🖊️ Profesor Xhemajl Kolgeci
Titulli i vëllimit poetik “Të dua Kosovë kështu siç je” na paralajmëron se autori, Xhevat Kabashi, e do atdheun e tij – Kosovën – pa kushte, me të mirat dhe të këqijat që ajo ka. Atdheu është i pasur me bukuri natyrore, me toka pjellore, bjeshkë të larta, liqene dhe qytete të mrekullueshme, por në shoqërinë tonë, gjithashtu, hasen edhe dukuri negative si paragjykimet, zakonet prapanike, krimi, varfëria dhe keqpërdorimet. Poeti e do Kosovën ashtu siç është, duke e përshkruar realitetin pa maska dhe duke e pranuar gjithçka që ajo përfshin.
Libri është i ndarë në katër pjesë të ndërlidhura, ku secila pasqyron një tematikë të veçantë:
- Poezi me tematikë shoqërore
- Fëmijët janë drita jonë
- Qytete e fshatra
- Bukuritë natyrore dhe stinët e vitit
Libri hapet me poezinë që mban edhe titullin “Të dua Kosovë ashtu siç je”:
“Pas shumë vitesh vendi ynë
Nuk e gëzon tamam lirinë,
Për vendin tonë atje n’Veri
Bandat thonë se është Serbi.”
Në këtë poezi, autori shpreh shqetësimin e tij për situatën në veri të Kosovës, e cila, në kohën kur janë shkruar këto vargje, ishte e destabilizuar nga bandat serbe që bllokonin rrugët dhe kërcënonin sigurinë e qytetarëve.
Xhevat Kabashi është gjithashtu i brengosur për sigurinë e vendit dhe të qytetarëve të tij, siç shprehet edhe në poezinë “Siguria e vendit”.
Në shumë poezi, autori kthehet në të kaluarën dhe përshkruan ngjarje që kanë lënë gjurmë të thella në kujtesën e tij. Ai e përshkruan me dhimbje dëbimin e shqiptarëve nga shtëpitë e tyre, përpjekjet për të kaluar kufirin, për t’iu shmangur urisë, plumbave dhe predhave të armikut të egërsuar.
Në poezinë “Ishte kohë tepër e trishtë”, ai shkruan:
“Radhët e gjata s’dukeshin me sy,
Kishte gra, pleq e fëmijë,
Rrugë e lodhshme me frikë,
Ecnin me ankth natë e ditë.”
Në poezinë “Përparim shumë i ngathët”, autori kritikon zhvillimin e ngadaltë të vendit edhe pas shumë vitesh nga çlirimi, duke shprehur dëshirën për ndryshime më të prekshme dhe më të shpejta:
“Kaloi kohë e shumë vite,
Kishim krejt tjera pritje,
Ky ndryshim shumë i ngathët
E bën shpresën tepër t’paktë.”
Autori përqendrohet gjithashtu në kritikën ndaj atyre që gënjejnë dhe mashtrojnë, duke e konsideruar këtë një fenomen shkatërrues që pasuron individët, por dëmton shoqërinë.
Në poezinë “Racizëm edhe në sport kanë”, Kabashi flet për racizmin dhe dhunën që shfaqen në ndeshjet e futbollit, ku tifozët dhe lojtarët serbë nuk ngurrojnë të tregojnë përçmim të hapur ndaj shqiptarëve:
“Janë dinak kaherë e dimë,
Janë ata që vranë e grinë.”
Poezitë e Kabashit trajtojnë edhe politikanët ndërkombëtarë, si Borelli, Lajçaku dhe K. Hill, të cilët shpesh janë të njëanshëm dhe mbajnë anën e serbëve, pavarësisht krimeve të kryera gjatë luftës. Autori shpreh një zhgënjim të thellë për këtë papërgjegjshmëri ndërkombëtare, duke përdorur fjalë të forta për ta kritikuar këtë qëndrim.
Një tjetër temë e qëndrueshme në vëllimin poetik është dashuria dhe respekti për nënën dhe për nënat në përgjithësi. Kabashi përshkruan sakrificat dhe vuajtjet e pafundme të nënave, të cilat kanë kaluar përmes kushteve të ashpra për të siguruar mbijetesën e familjeve të tyre. Tema të tjera të pranishme janë kurbeti, dashuria, frikacaku, i ligu etj.
Në pjesën e dytë, libri fillon me poezinë “Fëmijët janë drita”, ku autori përshkruan pafajësinë dhe pastërtinë shpirtërore të fëmijëve. Ai shpreh brengën për vuajtjet që ata kanë përjetuar në të kaluarën, duke u detyruar të ecin kilometra të tëra për të shkuar në shkollë në dimër, përballë acarit dhe borës. Kabashi shkruan gjithashtu për ëndrrat e fëmijëve, të cilët shpresojnë të bëhen ushtarë, mjekë, arkitektë etj.
Në poezinë “Sa durim që ka gjyshi”, autori pasqyron një skenë të dashur familjare, ku gjyshi i jep mbesës së tij shumë kohë e durim për të përmbushur dëshirat e saj në lojërat e shumta. Ky është një akt dashurie dhe përkujdesjeje, një temë e thellë që ndërthuret me kujtimet e fëmijërisë.
Në pjesën e tretë, Kabashi shpreh dashurinë për Kosovën, duke pasqyruar pasuritë e saj natyrore dhe historinë e dhimbshme të popullit shqiptar. Ai flet për qytetet e Kosovës dhe Shqipërisë, duke nisur nga “Theranda ime”, ku ai kaloi një pjesë të rinisë, e duke vazhduar me Prizrenin, Pejën, Kukësin, Tiranën, Shkodrën e qytete të tjera. Po ashtu, ai shpreh dashuri edhe për qytetet e Zvicrës, si Lucerni dhe Cyrihu, të cilat kanë bukuri të jashtëzakonshme. Autori, Xhevat Kabashi, për një kohë të gjatë ka jetuar dhe punuar në Zvicër.
Një poezi e veçantë është “Shqipëria ime”, ku autori shpreh krenarinë dhe dashurinë e tij për shtetin amë:
“Sa krenar me ty që jemi,
Shteti amë, lum ne që t’kemi,
Ti që ke më t’bukurin emër,
Shqipëri, të duam me zemër.”
Në fund, në pjesën e katërt, autori përshkruan jetën në fshat dhe punët bujqësore. Ai ofron një pasqyrë të përditshmërisë fshatare, ku burra e gra punojnë pa u lodhur për të siguruar ushqimin dhe mbijetesën e familjeve të tyre. Përshkruhen gjithashtu momente të qeta e të natyrshme, si pushimi i deleve në mriz, nën hijen e lisit të madh. Libri përmbyllet me poezi kushtuar stinëve dhe muajve të vitit, duke vënë në pah veçantitë që secila prej tyre mbart.
Ky vëllim poetik është një pasqyrë e dashurisë së thellë që Xhevat Kabashi ka për atdheun e tij, për familjen dhe historinë e popullit shqiptar. Ai shkruan me emocion dhe me një ndjenjë të fortë patriotizmi, duke pasqyruar gjithashtu ndërgjegjësim të lartë për realitetin dhe sfidat që qëndrojnë përpara Kosovës dhe popullit të saj.

Xhevat Kabashi