Gjurmë në shpirtin e poetit
U botua libri i shtatë me radhë i poetit tonë të mirënjohur, Xhevat Kabashi, “Malli që nuk shuhet kurrë”, me nëntitullin “Vargje që flasin me zemër”. Është një vëllim me poezi të larmishme, të dala nga shpirti i poetit, i cili ka përjetuar shumë gjëra në jetë: punë të shumta që nga mosha fëmijërore, përndjekje, burgosje politike, emigrim etj.
Libri është i ndarë në katër pjesë:
- Shtegtim nëpër dhembje e lavdi,
- Në krahët e ëmbëlsisë,
- Çdo gjë në sfondin blu,
- Tregime të shndërruara në vargje,
- Të huajt na vlerësojnë lart.
Poeti Xhevat Kabashi na sjell kujtime të ëmbla dhe mbresëlënëse përmes vargjeve të thurura bukur, me ritëm e rimë. Edhe në këtë vëllim poetik, Kabashi i përkujton bijtë e kombit që u vranë në luftë dhe morën epitetin e pavdekshëm të dëshmorit dhe heroit. Shkruan gjithashtu për gruan, si gjënë më të mirë që ka falur Zoti, për dashuritë e të rinjve dhe për dashurinë e vërtetë, të sinqertë.
Çdo poezi shoqërohet me fotografi, të cilat flasin shumë dhe e mallëngjejnë lexuesin. Libri hapet me poezinë “Gruaja shqiptare”, ku përmenden gratë shqiptare, që nga mbretëresha Teutë, Nora e Kelmendit, Shote Galica dhe Xhevë Lladrovci.
Poeti, me mall, dashuri dhe emocione, shkruan për atdheun e tij, si bekim për të cilin u flijuan dhe u sakrifikuan qindra mijë djem e vajza ndër shekuj. Poezia “Atdheu është bekim”:
“Madhështinẽ e atdheut
Të gjithë duhet ta dinë
Është një dhe i vetëm
Atdheu është bekim”.
Poeti, me një mallëngjim dhe dashuri, shkruan vargje edhe për arvanitasit trima që “trashëgim e kishin nga lashtësia”.
Poezia “Këmbët ia fali atdheut” është një homazh i shkurtër, por emocionalisht i ngjeshur, për një njeri që ka sakrifikuar pjesë të trupit të tij për atdheun në luftën në Ukrainë. Vargjet paraqesin një kontrast të fortë midis ditëlindjes – një dite që zakonisht lidhet me gëzim – dhe realitetit të dhimbshëm të humbjes si plagë e luftës.
Figura qendrore vendoset si një hero i thjeshtë, një “burrë, prind i urtë”, që nuk ka kursyer asgjë. Dhimbja njerëzore tëllohet përmes detajeve si buqeta me lule e bashkëshortes dhe vajza e vogël që “në vaj është tretë”, duke e zhvendosur fokusin nga heroizmi te drama familjare. Në fund, përshkrimi i pushtuesit si “i egër e i pashpirt” krijon sfondin moral të sakrificës së tij.
Poezia “Dëshmori Naim Kluna” është një himn i shkurtër kushtuar dëshmorit Naim Kluna, ku ndërthuren krenaria, dhimbja dhe mirënjohja për sakrificën e tij. Vargjet janë të ndërtuara thjesht, me gjuhë të drejtpërdrejtë, por emocionalisht të ngarkuara.
Figura e Naim Klunës paraqitet si simbol qëndrese dhe trimërie, i pavdekshëm në bronz përmes shtatores që zgjon “ndjenjë krenarie”. Poezia thekson lidhjen mes brezave, veçanërisht përmes vajzës së tij, Qëndresës, e cila shfaqet si pasuese e vlerave dhe e kujtesës së babait. Emri i saj bëhet metaforë e qëndrimit të patundur, duke reflektuar jetën dhe flijimin e dëshmorit.
Vargjet e fundit përcjellin idenë e pavdekësisë:
“Trimi Naim Kluna
Nuk do të vdesë kurrë
Shumẽ këngë trimẽrie
Populli do t’i thurë”.
Poeti i kushton një poezi edhe “Luftëtarit të panjohur”. Ai lufton kudo, në male e fusha, dhe “Me gjakun e tij shkruhen poezi”. Ky trim i panjohur është një frymëzim, një dritë që nuk shuhet.
Poeti përmes vargjeve të tij kujton edhe ata që luftuan para një shekulli, në vitin 1913, si Sali Shabani, i cili “nxori hakun” për 100 burrat e Kabashit të vrarë në kishën lart mbi fshat:
“Në kishë të Kabashit
Në atë stinë të motit,
U masakruan të gjithë
Burrat e Kabashit”.
Përveç dëshmorëve të lartcekur, autori i kushton poezi edhe këtyre dëshmorëve: Jonuz Zenelit, heroit Bahri Gallapenit, Myderrizit Haki Sermaxhaj, Xhevat Nezir Nebihit, Ruzhdi Veliut, Jonuz Zejnullahut dhe heroit Rexhep Halimit.
Në pjesën e dytë të librit, poezitë janë lirike dhe fillojnë me poezinë “Arvanitase e bukur”. Autori portretizon bukurinë e arvanitases me “shtatin si selvi” dhe trimin me veshje luftëtari. Ata kanë një tërheqje fizike të menjëhershme dhe trimi i kërkon bukuroshes që të jetë e tij. Pas një dialogu, vajza i përgjigjet:
“Dashurinë e singertë
E lejon edhe Perëndia
Ti o trim betejash
Seç m’i more mend e mia”.
Poezia “E duam të bukurën” është një reflektim i thjeshtë dhe i kapshëm mbi konceptin e së bukurës, duke e paraqitur atë si diçka tërheqëse, por njëkohësisht të brishtë dhe tekanjoze. Struktura është e qartë, me vargje të shkurtra dhe ritëm popullor.
Autori flet për vetminë, e cila “flet në heshtje për dhimbjen”; flet me tokën, me malet, me gurët, për mallin “që nuk shuhet asnjëherë”.
Edhe në këtë vëllim, autori i kthehet jetës idilike, natyrës, lumit, ujit të kristaltë. Në poezitë e tij, vajza flet me hënën buzë liqenit, e cila e pyet për të dashurin e saj që ka ikur larg në mërgim. Edhe baresha me bukuri të rrallë dhe qengjin në krah është prezente në poezitë e këtij vëllimi.
Poezia “Ç’më zuri belaja” rrëfen me ton të thjeshtë dhe të rrjedhshëm një histori dashurie të ndërtuar në formë tregimi. Takimi i rastësishëm shndërrohet në pëlqim të menjëhershëm – një dashuri spontane që nis nga një shikim. Konflikti lind kur zbulohet se vajza është e fejuar me dikë tjetër, por e braktis atë për dashurinë e vërtetë.
Disa poezi janë krijuar në bazë të tregimeve dhe anekdotave popullore, të cilat poeti i ka quajtur “Tregim i shndërruar në vargje”. Poezi të tilla janë: “Nusja e fshatit”, “Pulat e komshiut”, “Për vete e ke” etj.
Gjuha e përdorur është e thjeshtë dhe e kuptueshme; vargjet rimohen natyrshëm dhe shoqërohen me metafora, krahasime e personifikime.
Ky vëllim i poetit Xhevat Kabashi është një udhëtim emocional përmes kujtimeve, sakrificës, dashurisë dhe bukurisë. Lexuesi ndjehet afër përjetimeve njerëzore dhe historisë së një populli.
Autorit, Xhevat Kabashit, i urojmë shëndet dhe suksese të tjera në rrugëtimin poetik.
Nga profesori Xhemajl Kolgeci


