVV-së, tha se numrat për formimin e Qeverisë së re do të bëhen me votat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Megjithatë, ai nuk u përgjigj për koalicionet potenciale me partitë e tjera të vendit ose mënyrën se si do t’i sigurojnë 61 vota.

“Patjetër që po, sipas Kushtetutës, me vota të deputetëve të Kuvendit. Për të gjitha këto (koalicionet me parti të tjera), edhe siç thashë më herët është çështje e subjektit, pra Vetëvendosjes. Patjetër që do t’i kemi votat. 61 vota i kërkon Kushtetuta, por sa më shumë sa më mirë.” – tha Murati.

I pyetur se a kanë dërguar ftesë te partia e dytë me më së shumti vota, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Murati tha se është çështje e Sekretariatit të partisë.

Njashtu pyeti sekretarin e përgjithshëm Alim Rama, mirëpo ai u përgjigj shkurt pa pohuar e pa mohuar “Nuk mundemi me u përgjigj njëherë”. Po ashtu, është provuar të merret edhe një përgjigje nga Vlora Çitaku, Uran Ismaili, Bajrush Xhemaili, Shaqir Totaj, Agim Aliu, Blerta Deliu e Ganimete Musliu nga PDK, por të njëjtit nuk janë përgjigjur.

Në anën tjetër, ministrja në detyrë e Drejtësisë Albulena Haxhiu nuk u përgjigj nëse i kanë çuar ftesë PDK-së.

“Para dy ditësh i kam dhënë të gjitha deklarimet rreth këtyre çështjeve. Nuk kam diçka për të shtuar.” – tha ajo.

Edhe deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) Halil Thaçi ka deklaruar se shpreson që do ta formojnë Qeverinë e re të vendit pa PDK-në. Ai tha se pret që kjo Qeveri të formohet me 63 vota që krijohen, sipas tij prej deputetëve të përgjegjshëm.

“Unë po shpresoj që do ta bëjmë Qeverinë edhe pa PDK. Kryeministër do të jetë Albin Kurti dhe Kryepalamentar Glauk Konjufca. Me 63 vota. Këto vota bëhen prej deputetëve, atyre të cilët janë të përgjegjshëm për shtetin e Republikës së Kosovës.” – u shpreh ai.

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeparlamentari në detyrë, Glauk Konjufca ka thënë se ka nevojë për koalicion paszgjedhor që të formohet Qeveria e re e vendit pas Zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025. Ai ka shtuar se nuk u arrit qëllimi i partisë së tij që të merren 500,000 vota, prandaj edhe sipas tij nevojitet koalicioni.

“Kur jemi te Qeveria është e pamundur pa u themeluar një koalicion i cili e krijon mazhorancën e aftë që të zgjedhë një Qeveri të re. Këtu e kisha futur edhe pozicionin e Kryetarit të Kuvendit. Ende nuk kemi një emër të qartë sa i përket Kryetarit të ardhshëm.” – ka deklaruar ai.

Edhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla-Schwarz thotë që Vetëvendosja do ta bëjë Qeverinë, qoftë më 15 prill, apo më vonë.

“Dihet kush do ta formojë Qeverinë me 15 prill, apo më vonë. Kështu që nuk kemi çfarë diskutojmë.” – tha Gërvalla.

Mefail Bajçinovci tha shkurt që Qeveria Kurti III do të formohet.

“Pa votat e Listës Serbe.” – tha ai kur u pyet se me cilat vota do të formohet Qeveria.

Deputeti tjetër i zgjedhur, Valon Ramadani tha se shenjat, sigurisht që gjasat janë të mëdha, janë që do të bëhet Qeveria, “edhe të kryejë punët që kanë mbetur”.

“Sot është data për regjistrim, me të 15-tin për konsitutim edhe vazhdojmë sigurisht me procedurat tjera që do t’i kuptoni me kohë.” – tha se a do të bëjnë koalicion me PDK-në.

Njëjtë u shpreh edhe Adriana Matoshi, duke mos u përgjigjur në pyetjet tjera se si do t’i bëjnë votat e mjaftueshme për ta formuar Qeverinë.

“Ka me u ba ma e mira për krejt. Këta jeni të bindur cep më cep.” – tha Matoshi.

Ndërsa deputetet Fatmire Kollçaku dhe Arbëresha Kryeziu-Hyseni nuk pranuan të përgjigjen fare.

Ndërkohë kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku e ka refuzuar ftesën e Kurtit për takim për konsultime.

Në bazë të rezultateve të Zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 42.30% të votave – duke i siguruar 48 deputetët në Kuvend, Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 20.95% të votave apo 24 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës me 18.27% apo 20 deputetë dhe koalicioni AAK-NISMA 7.06% apo 8 deputetë. Lista Serbe do t’i ketë 9 deputetë, 1 ulëse nga komuniteti serb e ka fituar partia e Nenad Rashiqit.

10 deputetët e tjerë do të jenë nga komunitetet e tjera joshumicë.

ARTIKUJ TË LIDHUR
- Advertisment -spot_img

U lexua shpesh

- Advertisment -spot_img