shkruan: Ahmet Osmani
Zgjedhjet e fundit nuk kanë qenë thjesht një përballje mes partive politike, por një arenë ku janë ndërthurur interesa të brendshme dhe të jashtme, që shkojnë përtej kufijve të Kosovës. Nuk është vetëm opozita ajo që ka synuar të sfidojë Lëvizjen Vetëvendosje (LVV); sulmet kanë ardhur edhe nga analistët dhe gazetarët, të cilët, herë në mënyrë të hapur e herë të fshehtë, kanë përfaqësuar prirje dhe interesa që nuk burojnë vetëm nga realiteti i brendshëm politik.
Këto ndikime mund të lexohen si një pjesë e pandashme e dinamikës së politikës ndërkombëtare, ku fuqitë e jashtme, përmes instrumenteve të buta apo të forta, kërkojnë të orientojnë zhvillimet në drejtimin që i përshtatet strategjisë së tyre. Në këtë mozaik, roli i disa shteteve evropiane, të cilat për arsye të ndryshme kanë zgjedhur të mbështesin alternativa ndaj qeverisjes aktuale, bëhet i dukshëm. E njëjta logjikë vlen edhe për aktorë si Richard Grenell, i cili përfaqëson politika të caktuara amerikane, që nuk përkojnë gjithmonë me interesat e Kosovës siç i sheh qeveria në pushtet.
Në qendër të këtij tensioni qëndron kryeministri Albin Kurti, një figurë politike që, për shkak të qëndrimeve të tij të palëkundura dhe retorikës sovraniste, nuk është lehtë e manipulueshme nga faktorët e jashtëm. Për këtë arsye, atij i është bërë presion i madh për të pranuar themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, një strukturë e mbështetur nga BE-ja dhe SHBA-ja, por që Kurti e sheh si një rrezik për funksionalitetin e shtetit të Kosovës. Qasja e tij ka bërë që ai të përballet jo vetëm me opozitën e brendshme, por edhe me një front të gjerë ndërkombëtar që synon ta detyrojë të lëshojë pe.
Por historia ka treguar se sfidat e mëdha shpeshherë prodhojnë ose transformime të thella, ose kthime prapa. Pyetja kryesore mbetet: a do të arrijë Kurti të mbrojë vizionin e tij politik, apo do të detyrohet të bëjë lëshime në emër të balancave diplomatike? Dhe, nëse ndodh kjo e fundit, a do të mbetet ai po i njëjti lider për të cilin qytetarët votuan?
Koha do të tregojë nëse kjo përballje do të sjellë një Kosovë më të fortë apo një kompromis të dhimbshëm.
12 shkurt 25, Uster
A.O