🖊️ Shkruan: Dashamir Uruçi
Kanë kaluar 35 vjet që Shqipëria përjeton një tranzicion të paprecedentë, të gjatë, të mundimshëm e të pafund, me kthesa e dilema nga më të çuditshmet.
Në të gjithë këto vite, njerëzit e thjeshtë i ka mbajtur gjallë shpresa se Shqipërinë do ta bëjmë si gjithë Europa, dhe për ne qytetarët – qyqarët – do të fillonte një jetë e re dhe më e mirë.
Kaluan dekada dhe ne jemi po aty ku kemi qenë: jashtë Europës, me ëndrra e dëshira të shumta, të cilat dalëngadalë po shuhen.
Njerëzit nuk shohin dritë, dhe të dëshpëruar, “me kuç e me maç”, kanë marrë rrugën pa kthim drejt emigracionit.
Duke e parë ftohtë çështjen e pranimit të Shqipërisë në BE, na del përpara një mal i lartë, të cilin nuk e dimë si mund ta kapërcejmë.
Përballë përrallave disa vjeçare se kemi hapur kaq e aq kapituj të kërkesave të BE-së, natyrshëm lind pyetja:
A do të bien dakord 27 parlamentet e vendeve anëtare për pranimin e Shqipërisë në BE?
Disa prej tyre kanë interesa ndaj vendit tonë dhe me siguri do të vendosin edhe kushte apo sanksione për të mbrojtur minoritetet e tyre ose interesat strategjike.
Thjesht e thënë: në gjirin e BE-së ka vende ku feja dhe shteti janë realisht të bashkuar, siç është rasti i Greqisë. Po ashtu, në BE ka vende që ende nuk e kanë njohur Kosovën – pra, gjysmën e kombit tonë.
Me këto argumente – dhe plot të tjera – për 35 vjet me radhë kemi bërë një hap para e dy hapa pas…?!
Bashkimi Europian ka përdorur dy standarde ndaj vendeve ku ka qenë prezent dhe ka ndërhyrë për t’u “ndrequr” punët.
Rasti i bisedimeve Kosovë–Serbi e ilustron më së miri këtë përfundim. Europa, poshtërsisht, ka mikluar Serbinë dhe ka sanksionuar Kosovën.
Me një fjalë: ka gjymtuar më tej viktimën dhe ka mbështetur e ndihmuar financiarisht agresorin – Serbinë.
Kjo tashmë dihet. Fytyra e vërtetë e Europës ndaj nesh ka dalë hapur dhe nuk e fshehin dot më.
Në këto kushte, shoqëria shqiptare duhet të jetë më e qartë dhe më e vendosur se kurrë.
Le ta mbajmë gjallë ëndrrën për të hyrë një ditë në Europë, por ndërkohë t’i përvishemi punëve tona.
Të gjitha llojet e bulmetit që vijnë nga Europa në Shqipëri, nesër mund të mos i shohim më.
Sa komisionerë europianë si “Kosi me shokë” kanë hyrë e kanë dalë tek ne, kanë premtuar dhe janë zhdukur pa bërë asgjë për ne shqiptarët – që jemi ende “vendnumëro”.
Shumë përfaqësues europianë janë shprehur tashmë se me këtë nivel zgjedhjesh dhe këtë shkallë korrupsioni, shqiptarët nuk duhet ta shohin as në ëndërr Bashkimin Europian.
Këto kambana kanë rënë herë pas here tek ne. Dhe sot, pa dhimbje, mund të themi se viti 2030 – viti i “gjoja” pranimit tonë në BE – është një ëndërr e vogël që bie menjëherë sapo njeriu zgjohet në mëngjes.
Duhet të tregohemi të mençur: të bëjmë më parë bashkimin e shqiptarëve të ndarë, e pastaj të përpiqemi – si një komb i bashkuar – të hyjmë në Europë.
Shembulli i bashkimit të dy Gjermanive duhet të jetë frymëzues për ne.
Hapi i parë për bashkimin e shqiptarëve duhet të jetë bashkimi Kosovë–Shqipëri, i cili mund të ndodhë në nivel federate ose konfederate.
Rezoluta 1244 nuk e ndalon një gjë të tillë – pa u futur fare tek fakti se asaj rezolute i ka dalë “boja”.
Në kushtet e një stanjacioni të gjatë politik dhe ekonomik, në kushtet e një qëndrimi jo dashamirës, skematik dhe dogmatik të Europës ndaj nesh, ne shqiptarët duhet të shohim edhe aleanca të tjera – politike dhe ekonomike – dhe të mos lidhemi vetëm me një “lokomotivë”, e cila për 35 vjet na ka lënë në një stacion pritjeje.
Në të njëjtën kohë, duhet të kemi kurajon të publikojmë fakte dhe dokumente me rëndësi, përmes të cilave disa fuqi të mëdha europiane akuzohen për vendime të dëmshme ndaj interesave kombëtare shqiptare.
E kam fjalën për Berlinin, Parisin dhe Londrën, ku u morën vendime për copëtimin tragjik të një populli të tërë.
Për këtë gjëmë të madhe, duhet të ngrihen në këmbë shoqëria dhe shteti shqiptar.
Duhet të heqim dorë nga ekuilibrat fallco, dhe të merremi drejtpërdrejt me obligimin kushtetues: me të drejtat dhe liritë themelore të shqiptarëve kudo në botë, e veçanërisht me BASHKIMIN KOMBËTAR SHQIPTAR.
Fakti që jemi të vegjël nuk duhet të na pengojë në rrugën tonë.
Gjithashtu, nuk duhet harruar se Bashkimi Europian e nisi si një bashkim i vendeve të krishtera.
Prandaj, në qëndrimin që Europa mban ndaj nesh, duhet konsideruar edhe faktori fetar…?!
Në komunizëm, 70% ishim myslimanë, 20% ortodoksë dhe 10% katolikë.
E sot, zor ta dimë se sa jemi në të vërtetë.
Ka shqiptarë që për para kanë shitur fenë dhe atdheun – dhe kjo situatë ka favorizuar qëndrimin e heshtur të BE-së ndaj nesh.
Sot, më shumë se 100 vjet nga copëtimi barbar i trojeve tona, reagimi i Bashkimit Europian ndaj grabitjes më të madhe në kontinentin europian është në nivelet e zeros.
Fuqitë e mëdha që na ndanë në 6 copa lanë jashtë rreth 70% të territorit kombëtar.
Ato vazhdojnë të tallen me ne, dhe shqiptarët duhet t’i japin fund kësaj fyerjeje, duke kushtezuar marrëdhëniet me Bashkimin Europian.
Nëse ata nuk na duan, ne nuk kemi pse të lëpihemi.
Më shumë se kemi vuajtur në të kaluarën nuk mund të vuajmë më.
Ka shtete të tjera dhe fuqi të mëdha që duan portet tona – ajrore, tokësore e detare – dhe kjo është një armë e fuqishme në duart e shqiptarëve.
Shpreha disa mendime të sinqerta pa drojë, me bindjen se kështu duhet të veprojmë.
Me këtë rast, e përsëris edhe një herë:
Duhet të heqim dorë nga ideja se Europa do të na ndihmojë.
Ne, shqiptarët, duhet të jemi bashkë në pikëpamje, ide dhe projekte të përbashkëta.
Është e tepërt dhe shumë fyese që për dy ura mbi lumin Ibër të presim e të marrim leje nga Europa, kur investimi është brenda territorit të Republikës së Kosovës.
Të fillojmë nga vetja dhe t’i shtrëngojmë dorën njëri-tjetrit.
T’i imponohemi politikës shqiptare, e cila vepron për interesa partiake e klanore, e jo për interesa kombëtare.
Duhet ta themi qartë:
Me vizitën e dy kryeministrave shqiptarë në Maqedoni, këto ditë, të gjithë e kuptuan se është institucionalizuar ndarja tek shqiptarët e Maqedonisë dhe më gjerë.
Njëri prej tyre takoi LIA MOR DERR, tjetri NUKJAVARIN.
E palejueshme për të dy liderët tanë që, pa drojë, bëjnë politika personale e partiake, duke zvetënuar interesin kombëtar të shqiptarëve.
Dashamir Uruçi
Kuvendi Kombëtar Shqiptar – USHC
Tiranë, më 3 korrik 2025