Shkruan: Imer Xhemail Lladrovci
Xhemajl Fetahajt një njeri që i dha kahje të re historisë sonë kombëtare
Me 17 janar të vitit 1982 Xhemajl Fetahaj i kthye vonë në shëpi nga një aksion ilegal ku kishte shkruar disa parulla në rrugë e në mure për Republikën e Kosovës. Ishte një natë e ftohtë dimri me acar, por me shumë pak borë. Demonstratat e Prishtinës dhe të mbarë Kosovës ende s’e kishin mbushur motin. Sapo kishte filluar viti, por ngjarjet e pranverës së kaluar kishin ndryshuar gjithçka në jetën e shqiptarit, ato kishin hapur horizonte të reja politike për brezin e tij. Xhemajli po e vazhdonte një punë që shumëkush e kujtonte të harruar, por ai e dinte se ishte një testament i përjetshëm atdhetar që e kishin lënë brezat e mëparshëm dhe nuk mund të shpërfillej më nga ky brez. Ai ishte ende shumë i ri, por jo aq i vogël sa për të mos e kuptuar faktin se vetëm çështja e lirisë së kombit të tij do të mund ta dinamizonte jetën politike. Për shqiptarët tashmë nuk kishte gjë më të rëndësishme se republika, për të gjithë shqiptarët. E hapi radion dhe pa se ajo po i jipte lajmet. Papritur dëgjoi një lajm të hidhur që e tronditi: lajmin për vrasjen e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës në afërsi të Shtutgartit ( Stuttgart) në Gjermani. Ishte një lajm jo dhe aq befasues, se ishte në logjikën e gjërave, që realisht priteshin, sepse ishte një luftë e hapur dhe e pakompromis, por përsëri këto rrethana nuk ia hiqnin idhtësinë këtij lajmi të keq. Ishin vrarë tre djem të rinj shqiptarë për idetë e tyre politike. Tronditja bëhej edhe më e madhe kur mendoje se Jusuf Gërvalla, më i vjetri ndër të vrarët, s’ishte më shumë se 36 vjeçar, kurse dy të vrarët e tjerë edhe më të rinj se ai: Bardh Gërvalla, vëllau i Jusufit, 31 vjeç, kurse Kadri Zeka edhe më i ri, 28 vjeçar. Po Xhemajl Fetahaj? Ai vetë ishte edhe shumë më i ri se ata, ende s’ishte njëzetvjeçar. Nxënës. Radio Prishtina që e jepte lajmin i referohej Tanjugut, agjensisë jugosllave të lajmeve që vrasjen e quante „qërim hesapesh mes nacionalistëve dhe irredentistëve shqiptarë“. I kishin vrarë me plumb, tani po i vrisnin me fjalë. Por Xhemajli e dinte intuitivisht se vrasjet politike kështu i paraqiteshin publikut: si mosmarrëveshje individuale që shkalllëzoheshin në konflikte të armatosura me epilog fatal. UDB-ja edhe të vriste edhe të paraqiste përgjegjës për krimin, sikur ajo s‘kishte pasur të bënte fare gjë me të. I binte sikur ata ta kishin vrarë veten, por e vërteta ishte krejt ndryshe. Për shpalosjen e saj, duhej të kalonin shumë vjet. Vetëm në një Kosovë të lirë, ajo mund të thuhej e plotë. Ky shtet, Jugosllavia, kishte nevojë për rrena dhe ato i përgatiste si donte vetë. Shqiptarët, për sa kohë shqiptarët do të rronin nën zgjedhën e jugosllave, ishin të shtrënguar ta dëgjonin edhe rrefimi shpifës për këtë vrasje, ta përballonin terrorin psikologjik të propagandës jugosllave. Këtë propagandë ndoshta e besonin të tjerët në Jugosllavi, por jo shqiptarët, të cilët e njihnin mirë situatën. Si shqiptar e kuptoje se ishte një hakmarrje për diçka të madhe që jugosllavët, dmth. serbët nuk mund ta ndryshonin dhe as takontrollonin. Jugosllavët mund t‘i vrisnin shqiptarët, por nuk mund ta kontrollonin vullnetin e tyre politik. Shqiptarët kurrë nuk kishin dashur të jenë pjesë e Jugosllavisë, as e asaj mbretërore dhe as e kësaj komuniste. Jugosllavia për ta ishte një shtet pushtues dhe pikë. Xhemajl Fetahaj u mërzit përsa dëgjoi, por, në anën tjetër, edhe e ndjeu veten krenar për faktin se për Kosovën njerëz të shquar ishin në gjendje edhe të vdisnin. Për të ky lajm ishte njëkohësisht edhe një mësim tragjik: puna për atdheun mund të kishte një fund tragjik. Atëherë nuk e dinte se edhe vetë po lëvizte në të njëjtin shteg. Edhe sikur ta dinte këtë gjë, ai nuk do të zmbrapsej kurrë.
Jugosllavia dhe UDB-ja e saj e shihte se shqiptarët po organizoheshin dhe vepronin politikisht gjithnjë e më mirë, ndaj dhe udhëheqës të tillë si Stane Dollanci ( Stane Dolanc) vendosën që t’i vrasin udhëheqësit e rinj shqiptarë. Vrasjet politike s‘i donte askush në Europë. Ato krijonin shumë armiq, të dukshëm e të padukshëm, por në këtë rast vrasja arsyetohej me arsye të mëdha shtetërore, si të thuash ishin një ultima ratio. Ndryshe, shumë shpejt Jugosllavia do të duhej të ndeshej me shqiptarët e bashkuar politikisht. Jusuf Gërvalla ishte një person shumë i talentuar. Shkrimtar, gazetar, këngëtar dhe një orator i madh, ai mund t‘i bashkonte shqiptarët. Ashtu edhe Kadri Zeka. Nëse nuk vriteshin tani, ata bëheshin tepër të rrezikshëm. Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka ishin takuar në Gjermani me qëllim që t‘i bashkërendonin punët e tyre dhe t’i bashkonin shqiptarët brenda e jashtë nën një flamur lufte. Në Kosovë pas ngjarjeve të marsit e prillit të vitit 1981 ishin krijuar dhjetra organizata ilegale që luftonin për realizimin e Republikës së Kosovës, kështu që interesit të shtuar për punë politike për republiken shqiptare në Jugosllavi i duhej një organizatë gjithpërfshirëse që e kanalizonte këtë energji të madhe politike. Këtë imperativ historik e ndjenin në mënyrë dramatike këta atdhetarë të ilegales, kështu që ishin ulur për t’i hulumtuar rrugët e bashkimit. Si koncept, bashkimi duket i thjeshtë, por në praktikë është tepër vështirë të arrihet. Xhemajl Fetahaj atëbotë ishte shumë i ri për t‘i kuptuar punët e ndërlikuara të organizimit politik në kushtet e dhe obstruksionit perfid të policisë politike jugosllave, por e ndiente se unifikimi i forcave politike shqiptare s’ kishte alternativë. Njerëzit që kishin të njejtin qëllim politik, duhet të ishin bashkë, në një organizatë, jo të ndarë, arsyetonte ai me të drejtë. Më vonë, pas 17 janarit të vitit 1982, Xhemajl Fetahaj, për çdo vit derisa edhe vetë do të burgosej, në këtë natë do të shkonte në aksion, tani për t‘i kujtuar dëshmorët e Untergruppenbach-ut, për të cilët ai kishte një nderim të madh. Gjithçka e bënte në fshehtësi, natën dhe nuk fliste me njeri, veç atyre me të cilët e lidhte puna ilegale, por UDB-ja vëzhgonte dhe punonte për zbulimin e atij njeriu misterioz që i mbushte rrugët dhe muret me parulla, duke ua kujtuar shqiptarëve detyrimin e tyre moral e politik. Kërkesa për republikën e Kosovës në sytë e UDB-së duhej të harrohej ose të paraqitej si një gjë që s‘mund të realizohej kurrë, ndaj dhe s’duhej të harrxhohej kot energjia politike për një projekt që thjesht ishte një ëndërr politike. Por ndër shqiptarë kishte një opinion krejt tjetër: ata, pothuajse të gjithë, mendonin se kërkesa për republikën e federuar ishte legjitime dhe e arsyeshme. Ata kështu mendonin, por nuk flisnin, sepse shprehja e lirë e mendimit nuk lejohej. Në një Jugosllavi të popujve të barabartë, ajo ishte zgjidhja më të e mirë. Por serbët, në anën tjetër, thoshin se shqiptarët s‘e kanë në mendje barazinë kombëtare, por ikjen nga Jugosllavia. Serbët kishin pjesërisht të drejtë. Ishte e vërtetë që shqiptarët nuk donin të ishin pjesë e Jugosllavisë, këtë gjë e kishin thënë dhe e thonin hapur, por për sa kohë Jugosllavia të ekzistonte si subjekt ndërkombëtar në kufijt që kishte, dmth. me shqiptarët brenda saj, të ishte një shtet ndryshe, më demokratike, në mënyrë që shqiptarët të mund të jetonin në të pa qenë të rrezikuar ekzistencialisht si bashkësi kombëtare. Këtë gjë donin shqiptarët, gjë që binte në kundërshtim të plotë me ambiciet serbe, të cilët donin një Jugosllavi që të ishte në fakt një Serbi e madhe me një emër tjetër.
Një ditë shtëpinë e Xhemajlit e rrethoi policia. UDB-ja i kishte rënë në gjurmë autorit misterioz i parullave. E burgosën djaloshin që i ftonin shqiptarët për bashkim e luftë politike për realizimin e kërkesës për Republikën e Kosovës, kurse ditën sillej si të tjerët që bënin punët e zakonta. Kishte bërë ndonjë gabim ë u zbulua? Jo. Një shtet që i ndjek armiqt e tij, herët a vonë i gjen. Xhemajl Fetahaj kishte vepruar rreth 2 vjet të plota. Fakti që ai kishte punuar aq gjatë pa u zbuluar flet për atë se ai nuk kishte gabuar në punën e tij ilegale. Një ditë do të zbulohej, ndryshe gjithë aktit i mungonte një element esencial. Institucionet e shtetit jugosllav ishin në përgjim, sidomos UDB-ja. Profili i tij politik, edhepse në moshë të re, u vlerësua nga ekspertët e sigurisë si tepër i rrezikshëm. Shqiptarët nuk duhej të lejoheshin të mendonin për këto gjëra, ata duhej të mbeteshin te biologjia e tyre, për politikën duhej të mendonin të tjerët. Fakti që ai kishte hyrë në një terren „huaj“ e bënte atë objekt të ndëshkimit. Xhemajl Fetahaj mendonte dhe vepronte ashtu siç nuk donin ata që i sundonin shqiptarët. UDB-ja, nivelet e larta, jo ato lokale, e kuptoi menjëherë se Xhemajl Fetahaj nuk ishte si të tjerët. Ai ishte vërtet një kundërshtar politik që duhej luftuar në këtë stad kur ende s’ishte zhvilluar. Policia lokale politike e pa shpejt se ai nuk mund të manipulohej, ndaj dhe e klasifikoi si armik që duhej luftuar me të gjitha mjetet. UDB-ja, jo ajo në Pejë, por në nivele më të larta, Xhemajl Fetahajn dhe familjen e tij e ktheu në objekt të punës së saj. Lufta kundër tij u bë në dy rrafshe: luftë fizike dhe psikologjike. Me të parën do të merrej UDB-ja e Pejës, me të dytën, dmth. me pjesën ideore, UDB-ja e Beogradit, por ekzekutimi do të ishte edhe lokal. Në hetime ai u torturua në mënyra të ndryshme, kurse në burg u aktivizuan mekanizma që ta dërrmonin psikologjikisht. Por të gjitha këto intriga nuk patën sukses. Ato u zbatuan një për një, në fshehtësi, por Xhemajl Fetahaj nuk e thyen, vetëm sa e bën më të vendosur. Shumë dredhi e kurtha që i janë ngritur atij dhe familjes së tij, nuk do t’i zbulojmë kurrë. Disa gjëra diskutoheshin vetëm mes ideatorit dhe ekzekutorit. Puna e UDB-së s’ishte vetëm dajaku e torura fizike. Ai e kuptoi se në këtë luftë që s‘do të ndalej, do të fitonte ai që e fitonte çdo betejë, sado që fitorja ndonjëherë fitorja të ishte e paqartë për një të tretë që s’ishte në rrjedhë.
Pas dënimit dhe burgut Xhemajl Fetahaj doli jashtë, në burgun e madh që quhej Kosovë. Luftën politike që e kishte nisur me aksionin e 17 janarit të vitit 1982, e vazhdoi. Natyrisht, tani me përvojën që e kishte mbledhur nga hetimet dhe burgjet e ndryshme. Ai s‘kishte frikë nga burgu, as nga ai i Pejës, as nga i Valevës në Serbi, dhe as nga hetimet e vështira, por e dinte se izolimi fizik i tij nuk i shërbente idealit të tij politik. Izolimi kishte për qëllim për t‘i ruajtur të tjerët nga „idetë e tij nacionaliste dhe irredentiste“. Prania e tij mes njerëzve vlerësohej e rrezikshme. Megjithatë, ai arriti deri në vitin 1990 të jetonte jasht burgut, edhepse në vazhdimësi vëzhgohej nga policia politike serbe. Në shtëpinë e tij u bë pajtimi i parë i familjeve të hasmuara. Anton Çetta u kyç në këtë aksion popullor për faljen e gjaqeve dhe hakmarrjeve. Shqiptarët po bashkoheshin se rreziku nga jashtë po rritej. Serbia e vëzhgonte këtë lëvizje të madhe popullore të rinisë shqiptare ku po përfshihej gradualisht edhe inteligjencia shqiptare, një shenjë kjo shumë shqetësuese për të. Shtresa shoqërore e inteligjencisë kishte bërë në ndërkohë një varg përpjekjesh për largim nga pushtetarët, kujto takimin e shkrimtarëve serbë dhe shqiptarë në vitin 1988 në Beograd. Nga ky kombinim i dijes dhe veprimit të guximshëm politik do të dilte diçka e re. Shoqëria shqiptare po riorganizohej, kurse Serbia nuk ishte në gjendje që ta ndërlikonte e pamundësonte me ndërhyrjet e saj këtë proces. Sigurisht gjithë këto i ndihmonin zhvillimet në botë. Pa këtë konjukturë ndërkombëtare gjithçka do të kishte përfunduar qysh në vitin 1981. Ngadalë, por sigurt po ndodhte një ndarje e madhe e shqiptarëve nga Serbia. Ishte si një makth i madh për të, sepse ajo e dinte që ky bashkim, homogjenizim etnik ishte definitiv, këto procese historike ishin të pakthyeshme, irreverzibile. Dyshimet e ideologëve të politikës në Beograd po bëheshin realitet. Verrat e Llukës shënon pikën kulmore të këtij fermentimi shoqëror në Kosovë, po ndodhte kthesa e madhe, pas të cilës gjithçka do të ndryshonte. Tanimë lufta e armatosur nuk ishte larg. Ishte fitimtari ai që do të caktonte momentin kur do të niste ajo. Gjithë bota priste që shkatërrimi i Jugosllavisë të fillonte nga Kosova. Ndodhi krejt ndryshe. Së pari nga Jugosllavia u shkëput Sllovenia, pastaj Kroacia. Bosnja dhe Hercegovina me Maqedoninë e vazhduan trendin. Në fund, pas disa vitesh lufte në hapësirën veriprrendimore kugosllave, ndodhi dhe lufta në Kosovë. Jugosllavia vdiç, ajo nuk ekzistonte më. Serbia ishte e dërrmuar, por jo aq sa të mos mund të bënte krime të reja. Pëkundrazi. Ajo kërcënohej se do ta kthente Kosovën në një thertore dhe provoi ta bënte këtë gjë, ndaj dhe u bombardua nga NATO-ja. NATO-ja e bëri atë që nuk do të mund ta bënte as UÇK-ja dhe as ndonjë ushtri tjetër shtetërore e Ballkanit, e barti luftën në gjithë territorin e Serbisë. Serbëve iu vinte ndëshkimi nga qielli për masakrat mesjetare që bënin në tokë. Një vit pas bombardimeve u rrrëzua dhe Sllobodan Millosheviqi( Slobodan Milošević).
Jashtë burgut, nuk ndryshonte jeta shumë.
Xhemajl Fetahaj ndiqej nga policia politike. Ai qëndroi disa muaj në ilegalitet në Kosovë, para se të ikte në Gjermani. Pluralizmi partiak nuk e ndryshoi klimën politike të shtypjes etnike në Kosovë, por u kthye në dekorin e tij, kështu që Xhemajli nuk ishte i kënaqur me punën e partive politike shqiptare. Me kursin paqësor ishte i bindur se nuk mund të ndryshohet fati i popullit shqiptar. Pushteti serb e kishte situatën në dorë. Represioni shtetëror shtohej nga dita në ditë. Kosova ishte një vend pa shkollë shqipe, pa gazeta dhe pa punë. Inflacioni ishte marramendës. Ato që kishim lexuar në novelat e shkrimtarit austriak Stefan Zweig i jetonim në jetën reale. Partitë shqiptare mund ta kontestonin atë me fjalë, por jo me vepra. Ekzistonte një marrëveshje e heshtur mes atyre që shtypnin dhe atyre që flisnin në emrin e të shtypurëve. Por masa e madhe e njerëzve që përjetonte represionin e përditshëm policor ishte në zgripc të rebelimit: tenosja shoqërore rritej vazhdimisht. Njeriu mund ta pyeste veten çdo ditë: pse jetojmë? Millosheviqi mbetej në kursin e tij të politikës së grushtit të fortë, sipas tij ndryshimi mund të vinte vetëm pas nënshtrimit të plotë të shqiptarëve. Për këtë ndryshim ai punonte, siç thotë sot në mediat elektronike serbe pas kthimit nga Haga ish kryeministri serb Nikolla Shainoviq ( Nikola Šainović). Kushdo që do të pranonte të bëhej viktimë apo madje edhe vegël e terrorit shtetëror, nuk mbijetonte. Këtë gjë e dinin pothuajse të gjithë ndaj dhe enigma vazhdonte. Xhemajl Fetahaj, në këtë kohë, ndodhej në Gjermani, larg terrorit serb. Megjithatë, nuk ndihej mirë. Më kujtohet një takim i yni me bashkatdhetarët në Wupertal nė fillim të vitit 1998 kur filluan masakrat ndaj popullsisë civile në Kosovë. Mërgata ishte tepër e shqetësuar për shkak të terrorit të shtetit serb. U bë një takim me bashkatdhetarët tanë. Salla e klubit ishte plotë. Dikush nga publiku i tha Xhemajlit se vendi yt s‘është këtu. Atë ditë ai nuk foli në publik, por më tha se më kurrë nuk do të dalë para masës shqiptare me këtë status. Dhe vërtet ashtu ndodhi. Pas Vupertalit (Wuppertal) ai shkoi në luftë dhe u kthye në Perëndim vetëm në funksionin e luftëtarit që mbledh mjete financiare për luftën.
Xhemajl Fetahaj i përket brezit që e përgatitën luftën politikisht. Ka shumë rëndësi fakti që para kryengritjes së armatosur pati edhe një qëndresë të gjerë popullore politike. Fakti që lufta e armatosur lindi nga ky mjedis shoqëror flet shumë. Pikërisht sot para 26 vitesh ai ra dëshmor në kufirin që e ndante Shqipërinë londineze nga një pjesë e Shqipërisë së jashtme, nga Kosova, një kufi që i ndante dy botë të ndryshme Si u vra Xhemajl Fetahaj? Një bashkëluftëtarin e tij, Milazim Shala,që po luftonte për të marrë Majën e Zezë e morën plumbat dhe trupi i tij mbeti në linjën e frontit. Xhemajl Fetahaj nuk mund ta linte të vetmuar ushtarin e tij, ndaj dhe u hodh mes plumbave për ta shpëtuar a tërhequr trupin e tij dhe u vra. Ishte 31 maji i vitit 1999. Lufta do të përfundonte me kapitullimin e Ushtrisë së Jugosllavisë me 9 qershor të vitit 1999 në Kumanovë, dmth. pas më pak se dy javësh. Por lufta për Xhemajl Fetahajn mori fund atë ditë. Ai s‘e arriti i gjallë ta shihte marrshimin e ushtrive të vendeve të NATO-së në Kosovë, ai që gjithë jetën e tij kishte punuar e luftuar për Kosovën pa polici e ushtri serbe, për Kosovën e lirë.