spot_img

Në 44 vjetorin e rënies se Tahir e Nebih Mehës

Shkruan: Imer Xhemail Lladrovci

Pushka e Tahir e Nebih Mehës shkrepi në një moment të rëndësishëm historik

Me 13 maj 1981 një ekspeditë policore federative jugosllave ku bënin pjesë edhe pjestarë të policisë kosovare iu drejtua Prekazit. Prekazi nuk ishte gjeografikisht larg Prishtinës, por si mendësie ai i përkiste një bote tjetër. Caku ishte familja e Tahir Mehës: synohej arrestimi i tij me një arsyetim banal. Arsyeja e vërtetë mbahej e fshehur nga policët që ishin caktuar të merrnin pjesë në aksion dhe nga publiku i gjerë kosovar. Shkaku i vërtetë ishte se Tahir Meha nuk e përfillte fare Jugosllavinë si shtet. Duke qenë nip i Emin Latës, bashkëluftëtarit të Azem Bejtës, ai bëhej edhe i rrezikshëm, sepse refuzimi i tij kishte një interpretim politik nga masa shqiptare. Babai i tij, Nebih Meha e kishte vazhduar rrugën e babai të tij Emin Lata dhe kishte luftuar në arradhat e Shaban Polluzhës. Nė këtë perspektivë shikuar, ai na dilte një nacionalist i thekur që krijonte një disponim armiqësor ndaj Jugosllavisë, respektivisht Serbisë. Këto gjëra i dinin mirë UDB-ja dhe KOS-i si pasardhëse të OZNA-së, që atë ditë e festonte përvjetorin e lindjes së saj. UDB-ja dhe KOS-i donin një kurban dhe familja e Tahir Mehës ishte zgjedhur për këtë flijim në altarin e Ministrisë së Brendshme të Jugosllavisë, por llogaritë, siç do të shohim, ishin bërë gabim. Urdhëri për këtë aksion i kishte dhënë vetë ministri federativ i Punëve të Brendshme, Franjo Hërleviqi ( Franjo Hrljević). Me këtë akt, që hamendësohej se do të kryhej me sukses, Hërleviqi donte t’i dhuronte një trofe lufte ministrisë së tij. Hërleviqi kishte thënë se po shkonin për ta arrestuar një nacionalist shqiptar, por në fakt si ishte nisur për ta vrarë Tahir Mehën dhe poshtëruar familjen e tij. OZNA qe themeluar 37 vjet më parë, më 13.05. 1944, kurse një ditë më vonë Aleksandar Rankoviqi (Aleksandar Ranković) qe zgjedhur si shef i saj. OZNA dhe pasardhset e saj, UDB-ja dhe KOS-i, kanë luajtur një rol qendror në shtypjen e shqiptarëve pas vitit 1944, mjafton të kujtojmë vetëm Aksionin për Mbledhjen e Armëve të vitit 1956 për të kuptuar represionin e nismuar dhe kontrolluar nga ministria e Hërleviqit. Policët federativë nuk po shkonin në Prekaz në një aksion të zakonshëm, por në një mision të hamendësuar të madh jugosllav për t’i dhënë një goditje nacionalizmit shqiptar. Atë pranverë qenë mbajtur mijëra mbledhje me popullin, të cilit i qe thënë se nacionalizmi dhe irredentizmi shqiptar e kishte goditur fort Jugosllavinë me demonstratat e tij. Por aktivistët politikë serbë që përgjithësisht hedhtnin nuk ishin shumë entuziastë me reagimin e masës shqiptare. Masa shqiptare dëgjonte me vëmendje, por në përgjithësi nuk fliste dhe as s’i shante demonstratat. Këta njerëz kryeneq duhej të ndienin goditjen e ftohtë të shtetit që të mbusheshin mend, ishte bindja e patundur e serbëve që punonin për shtetin. Pikërisht për këtë qëllim po shkonin policët në Prekaz, për t’u treguar shqiptarëve se shteti serb ishte më i fortë se ata. Ndeshja me Mehajt u tregoi atyre se epërsia ishte thjesht momentale, por jo e gjithëkohshme. Familja Meha, siç u tha më parë, kishte luftuar me armë në dorë në luftën e Azem Bejtës me Emin Latën, në atë të Shaban Polluzhës me Nebih Mehën dhe, më vonë, do të luftonte në luftën e UÇK-së, me dëshmorin Beçir Meha, kurse në vitin 1981 në front do të hidhej vetë Tahir Meha me të atin Nebih Meha, për të cilin lufta kundër serbëve dhe shërbëtorëve të tyre, Franjo Hërleviqi ishte kroat nga Bosnja, ishte vazhdimi i një lufte të mbetur në mes. Në vitin 1945 Shaban Polluzha ishte vrarë, por s’ishte thyer. Nebih Meha atëbotë kishte shpëtuar gjallë, por atë ditë do të vritej duke e mbrojtur shtëpinë e tij konkretisht, por në një rrafsh tjetêr simbolik, ai po e mbronte shtëpinë shqiptare.

Shkurt, aksioni s’ishte aspak i thjeshtë dhe i parrezikshëm. Franjo Hërleviqi e dinte mirë këtë gjë, ndaj dhe ishte përgatitur për një aksion të tillë hakmarrje që do të paraqitej nga jashtë si aksion në mbrojtje të Jugosllavisë, por nga brenda ishte krejt diçka tjetër. Shovinistët serbë sinjalizoheshin se nuk ishte harruar armiku i tyre: nacionalizmi shqiptar. Aksioni në thelb ishte konceptuar si një aksion hakmarrjeje për ngjarjet politike të asaj pranvere. Rreth dy muaj më parë në Prishtinë studentët shqiptarë ishin hedhur në demonstratë. Me 11 mars të vitit 1981 filloi një revolucion i madh politik në Kosovë, të cilit këto ditë i kushton një libër protagonisti i kësaj kohe, ish kryeministri i Kosovës, dr. Bajram Kosumi, një libër që titullohet „Revolucioni 1981“ Libri është një vëzhgim dhe shqyrtim analitik të fakteve të këtij momenti të rëndësishëm historik kur po ndodhte një kthesë e madhe historike. Pas marsit të vitit 1981, erdhi prilli i shqetësuar që përfshiu pothuajse të gjitha qytetet e Kosovës me demonstrata masive. Protestat ishin me të vërtetë popullore. Grupet ilegale të kohës u habiten nga ky masivitet. Ishte një rast kur ata e zbuluan popullin e tyre. Këto demonstrata ishin në vazhdën e demonstratave të vitit 1968, por ishin ndryshe, sepse konteksti historik ishte krejt tjetër. Për herë të parë kërkesa për republikën e Kosovës u vu në qendër dhe nuk u hoq më kurrë nga rendi i ditës derisa u bë realitet, të cilin ne sot e jetojmë, një pjesë e njerëzve tanë pa i njohur mirë rrënjët e këtij shteti.

Në vitin 1968 ishte ende herët për kërkesën për republikën e Kosovës. Në këtë vit, shqiptarët sapo ishin çliruar nga terrori rankoviqist ( 1945-1966) dhe Kosova ishte ende pa autonomi politike, një zonë që politikisht kishte statusin e një obllasti të Serbisë. Kosova ende s‘e kishte statusin politik të krahinës autonome dhe nuk e kishte kushtetutën e saj. Shkurt, politikisht kjo kërkesë për republikën që u bë thelbi i vitit 1981 në këtë vit nuk mund të bëhej. Në fakt u bë si kërkesë, por shpejt u zhduk nga vëmendja e përgjithshme. Ndoshta, pse ende s’kishte ardhur koha e saj. Historianët tanë një ditë do t’i zbulojnë arsyet e vërteta për këtë heshtje. Kosovës i mungonin në këtë kohë shumë gjëra. Politika duhej bërë hap pas hapi, me krye dhe jo me bark. Megjithatë, në këto demonstrata u bë një gjë e rëndësishme, sepse në qendër të tyre u vendos kërkesa për flamurin kombëtar dhe kjo kërkesë u pranua. Gjashtë vjet më vonë ndryshoi edhe statusi politik i Kosovës, kurse në vitin 1970 u themelua Universiteti i Prishtinës. Me një universitet në gjuhën shqipe dhe me një status të ri politik, Kosova bëri hapa të mëdhenj që do të kenë rrjedhoja të rëndësishme për fatin e mëtejshëm politik të saj. Që në Jugosllavi kishte popuj që shtypeshin për arsye të përkatësisë së tyre etnike, këtë gjë s‘e dinte bota. Jugosllavia kishte fituar në botë imazhin e një shteti harmonik ku gjithçka zgjidhej sipas arsyes politike. Ende sot Serbia përfiton nga kjo politikë e Titos në botë. Megjithatë, Jugosllavia nuk ishte ashtu si mendonin një varg shtetesh në botën e tretë, dmth. jashtë dy bllloqeve kryesore ushtarake dhe politike të Perëndimit dhe Lindjes. Demonstratat ishin mjeti më i mirë për t‘i shpallur disa të vërteta të hidhura, të cilat politika i mbante nën rrogozë. Dhe pikërisht kjo ndodhi në vitin 1981. Ky vit ishte vit i kthesës së madhe. Faik Konica thotë se „puna duhet të vlerësohet më lartë se trimëria“. Pa punë nuk ndodh asgjë, por në konceptet bashkëkohore puna nuk mund të ndahet nga trimëria. Unë them se edhe trimëria është një formë e veçantë e punës, punë që nuk mund ta bëjë secili, por përsëri nuk del jashtë linjave të saj. Shpesh ndodh që puna e madhe shkon poshtë për shkak të mungesës së një akti të vetëm trimërie. Trimëria e Tahir Mehës dhe e babait të tij plak Nebih Meha ishte e tillë. Ajo e kristalizoi punën e madhe të studentëve dhe grupeve ilegale shqiptare.

Them se trimëria i shpëton kombet dhe mungesa e saj i gremis.

Ujin mund ta mbajmë gjatë në 99 gradë të nxehtë, por ai vlon vetëm kur temperatura e tij arrin 100 gradë Celzius. Trimëria, sipas mendimit tim, e përmbyll një pumë të mbarë. Pa këtë akt final, mundi i një brezi apo i brezave të tërë shkon kot. Në historinë e kombeve dhe të shkencës hasim plotë raste kur proceset nuk përmbyllen mirë, sepse sasia nuk kthehet në cilësi. Në këtë kuptim mendoj se lufta e arvanitasve në Greqi, pjesëmarrja e arbëreshëve në luftën e Garibaldit në Itali, pastaj pjesëmarrja e shqiptarëve në kryengritjen serbe dhe maqedonse nuk duhet parë si momente rastësie, por si anë karakteriale e popullit tonë.

Në aksionin policor kundër Tahir e Nebih Mehës që filloi rreth orës 10:00 dhe përfundoi rreth orës 22:00 me vrasjen e Tahir e Nebih Mehës, u vranë edhe ata që e rrethuan: policët. Ata që e kanë vëzhguar nga afër këtë perleshje thonë se ishte një atmosferë e vërtetë lufte. Në mediat e asaj kohe u tha se u vranë 4 policë dhe 3 të tjerë u plagosën. Vite më vonë u mësua se në këtë aksion qenë vrarë 9 policë dhe 2 të tjerë qenë plagosur.

Vrasja e Tahir e Nebih Mehës bëri jehonë të madhe në atë kohë në Kosovë. Shteti u përpoq që rastin ta paraqiste si një ndërhyrje jopolitike, si një formë të përpjekjes për të vënë rend publik, mirëpo në popull kjo propagandë s’u besua fare. Mendoj se qëndresa e Tahir Mehës dhe e të atit duhet të ketë lënë mbresa të pashlyeshme në shpirtin kryengritës të Adem Jasharit, i cili në vitin 1991 dhe në vitin 1998 e vazhdoi epopenë e Tahir e Nebih Mehës në një formë edhe më mbresëlënëse, përderisa gjithë familja e tij mori pjesë në vetëmbrojtje.

Vrasja e Mehajve në vitin 1981 dhe ajo e Jasharëve në vitin 1998 kanë shumë pika të përbashkëta. Politikisht të dyja këto raste lidhen me situatën e përgjithshme politike në Kosovë. Në vitin 1981 vrasja e Tahir e Nebih Mehës nuk shkaktoi kryengritje të përgjithshme shqiptare, sepse Kosova ishte atëherë në një stad tjetër zhvillimi dhe situata ndërkombëtare nuk e favorizonte një gjë të tillë. Në vitin 1998 gjithçka ishte ndryshe. Jugosllavia e dikurshme, e Hërleviqit, si shtet nuk ekzistonte më dhe Beogradi politik me Millosheviqin (Milošević) në krye tregohej jobashkëpunues me faktorin ndërkombëtar. Politikisht Beogradi e kishte humbur tashmë luftën. Pritej thjesht vërtetimi në terren. Ish ministri i jashtëm i Jugosllavisë së Zhablakut, Vuk Drashkoviq ( Vuk Drašković) thotë se Millosheviqi e dinte se nuk mund ta mbronte Kosovën. Pastaj presidenti serb me aksionin e tij policor në Prekaz e kishte kaluar vijën e kuqe që ia kishte vënë presidenti amerikan Gjorgj Bush (George Bush) i vjetër qysh në fillim të viteve 1990.

Kosova në vitin 1998 ishte në luftë të hapur me Serbinë e vetmuar në nivel të Jugosllavisë dhe e izoluar në arenën ndërkombëtare. Shkurt, Gjithçka filloi në Prekaz dhe mbaroi po aty. Filloi në një kohë kur shiheshin shenja rënie të Jugosllavisë, por ajo ishte ende një faktor i rëndësishëm në arenën ndërkombëtare. Në vitin 1998 punët kishin ndryshuar me themel: Jugosllavia ishte e shtrirë për tokë, por ende e aftë për të dhënë goditjet e fundit. Për të më nuk mund të flitej më si për sëmurën e Ballkanit, por ende më keq, si për shtetin që ndodhej në shtratin e vdekjes.

Puna politike që u bë deri atëherë ishte e domosdoshme, por edhe trimëria e Tahir e Nebih Mehës dhe e familjes Jashari ishte vendimtare. Pa këto akte të trimërisë gjithçka do të kishte qenë ndryshe.

ARTIKUJ TË LIDHUR
- Advertisment -spot_img

U lexua shpesh

- Advertisment -spot_img