spot_img

Konfrontimi me policinë në Drenas me datë 22 shkurt 1990

Shkruan: Imer Xhemail Lladrovci 

Vitet 1990 ishin vite të trazuara, sepse në çdo anë të Kosovës hapeshin varre të reja për djemtë e rinj shqiptarë që nuk pajtoheshin me shtetin jugosllav që bënte gjithçka që kishte në dorë per të thyer  vullnetin  politik të një populli, të një brezi. Ishte vërtet një kohë dinamike dhe e mbarsur me shumë rreziqe. Sidoqoftë, shqiptarët këtë herë nuk e ndjenin veten të vetmuar, sepse kudo vihej re një lloj optimizmi i pashpjegueshlm. Logjika politike ishte në disavantazh me intuitën e përgjithshme. Shqiptarët nuk kishin asgjë në dorë e megjithstë, ndjeheshin sikur gjithë bota të ishte e tyre. Vdekja korrte jetën e të rinjlve, pothuajse për ditë varrosej një shqiptar i ri në Kosovë, por kjo zi e vdekjes nuk përkthehej në realitet dëshpërues.

Me datën 22 shkurt. Ishte ende dimër, kohë e ftohtë dhe me mundësi të kufizuara qarkullimi.Për disa koha kishim  qëndruar në Prishtinë, për t‘iu shmangur në njëfarë mënyre arrestimit.Policia politike jugosllave ishte tepër e zënë në këtë kohë, sepse numri i atyre që duhej të arrestoheshin dhe burgoseshin ishte tej mase i madh. Pakënaqësia ishte. aq e madhe, sa njeriu mund të mendonte se vetëm kur të burgosej gjithë populli, do të pushonin këto probleme. Besoj se në këtë drejtim kanë menduar shumë udbash në atë kohë. Por populli nuk mund të burgosej, këtë gjë e dinin ata mirë, ndaj dhe vrisnin në mënyrë selektive. Nuk kishin çka të humbnin më. Gjithçka e kishin humbur tashmë. Në Drenicë, ndoshta nuk kishin humbur asgjë, sepse në një vend që e nënshtron me forcë ushtarake, i ke të humbura të gjitha që në fillim. Një besim i pushtetarëve te masa shqiptare s‘arriti kurrë të krijohej. Shqiptarët ishin barrikadiar në një anë, pushteti në anën tjetër. Dhe që të dyja palët ishin në pritje, shqiptarët prisnin lirinë e tyre, kurse serbët mundësinë për një masakër të re.  Ky tension ndihej kudo. Edhe në protesta njerëzit ishin shumë të acaruar. Këtë gjë e dinin më së miri policët politikë, të cilët ishin infiltruar në masë përmes njerëzve të tyre, duke kërkuar ata që donin t‘i arrestonin.

Kthimi në Drenas dhe pritja nga policia në stacionin e sutobusave

Ishim brenda në autobusin që hyri në stacion e fundit në Drenas dhe po ndalonte kur pamë se një automjet i blinduar i policisë, një autoblindë po i ofrohej autobusit ku ishim ne bashkë me një makinë policie. Kjo do të thoshte se dikush na kishte përcjellu në momentin që kishin hypur në këtë autobus në Prishtinë. Policia nuk mund ta ndalonte demostrat, mirëpo kujdesej që ato te kalonin pa asgjë politike, thjesht si tubime te  zakonta.Pa e mbiçmuar rolin tonë, policia ishte përgatitur që ta pengonte pjesëmarrjen tonë në demostrata. Në atë moment Ramizi tha se ne, me gjasë, jemi në përcjellje të policisë dhe se ajo do të synojë të na arrestojë. Ne të tre, Ramizi dhe Shemsije Istogu dhe unë ishim të armatosur, kishim në brez nga një revole. Ramizi sillej qetësisht dhe pa hektikë, kështu që  me qetësinë e tij na dha kurajo edhe neve. Unë personalisht i jam mirënjohës për mënyrën si u soll ai në këtë moment kritik, kur ndodheshim para një rreziku të madh. Thjesht na tha se kur të dilni nga autobusi kaloni pranë policisë qetësisht dhe mos reagoni, sepse unë do  të jemë pas jush dhe, po të jetë nevojë e di se çka duhet të bëjë, por, vazhdoi ai me gjakftohtësi, edhe ju duhet të reagoni, nëse ata më sulen mua dhe bëjnë përpjekje të më arrestojnë. Këto fjalë të tij i regjistrova mirë në mendje dhe s‘i harroj kurrë që nga ajo ditë. Po të përpiqej policia për ta arestuar Ramizin unë isha i gatshëm menjëherë të reagoja dhe ta bëja të pamundshme arrestimin e tij. Nuk mund ta dijë sesi do të ishin zhvilluar ngjarjet, nëse policia do të sillej me agresivitet. Di vetëm që nuk do ta lejoja një agërsi të tyre dhe as do të pranoja të arrestohej Ramizi. Besoj të njejtën gjë do ta bënte edhe Shemsija, e cila nuk mund ta lejonte kurrësesi arrestimin e shokut të saj në një moment kur ajo ishte aty pranë dhe e kishte armën e mbushur në brez.

Policia na vinte pas me makinë

Sidoqoftë, ne kaluam pranë policisë dhe ajo nuk bëri asgjë që mund të provokonte reagimin tonë. Unë që i kam provuar ato çaste sekondë për sekondë e di sesa i vështirë ka qenë parakalimi pranë tyre. Edhe Ramizi duhet t’i ketë përjetuar këto momente në ankth të madh, sepse nga sekonda në sekondë mund të eksplodonte mllefi ynë dhe të kthehej në një ndeshje të armatosur ku do të kishte pasur shumë të vrarë, përfshirë edhe neve. Megjithatë gjithçka kaloi pa probleme, Ramizi që na vinte mbrapa pa bërë asgjë. Ne nuk e shihnim atë, por i ndjenim hapat e tij dhe kishim ndjenjën se kishim dikend që na mbronte. Ndaj tij edhe policia u tregua kinse  shpërfillëse. Ne e dinim që policët do të na kishin vrarë, po të vendosnin vetë, urrejtja e tyre ishte e dukshme. Pse ka ndodhur kështu nuk e di, ndoshta policia kishte informacion se ne mund të hapnim një front lufte me ta apo ajo thjesht nuk e dinte se ne kishim në brez armë. Tani që kanë kaluar kaq vite, këto gjëra nuk duken më pak dramatike se atëherë, por do të ishte e gabuar të flisnim për një situatë pa rreziqe rreth 35 vjet më vonë. Në atë kohë tensioni çdo gjë e jashtme e ngarkonte situarën, sidomos  tendosjet  politike që ishin shkak i gjithë këtyre zhvillimeve. Duke qenë se policia nuk na ndali, ne e vazhduam rrugën drejt tregut. Policia nuk bëri asnjë përpjekje për të na ndaluar, mirëpo ajo na u vu pas me makinën e saj, gjë që tregonte se drama do të vazhdonte dhe se ajo do të kishte edhe akte të tjera.  Në rrugë kishte shumë njerëz, prania e të cilëve ndoshta e detyroi policinë të mos ndërhynte fare ndaj nesh. Ne që ecnim kinse me shpërfillje ishim shumë të tendosur nga ana psikologjike, sepse prisnim nga çasti në çast që policët të na hidheshin në qafë, mirëpo mizëria  e njerëzve, me sa duket, bënte që policët të ndiheshin jo fort të sigurt për të ndërmarrë çfardo aksioni. Nëse në atë moment policët do të hapnin zjarrë kundër nesh, do të vriteshin edhe shumë qytetarë të pafajshëm. Edhe ne i kishim revolet gati dhe do të kishim reaguar menjëherë, instinktivisht. Gjërat ishin të qarta: ata do të përpiqeshin të na mposhtnin, por edhe ne ishim të gatshëm për t‘ua bërë të pamundshme çdo gjë që do të donin ata. Shkurt, ne do të luftonim dhe në këtë luftë do të kishte shumë të vrarë. Kështu ecëm gjithë kohën kah tregu, por kur u afruam te tregu e morëm rrugën që çonte te fabrika e Kluzit që tashmë nuk ekziston dhe brezat e rinj nuk kanë kurrëfarë përfytyrimi për të. Brezi i ri atë rrugë s’ka si ta rikontruktojë në përfytyrimin e tij, sepse tani në këtë pjesë janë ndërtuar godina të reja dhe pamja e qytetin ka ndryshuar plotësisht. Atëherë krejt Drenasi kishte një pamje tjetër. Ai ishte vërtet një qytet provincial, pa pothuajse asnjë shenjë moderniteti, gjë që nuk mund të thuhet më për Drenasin e sotëm. Atëbotë Drenasi dhe Skenderaj konsideroheshin si dy qendra urbane të një province të mallkuar, çka kishte bërë që të mos investohej pothuajse asgjë në këto qytete. Mesazhe që përcillej ishte i qartë: qytetet armike do të trajtoheshin me përbuzje dhe përçmim. Edhepse kjo nuk thuhej hapur, njeriu i kësaj ane në çdo hap e ndjente këtë përbuzje dhe përçmim.

Jugosllavia përkatësisht Serbia në emër të saj kështu ndëshkonte. Për banorët e sotëm të rinj që s‘e kanë përjetuar atë kohë, lshtë pothuajse e pamundshme të krijojnë një ide si dukej kjo rrugë atëherë në një ditë tregu. Dita e tregut ishte një ditë e veçantë që sillte pothuaj gjithë banorët e rrethinës në qytet. Çdokush kishte një punë për të kryer në qytet dhe e shfrytëzonte këtë ditë për punët e tij.

Takimi i papritur dhe i sikletshëm me xhaxhain në rrugë

Në momentin kur e morëm rrugën kah fabrika e Kluzit më del përpara xhaxhai im Muharremi  dhe më drejtohet me fjalët: „Ku je, mor Imer, Shera (Sherife Lladrovci, nëna ime-shënim i im) është bërë shumë merak. Ajo po thotë se policia i ka vrarë Ramizi dhe Imerin, ndryshe ata do të kishin ardhur në shtëpi. Është e pamundur që ata të jenë gjallë e të mos ishin kthyer në shtëpi.“ Xhaxhait ia ktheva me ashpërsi të pazakontë dhe të panjohur më parë. Ishte hera e parë që sillesha kështu ndaj tij, por desha t’ia bëjë me dije se diçka nuk ishte në rregull dhe ai duhej ta percetonte si duhet situatën. Xhaxhai e kuptoi që gjendja nuk ishte normale   dhe nuk foli më tutje, por heshti. Më vonë, më tregoi sesi e kishte perceptuar rrezikun e  situatës. Për fat të keq, gjithçka e kishte interpretuar gabimisht. Vetëm në një gjë kishte pasur të drejtë: situata ishte shumë serioze. Duke e parë Shemsijen pranë meje dhe Ramizin që na vinte pas, ai kishte menduar se bëhej fjalë për një  grabitje të një vajzeje dhe jo për një situatë politike kur nga momenti në moment mund të arrestoheshim apo të vriteshim nga policia që na përcillte, sepse ne ishim të vendosur të qëndronim dhe të mos e lejonim arrestimin tonë, prandaj dhe ecnim drejt Çikatovës së ishte një fshat ngjit me fshatin Shkabë. Unë u çudita që në gjithë këtë situatë të tendosur xhaxhai policinë s‘e kishte përceptuar si faktorin kryesor të atmosferës së rënd. Sidoqoftë, ne atë moment të ndërlikuar kaluam pa incidente dhe e vazhduam rrugën, duke e lënë xhxhai mbrapa me mëdyshjet e tij.

Te udhëkryqi i Çikatovës

Në momentin që arritëm te udhëkryqi  që çon në Çikatovë dhe më tutje në Skenderaj na u ofrua makina e policisë dhe policët kërkuan nga ne të ndaleshim. Ishim larguar tashmë nga masa e njerëzve, kështu që policët kujtuan se kishte ardhur çasti kur ata mund t’i qëronin hesspet me ne. Ne iu thamë: vazhdoni ju rrugë tuaj se ne nuk e kemi ndërmend të ndalemi. Polici që ishte në anën tonë, në anën time dhe të Shemsijes, filloi të na fyejë me fjalë vulgare. Pikërisht në këtë moment vjen nga Çikatova Muhamet Dervishi, njëri nga 34 dëshmorët që u vra në kufirin me Shqipërin me Mujë Kraaniqin dhe bëri që situata të ndryshojë rrënjësisht në një drejtim të papritur. Muhameti më shumë se të fliste bërtiste, duke na qortuar mua dhe Ramizit si frikacakë që i kishim shmangur protestat e fundit në qytetin e Drenasit. Muhameti pa e perceptuar komplet situatën, për të policët nuk ekzistonin në atë moment, po thoshte se ka  dy javë që nuk kishim dalë në qytet, kur ai vlonte nga protestat. Ai mendonte se ne nuk kishim dalë në qytet nga frika. I them Muhametit me një ton të prerë e të pazakontë që të vazhdonte rrugën dhe të mos fliste ashtu, duke shpresuar se ai do ta kuptonte se ndodheshim në një situatë të rrezikshme ku nuk ishin të mundshme muhabete të lira të kësaj natyre, sepse policinë e kishim krejt aty afër, pas nesh dhe, tani që ishim shkëputur nga masa e njerëzve ajo edhe mund të ndërmerrte ndonjë aksion të papritur që do të shkaktonte viktima, për ç’gjë ne nuk ishim fare të interesuar, sepse e dinim që policët në makinë ishin shqiptarë dhe ata një këmbim zjarri nuk do të mund ta mbijetonin, pavarësisht se në këtë luftim mund të vriteshim edhe ne. Deri në këtë moment edhe ne edhe ata ishim treguar të përmbajtur, por gjithçka mund të merrte tatpjetën dhe gjaku shqiptar mund të derdhej pa kurrëfarë nevoje. Nëse policia do të përpiqej të ndërmerrte diçka me forcën e armëve, menjëherë do të kishte reagimin tonë, s’kishim çka të bënim tjetër, por ne për asnjë çast nuk do t’i prinim së keqes. Makina e policisë na vinte pas vazhdimisht, jo shumë larg prej nesh. Kërcnimi ishte real. Situatës iu shtua edhe një element i papritut. Nga ana tjetër, del polici që e kryente dhe punën e shoferit dhe e ndalon Mursel Dvoranin, i cili donte të dilte nga ana jonë për të na përshëndetur, me sa duket, pa e kuptuar që ne ishim në përcjellje të policisë.  Kishte kohë që nuk ishim parë as me Murselin, kështu që ai pa kurrëfarë dyshimi u drejtua kah ne.

Ramiz Lladrovci shtiu në ajër me armën që mbante

Në këtë moment Ramizi shti me revole në ajër dhe polici frikësohet aq shumë sa pëson një tronditje, gjë që tregon se edhe policia që na ndiçte hap pas hapi ishte e vetëdijshme se ishte involvuar në një lojë tepër të rrezikshme. Letërnjoftimin që ia kishte marre  me arrogancë Murselit, nipit tonë, e harroi te ja jape  dhe filloi të lëviz drejt makines. Ne këtë gjest e interpretuam si tërheqje, ndaj e përjetuam si lehtësim. Ramizi na tha që të mos gjuanim edhe ne në drejtim të policëve, sepse ata ishin shqiptarë dhe ne nuk e kishim ndërmend t‘i dëmtonim pikërisht për këtë shkak. Po të kishin qenë serbë me siguri që ky  moment do të merrte pamje tjetër, sepse ne ishim në pozitë që t‘i vrisnim, por nuk deshëm të shkëmbejmë plumba me shqiptarët e uniformuar. Policët hipëm në makinë dhe shkuan drejt autoblindës. Në atë moment gjithçka u shtendos. Kishim kaluar momente dramatike deri në këtë moment, nuk e dinim sesi do të merrte fund kjo dramë. Tragjedinë e kishim shumë afër, por atë e shmangëm edhe në saj të policisë që diti të tërhiqet në momentin e duhur. Ne iu thamë policëve që të ikin që këtej dhe t’u thonë policëve të tjerë se jemi të armatosur dhe s’e kemi ndërmend të dorëzohemi. Sesi e kanë bartur porosinë tonë te policët e tjerë ne nuk mund ta dinim, por pamë se edhe policët mezi kishin pritur të largoheshin nga ne. Ata edhe mund të na kushin vrarë, por të gjallë nuk do të dilnin nga ky luftim. Ata ikën dhe tani unë mund ta rrëfejë këtë histori. Kurrë nuk e kam mësuar emrat e policëve, di vetëm që ata ishin shqiptarë dhe as nuk deshën të na vrisnin dhe as të vriten. Nuk dua të flasë këtu për etikën, por insinkti i jetës fitoi pa asnjë dyshim mbi prirjen për gjakderdhje, të cilën e donte Beogradi, por jo edhe policët që kishin ende uniformën e tij. Atë vit, më 1990 edhe pjesa më e madhe e policëve e zhveshi uniformë dhe u distancua nga politika që i nxiste njerëzit kundër njëri-tjetrit vetëm për të realizuar programe hegjemoniste.

Tregimi i mëvonshëm i xhaxhait për policët serbë dhe tronditjen e policit shqiptar

 Më vonë xhaxhai  im që kishte qëlluar aty afër autoblindit të policisë na tregoi se në momentin kur Ramizi e shkrehu revolën, policët serbë ishin futur në autoblindë, sigurisht nga frika. Në autoblindë mendonin se ishin të sigurt. Polici i frikësuar dhe i ngatërruar kur e pyetën policët serbë se a kishte shumë njerëz të armatosur gjithë kohën thoshte: puno, puno, puno në serbisht së në shqip i bie se kishte shumë njerëz të armatosur, gjë i tmerroi policët serbë, sepse ata kujtuan që shumë njerëz ishin të armatosur na ishin bashkuar dhe kërkonin  të luftonin me policinë. Policët u duk që nuk donin të luftonin me ne, ndoshta pse konsideronin që ishin të paktë në numër, apo se nuk ishin të armatosur mirë. Policia i fillonte aksionet e saj vetëm kur mendonte se ishte në epërsi me njerëz dhe teknikë. Në raste të tjera ajo i shmangej konfrontimit. Neve na shpëtoi fakti që ata nuk dinin pothuajse asgjë për ne. Të vetmen gjë që dinin ishte fakti se ne nuk do të dorëzoheshim dhe se ishim të gatshëm të luftonim me ta. Ne pa asnjë dyshim mund të vriteshim në këtë përleshje, vetëm se asnjë policë nuk do të shpëtonte i gjallë. Ata e bënë mirë llogarinë dhe shpëtuan. Edhe ne shpëtuam.

Ikja e policisë pas krismës

Policët ikën dhe ne për një moment ndodheshim vetëm. Në këtë kohë Ramizi merrë një vendim të drejtë. Ai tha se ne, tani duhet të ndërrojmë drejtimin dhe të ecim drejt qytetit dhe jo drejt  fshatit Çikatovë, pasiqë policia, sipas gjasave do ta rrethojë qytetin dhe do të na e bëjë të pamundshme largimin nga ai. Ne u kthyem kah qendra e Drenasit. Ecën nëpër do rrugë ku kishte shtëpi të ndryshme, drejt Poklekut afër Kodrës, kah hyrja e „Ferronikelit“. Në këtë moment Shemsija na thotë se në këtë lagje kishte  një shoqe nga gjimnazi. Në shtëpinë e saj ajo mund të qëndrojë për njëfarë kohe derisa të shtendoset situata. Kjo ide ishte shumë me vend, ndaj dhe u miratua nga ne, në rradhë të parë nga vetë Ramizi.  Ne me Ramizin kaluam nëpër disa oborret dhe dolëm në hekurudhë që shpie tek „Ferronikeli“ . Rrugës takuam shumë fshatarë nga  fshatrat,

Dritani,Shkaba,Dodona e Godanci që po shkonin këmbë ne treg, përmes hekurudhës. Dhe ne ecëm kështu nëpër hekurdhë derisa mbërritëm te mali ku jo larg tij ishin barakat e punëtorëve të „Ferronikelit“. Ramizi tha se tani, po të duan, le të vijnë policët. Ky ishte një reagim lehtësimi. Ne ishim në një pozitë  shumë më të mirë tani për të rezistuar me policinë, nëse ajo do ta kërkonte me patjetër luftën me ne. Por e vërteta ishte se policia e ndjeu rrezikun dhe tregoi se nuk ishte e interesuar për përleshje të armatosur me ne që në sytë e tyre ishim kthyer në një grup të madh të armatosur. Së pari, policia në këto kushte kur ndodheshim në mal kurrë nuk mund ta dinte sesa vetë ishim, ndaj dhe mund të luftonim vetëm ne të dy dhe ata të kujtonin se ishim një grup i armatosur që luftonte. Në këto kushte ne mund t‘i shihnim ata mirë dhe t‘i shënjestronim, kurse ata nuk mund ta dinin kurrë me saktësi  se sa ishim ku ishim ne. Këto përparësi ne do t‘i shfrytëzonim pa asnjë dyshim. Mirëpo punët rrodhën ndryshe.

Helikopteri i  policisë  mbi Drenas

Pas njëfarë kohe që ne tashmë ishim larg rrezikut erdhi një helikopter nga Prishtina që fluturonte mbi qytetin e Drenasit, me siguri në kërkimin tonë. Policia e përdorte këtë fluturim për ta dramatizuar situatën, për të na frikësuar neve që ishim në arrati, por edhe për të krijuar një psikozë ndjekjeje në masën shqiptare në qytet e rrethinë, për ta ndarë atë nga elementi që konsiderohej i padëshriueshëm. Kur një shtet detyrohet të ndërmerrë masa të tilla represive, atëherë punët e tij nuk janë mirë. Vërtet që helikopteri është një teknologji luftarake e lartë krahasuar me armët që mund të kishim ne atë kohë, mirëpo një luftë nuk fitohet thjesht me teknologji. Politika serbe i kishte humbur njerëzit. Besimin e tyre ajo nuk mund ta kthente kurrë më. Serbia i përdorte resurset e shtetit federal, por turbull i ndjente se në përballjen e saj me shqiptarët shumë shpejt do të mbetej e vetmuar edhe brenda federatës se jashtë, në botë, aleatët e saj mungonin. Serbia përkrahej në njëfarë mase vetëm nga diktaturat.

Qëndrimi në mal dhe shkuarja ime në Poklek te Jakup Haxhia

Kaluan disa orë në mal dhe ne filluam ta ndjejmë uri. Kishte disa orë që ne nuk kushim ngrënë asgjë. Në atë situatë kur jeta jonë ishte në rrezik, ne s‘e kishin çuar mendjrn asnjëherë te buka e pija, por edhe një luftëtar ka nevojë për bukë dhe ujë. Pas instinktit të sigurisë, shfaqen instinktet e tjera te njeriu. Dhe nevoja për ushqim paraqitet e para. I them Ramizit se këtu afër në Poklek është shtëpia e Jakup Haxhisë, burrit të motrës së nënës sime, kështu që unë mund të shkoj dhe të kërkojë pak bukë e ujë  aty. Ramizi më thotë shko. U nisa menjëherë. Në Shtëpinë e Jakupit nuk u zgjata shumë me shpjegime, por u thashë se kemi nevojë për ushqim, gjë që ata menjëherë ma përgatiten, sigurisht me njëfarë ndjenje misterioze dhe frike. Ishte kohë që secili e mendonte më të keqen, sepse kudo mbizotëronte njëfarë psikoze lufte. Një shtet i tërë ishte çuar në këmbë dhe njerëzit e dinin se nga ky trazim vështirë të dilte diçka e mirë. Ato pak çaste sa qëndrova në shtëpinë e Jakupit më silleshin ndërmend gjithëfarë mendimesh, por kisha besim se tani që kishim arritur në mal situata ishte në favorin tonë. Policia ishte aty afër duke na kerkuar, por nuk kishte guxim të shfaqej publikisht. Shteti fshihej prej qytetarëve të tij, një gjendje me të vërtetë paradoksale. Humoristi Çarli Çaplini thotë dikund se për gjëra të mira njeriut nuk i duhet fare pushteti, atij i mjafton dashuria. Vetëm për punët e liga njeriu ka nevojë për pushtet dhe, me sa dukeshin punët, Serbia kishte shumë nevojë për pushtet në raport me shqiptarët e revoltuar që donin t’ia kufizonin asaj pushtetin deri në masën e mospasjes mundësi për të bërë ndonjë krim. Sidoqoftë,une e njoftova tezakun Faton Haxhiun ku ishm ne male qe te na sjelle ushqimin, ndaj dhe ishte koha të ikja nga kjo shtëpi bujare. Ishte minimumi i moralit që të ruhej ai që të ndihmon.

Policia na kishte rrethuar, por nuk vepronte

Policia nuk ndihej, nuk vepronte. Ajo përgjonte. Sigurisht që kishte  frikë të ndërmerrte çfarëdo veprimi, sepse dyshonte që do të ndodhej para një grupi mirë të armatosur dhe të gatshëm për të luftuar gjatë me ta. Ne vërtet kishim armë, por jo sa na duheshin për një rast konfrontimi të gjatë me policinë, e cila mund të vinte në atë vend me një numër të madh policësh dhe teknikë armatimi që do të na sillte në pozitë të vështirë. Të gjitha këto gjëra i çonim nëpër mend në njëfarë mënyre në ato çaste, por kurrë nuk na shkonte në mend që të dorëzoheshim tani që ishim në një pozitë shumë më të mirë se në momentin kur ishim të zbuluar në fushë. As në mal, as në fushë nuk do të ishim dorëzuar. Ngadalë po afrohej mbrëmja, aleatja jonë, gjë që do të thoshte se policia tashmë ishte pajtuar me faktin që të mos bënte asgjë që çonte deri te përdorimi i arëmve.

Ramizi shkon te Idriz Hysenaj

Ramizi kishte të drejtë, Shemsija nuk mund të qëndronte si „mysafire e paftuar“ gjatë në atë shtëpi, pa çka se vullneti për t‘i ndihmuar kundërshtarët e shtetit ishte i madh kudo dhe njerëzit ishin të gatshëm për çdo lloj flijimi. Sidoqoftë, për ne si grup do të kishte qenë një humbje, nëse do të reagonim ndryshe nga ajo që propozonte Ramizi. Shensija duhej të tërhiqej nga shtëpia ku u strehua. Dhe u tërhoq nëmmënyrënnmë të mirë të mundshme. Nga mali ku ishim deri te shtëpia ku rrinte Shemsija ishin disa kilometra, mirëpo në errësirë kjo distancë mund të përshkohej pa ndonjë rrezik të madh.

Kthimi i Shemsije Istogut dhe nisja për në Gllanasellë

Kur erdhi Shemsija  te ne në mal tashmë kishte kohë që kishte rënë terri, kështu që ne nuk kishim më asnjë arsye të qëndronim aty ku ishim, veç të tjerave ishte dhe ftohtë, ishte mesi i dimrit, ndaj dhe u nisëm  për në Shkabë. Policia  kishte ikur, ne e ndjenim vetën të sigurt nga një sulm i tyre. Në terr ata nuk merrnin guximin për asnjë aksion. Terri i bën gjërat të paqarta dhe frikën kur ajo ekziston e rrit shumë. Ne ishim dëshmitar se policët nuk donin të ndesheshin me çdo kusht me ne as ditën. Natën, ata me siguri, nuk kishin asnjë dëshirë të përballeshin me ne. Ne ç’është e vërteta nuk e kërkonim konfrontimin me ta, por as kushim ndërmend ta shmangnim, nëse ata e donin me patjetër. Hymë në lagjen tonë në një moment kur kishte rënë nata që prej disa orëve. Errësia na mbronte, ajo ishte aleati ynë, por, teorikisht edhe policia mund ta përdorte për aksioneh e saj ndëshkuese. Këtë gjë ne duhet ta mendonim gjithësesi. Vendosëm gë shkojmë në odën e bacës Bibë, sepse dyshonim që policia e dinte që ishim kthyer në fshat dhe mund të na rrethonte në shtëpitë tona. Dhe ashtu vepruam: nuk shkuam direkt në shtëpitë tona. Gjithçka kishim bërë deri në atë moment, do të rrënohej në çast, nëse ne tregoheshim mendjelehtë. Ne llogarisnim më të keqen, sepse e dinim që policia na njihte mirë dhe na kishte në shënjestër.  Megjithatë mbrëmja kaloi pa asnjë shqetësim, policia, me sa duket, nuk pati guxim të na kërkojë në shtëpitë tona. Por ajo që nuk kishte ndodhur atë natë, mund të ndodhte të nesërmen, ndaj dhe nuk ishte mirë të qëndronim gjatë aty ku ishim.

Në odën e bacës Bibë

Baca Bibë(Habib Lladrovci) na priti me bujari të madhe, sidomos kur e kuptoi arsye pse e kishim zgjedhur pikërisht odën e tij. Njerëzit atëbotë nuk kishin aspak frikë dhe na ndihmonin me gjithçka që kishin në dorë. Baca Bibë njihej si një njeri i tillë, mikpritës dhe i gatshëm për çdo flijim. Ai ishte atdhetar. Në odën e tij ne ndiheshim të sigurt e të mbrojtur. Gjithë ata familjarë ishin të gatshëm të na mbronin, nëse do të vinte puna deri te një sulm policor. Natyrisht, ne këtë gjë se dëshironim, jo pse kishim frikë nga policia, por pse nuk donim t‘u sillnim telashe njerëzve që na strehonin dhe silleshin bujarisht me ne.

Takimi me nënën e sëmurë

Unë shkova që aty në shtëpinë time  dhe e takova nënën, e cila ishte e sëmurë dhe kishte kohë që e kishte  zënë shtratin. Unë e dija se ajo ishte e sëmurë, këtë gjë më në fund ma tha në rrugë në Drenas dhe xhaxhai Muharrem. Megjithatë,  nuk i njihja përmasën e vërtetë të merakut të nënës, e cila, duke qenë se nuk më kishte parë për disa javë, kishte supozuar se nuk isha gjallë më. Në këtë gjendje jo të mirë shëndetësore asaj i ishte  shtuar edhe brenga ime, gjë që ia keqësonte problemet shëndetësore edhe më shumë. Në rend të parë ajo merakosej për fatin tim  në Prishtinën e trazuar. Ishte kohë kur kudo ndodhte diçka që i bënte familjarët të brengoseshin për fëmijët e tyre jashtë.  I thashë: e sheh që jam gjallë. Ajo u lehtësua shumë që më pa, por thellë-thellë e brente brenga sesi do të shkonin punët në ditët e ardhshme. Situata po tendosej çdo ditë dhe ajo këtë gjë e interpretonte në mënyrën e saj si një kërcënim direkt për ekzistencën time. I thashë disa herë se ajo duhej ta kuptonte që në këtë kohë nuk mund të qëndroja gjatë në shtëpi, sepse është kohë provimesh dhe studimi dhe, po të qëndroja në shtëpi, policia nuk do të na linte  rehat.Kisha përshtypjen se nëna u qetësua në njëfarë mënyre nga fjalët e mia, së pari kur më pa që isha gjallë dhe mirë, pastaj kur i shqyrtoi me mendjen e saj fjalët që ia thashë për nevojën e qëndrimit në Prishtinë. Në fund ajo  sikur u bind që më mirë ishte të shkoja në Prishtinë se të kthehesha në shtëpi ku policia vazhdimisht do të na bezdiste vazhdimisht, me metodat e saj. 

Kthimi në odën e bacës Bibë

Kur u ktheva në odën e bacës Bib l gjeta shumë kusherinj dhe fshatarët që kishin ardhur të na shihnin. Kishte kohë që nuk ishim parë, ndaj dhe ata kishin shumë mall. Ishin kohë të turbullta, sot flisje me dikend qetë-qetë dhe të nesërmen shkoje në varrimin e tij.  Kufiri mes jetës dhe vdekjes ishte bërë i padukshëm dhe i pakuptueshëm. As mosha e re , as shëndeti i mirë nuk përbënin faktorë  përcaktues të jetës. Sot ishe, nesër nuk ishe. Atëherë nuk kishte media sociale dhe njerëzit nuk ishin të informuar si në kohën tonë.  Takimet atëbotë kushin një rëndësi tjetër. Teknologjia digitale nuk njihej fare, kështu që ekzistonte një etje e madhe për informacion. Gjithkush i dinte që ishte kohë trazirash dhe kohë vendimtare për fatin tonë politik si bashkësi, por informacioni i vërtetë ishte i kursyer apo mungonte fare. Qarkullonin gjithfarë fjalësh e tregimesh. Mediat jugosllave dhe ato shqiptare që vepronin nën kontrollin serb, nuk besoheshin. Ato gënjenin, gënjeshtrat e tyre ishin të tejdukshme. Në fakt, askush nuk priste  prej tyre të thonin të vërtetën. Serbët dhe intelektualët e tyre e kishin farkuar një koncept për të vërtetën që e përjashtonte të vërtetën tonë. Ata thoshin se ka shumë të vërteta, ndaj dhe e vërteta serbe duhej të përfillej. Shkurt, shqiptarët, nëse donin të jetonin, duhet ta kishin para sysh se në këtë hapësirë jeta ishte e mundshme, vetëm nëse ata e pranonin të vërtetën serbe. Ishte një atmosferë si në kohë lufte kur të vërtetën duhej ta kërkoje vetë dhe të mos bëheshe budalla që ta merrje si një produkt të gatshëm. Te shqiptarët gjithmonë ka mbisunduar dyshimi i thellë në politikën serbe, kështu që askush nuk do të besonte asnjë fjalë që vinte nga ata. Në fakt ne ishim në një luftë specifike të pashpallur. Vazhdimisht dëgjohej për arrestime dhe vrasje. Në çdo hap  njeriu ishte i pasigurt. Nuk duhej ç‘do të sillte e nesërmja, ndaj dhe takimet me njerëzit kishin rëndësi të madhe. Takimi ynë në odën e bacit Bibë me të afërmit dhe fshatarët tanë ishte një takim me rëndësi për aktivitetin tonë politik, një impuls për të vazhduar më tej. Sistemi politik jugosllav tashmë kishte dështuar. Vetë Jugosllavia ishte në grahmat e fundit.  Pas disa muajsh Sllovenia dhe Kroacia do të shkëputeshin përfundimisht nga federata jugosllave. Por cili do të ishte fati ynë politik? Kjo ishte një enigmë e madhe në këto ditë të paqarta.

Udhëtimi natën për në Shipitullë te hallë Rabishe

Nuk qëndruam atë natë në fshat, por u nisëm për në fshatin Shipitullë ku kishim një hallë, hallën Rabishe,ishte motra e bacit Selman Lladrovcit.  Mendoj se bëmë mirë që u larguam, edhepse pati edhe njerëz që thonin që të mos iknim, por të rrinim aty ku ishim. Megjithatë, ne nuk kishim ndërmend të rrinim më gjatë, sepse gjykonim që të nesërmen do të duhej të luftonim me formacionet policore. Policia do të dërgonte djemë të rinj shqiptarë për na arrestuar. Duke qenë se ne nuk dorëzoheshim, atëherë duhej të luftonim dhe në këto luftime do të përfshiheshin edhe të tjerët. Këtë gjë ne s’e donim. Rezistenca jonë e kishte dimensionin e saj politik, të cilin duhej ta ruante me çdo kusht. Pse nuk lejonim të arrestoheshim? Arrestimin nuk e pranonim në rradhë të parë, sepse të arrestuarit trajtoheshin tepër keq. Në anën tjetër, edhe politikës serbe donim t’i tregonim se situata ka ndryshuar tashmë. Nëse ata vazhdojnë të na godasin, duhet të përgatiten edhe për të marrë goditje. Në Kosovë nuk do të ketë vetëm kërkesa politike, por edhe rezistencë të armatosur. Lufta politike tani do të kishte dhe elementë të tjerë. Shqiptarët duhej ta shfrytëzonin momentin historik dhe ta përshkallëzonin aktivitetin e tyre politik.Duke qenë se rrugëve të asfaltuara nuk mundë të lëviznim me siguri, ndoqëm rrugë të tjera, të sigurta, të cilat nuk i njihnim as vetë, prandaj kishim nevojë për ndihmën e dikujt që e njihte mirë terrenin. Kusheriri im Hamzë Lladrovci qe ishte plagosur ne demostraten e 31 janarit ne Drenas na çoi në Shipitullë te hallë Rabishja përmes  fshatrave Godanc, Dritanit dhe Grabovc.

*******************************************

Shkrimi botohet nga redaksia pa ndërhyrje.

ARTIKUJ TË LIDHUR
- Advertisment -spot_img

U lexua shpesh

- Advertisment -spot_img