Përmbledhja poetike “Sytë e Diellit” e autorit Xhevat Kabashi përbën një homazh të ndjerë dhe të fuqishëm për dëshmorët e kombit, për luftën heroike të UÇK-së dhe për figurat më të ndritura të historisë shqiptare. Poezitë e këtij libri janë një thirrje shpirtërore, një përkulje para atyre që flijuan gjithçka për lirinë, për identitetin dhe për të ardhmen e këtij populli.
Në vargjet e tij, autori i jep zë historisë sonë, duke nisur nga figurat e mëdha të së kaluarës së lavdishme kombëtare si Hasan Prishtina, Bajram Curri, Haxhi Zeka, Idriz Seferi, Isa Boletini, e deri te personalitetet e rezistencës moderne si Adem Demaçi, Ukshin Hoti e të tjerë, që i dhanë frymë qëndresës së popullit shqiptar në kohët më të vështira.
Këto poezi i kushtohen jo vetëm emrave të mëdhenj, por edhe të gjithë atyre burrave e grave që kontribuuan, luftuan dhe u sakrifikuan për çështjen tonë kombëtare — për një atdhe të lirë, ku gjuha, kultura dhe historia jonë të mos jenë më të ndaluara apo të mohuara.
Populli shqiptar për shekuj me radhë vuajti robërinë e pushtuesve të huaj. Perandoria Osmane sundoi mbi 500 vjet, ndërsa pas vitit 1912 Serbia vazhdoi me një politikë shtypëse dhe asimiluese. Shqiptarëve u mohohej identiteti, duke u quajtur “turq” që duhej të shpërnguleshin drejt Anadollit. Madje, Serbia kishte hartuar dhe nënshkruar dy marrëveshje ndërshtetërore me Turqinë për dëbimin masiv të shqiptarëve nga Kosova.
Libri hapet me poezinë kushtuar komandantit legjendar Adem Jashari, figurë kyçe e luftës për çlirim, i cili me vetësakrifikimin e tij dhe të gjithë familjes la një shembull të pavdekshëm heroizmi. Autori e përshkruan me ndjenjë të thellë atë burrë të madh, me fjalë të zgjedhura, por që, siç theksohet në vargjet e tij, nuk mjaftojnë për të përshkruar madhështinë e tij:
“Nuk ka letër që i zë
Çfarë ti bëre për këtë vend,
Trim i trimave ti Adem,
E vështirë t’i shkruaj kjo penë.”
Autori i kushton tri poezi heroit Adem Jashari. Në njërën prej tyre, “Në sytë e tij dukej liria”, përshkruhet me emocione të forta dhimbja për humbjen e familjes, por edhe vendosmëria për lirinë e atdheut:
“Është i yni Adem Jashari
Emri i tij me shkronja ari,
I dha të gjitha për liri
Prindër, vëllezër dhe fëmijë.”
Në poezinë “Djemtë e luftës”, Kabashi paraqet realitetin e zymtë të shqiptarëve nën regjimin serb, ku dhuna, represioni dhe terrori ishin të përditshme. Ai përshkruan durimin e gjatë të popullit dhe shpërthimin e natyrshëm të revoltës, si kushtrim i një zemërimi të akumuluar ndër shekuj:
“Shumë e rëndë qe paralufta,
E zymtë jeta e zezë si futa,
Gjithkund kishte dhunë,
Vallë durimi do ketë fund?!”
Më pas, autori ua kushton poezi edhe dëshmorëve nga fshati i tij i lindjes, Mushtisht, dhe zonës përreth, përfshirë Kadri Kokollarin (i vrarë në korrik të vitit 1998), Azem Behlulin, Bafti Shalën, Gazmend Aliun, Ali Bytyçin e të tjerë, duke ua përjetësuar emrin në kujtesën kolektive:
“Për lirinë që e kemi sot
Ju kujtojmë për jetë e mot,
Rrugë e shkolla anë e mbanë
Emrin tuaj do ta mbajnë.”
Nëpërmjet kësaj përmbledhjeje poetike, Xhevat Kabashi jo vetëm që nderon të rënët, por krijon një urë të fuqishme ndërmjet historisë dhe brezave të rinj, duke përcjellë mesazhin se liria nuk është dhuratë, por një çmim i paguar me gjak dhe sakrificë. Poezitë e tij janë fjalë të shpirtit dhe të gjakut, që ngrihen si zëra të përjetshëm në altarin e atdheut.
Përmbledhja poetike “Sytë e Diellit” vazhdon me poezi të fuqishme, të cilat i kushtohen bijve dhe bijave më të mirë të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare: djemve dhe vajzave të guximshëm, atdhetarë, të devotshëm, që ranë në fushat e betejave për lirinë e kombit.
Autori Xhevat Kabashi, përmes vargjeve të tij, përkujton me respekt dhe nderim dëshmorë të njohur si: Fehmi e Xhevë Lladrovci, Zahir Pajaziti, Abedin Rexha (“Sandokani”), Indrit Cara (nga Kavaja, Shqipëri), Tahir Sinani (Tropojë), Ismet Jashari – Kumanova, Bekim Berisha – Abeja, Myrvete Maksutaj, Xhemajl Rexha, Xhavit Bajraktari, Fetah Gega, Ganimete Gjylani, Hyr Q. Emini, Sadik Bega, Driton Islami, si dhe vëllezërit Tomë e Zef Gjokaj, Zaim Muqa, Kolë Mirdita, Safet Elshani, Artan Zymberi, Haqif Kadriaj, Fitush Kukaj, Gjeneral Shaban Shala, Murat Kadriaj dhe tre vëllezërit Mentor, Menhend dhe Menderis Dervishaj. Ai nuk harron as Leotrimin e vogël, fëmijën që u bë simbol i flijimit të hershëm për liri.
Të gjithë këta emra, dhe shumë të tjerë, përjetësohen në këtë vepër si heronj të pavdekshëm që sakrifikuan gjithçka për atdheun.
Në mënyrë të veçantë, autori i kushton vargje edhe Mbretëreshës Teutë, duke e kujtuar si një figurë madhështore të lashtësisë ilire, kohë kur ilirët shtriheshin përtej Gadishullit Ballkanik dhe Perandoria Ilire kishte një kulturë të pasur, që shërbente si model për popujt e tjerë evropianë të asaj kohe.
Në vargjet e tij, Kabashi gjithashtu përkujton me krenari figurat heroike të rezistencës shqiptare gjatë historisë:
– Azem e Shota Galica, që luftuan pa pushim kundër forcave serbe;
– Oso Kuka, trim i Malësisë që u flijua për t’i shpëtuar tokat shqiptare nga pushtimi;
– Sali Shabani, i cili mori hak për 100 burrat e vrarë në kishën e Kabashit;
– dhe Avni Rrustemi, i cili vrau tradhtarin Esat Pashë Toptani në mes të Parisit, për të shpëtuar Shqipërinë nga copëtimi dhe pushtimi i mëtejshëm serb.
Një pjesë e rëndësishme e përmbledhjes i kushtohet dhimbjes dhe plagëve të luftës: masakrat e kryera nga forcat serbe ndaj civilëve shqiptarë, shpërnguljet dhe dëbimet masive (të përshkruara si “golgota shqiptare”), si dhe plagosjet e rënda – tani invalidë të luftës – që mbetën pa gjymtyrë, por jo pa dinjitet.
Në poezinë e ndjerë “Këmbët ia fala atdheut”, autori përcjell në mënyrë të thellë dhe prekëse ndjenjat e një luftëtari që, edhe pse ka humbur shumë, e ndjen krenarinë për pjesëmarrjen në luftë:
“S’qe e shkruar të jap më shumë,
Shokët dhanë më tepër se unë,
Për atdheun e për lirinë,
Shokët fituan pavdekësinë.”
Poezia “Fehmi dhe Xhevë Lladrovci” nga Xh. Kabashi është një himn i ndjerë për dy figura të shquara të luftës çlirimtare, të cilët jo vetëm që luftuan për liri, por e bënë këtë si bashkëshortë, shokë ideali dhe luftëtarë të paepur, duke shënuar një rast të rrallë në historinë kombëtare dhe më gjerë.
Autori i vendos ata në rrafshin më të lartë të sakrificës dhe heroizmit, duke i krahasuar me figurat legjendare të Azem e Shotë Galicës. Ata janë luftëtarë të vendosur, të pandarë në çdo betejë, që nga lufta në Kroaci deri te përballjet e ashpra në Kosovë, ku dhanë jetën për atdheun e tyre.
Motivet kryesore janë: dashuria për atdheun, bashkimi i burrit e gruas në luftë, sakrifica dhe pavdekësia e dëshmorëve. Autori i përjetëson ata me nderim të thellë, duke theksuar se emrat e tyre do të qëndrojnë në mermer, në shkolla, në rrugë dhe në zemrat e brezave të ardhshëm:
“Nuk do t’vdisni asnjëherë
Do t’ju kemi në mermer.”
Kjo poezi është një shembull i rrallë i përfaqësimit të gruas dhe burrit si të barabartë në ideal dhe në flijim, çka e bën atë të veçantë në letërsinë patriotike shqiptare.
Vargjet në këtë vëllim poetik janë të thjeshta, të qarta dhe me një ritëm të natyrshëm, që përforcon emocionin e lexuesit.
🖊️ Nga Prof. Xhemajl Kolgeci

Xhevat Kabashi