Foto: Depositphotos/pyotr021
Pas katër javësh rritje të vazhdueshme, çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare ranë dukshëm javën e kaluar, si pasojë e kërkesës së presidentit amerikan Donald Trump drejtuar OPEC-ut për uljen e çmimeve, si dhe paralajmërimit të tij për rritjen e prodhimit të naftës në SHBA.
Në tregun londinez, çmimi i një fuçie nafte ra me 2,8% duke arritur në 78,50 dollarë, ndërsa në tregun amerikan u shënua një rënie më e madhe prej 4,1%, duke zbritur në 74,66 dollarë për fuçi.
Kjo rënie lidhet kryesisht me deklaratat e Trump-it gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos, ku ai theksoi se ka kërkuar nga OPEC të ulë çmimin e naftës për të dëmtuar financat e Rusisë dhe për ta detyruar atë të hyjë në negociata paqësore me Ukrainën.
Përveç kësaj, Trump ka shprehur synimin e tij për të rritur prodhimin vendas të naftës dhe për të përshpejtuar procesin e dhënies së lejeve për projekte të reja energjetike. Nga ana tjetër, OPEC, i cili për vite me radhë ka mbajtur të ulët prodhimin për shkak të kërkesës së dobët pas pandemisë së koronavirusit, ka njoftuar një rritje të prodhimit.
Sipas Agjencisë Ndërkombëtare për Energji (IEA), oferta globale e naftës pritet të rritet me 1,9 milionë fuçi në ditë deri në vitin 2025, edhe nëse OPEC dhe aleatët e tij shtyjnë rritjen e prodhimit deri në vitin 2026. Kjo rritje pritet të vijë kryesisht nga prodhuesit e pavarur, të udhëhequr nga SHBA-ja.
Megjithëse çmimet e naftës kanë shënuar rënien e parë për këtë vit, ato mbeten ende rreth 6% më të larta në krahasim me fillimin e vitit.