Foto: Oxygen Show
Dje u nda nga jeta mjeku i njohur kosovar, Isuf Dedushaj, pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë, raporton Gazeta Sinjali.
Lajmin e trishtuar për vdekjen e tij e kanë shpërndarë familjarët përmes rrjeteve sociale.
“Me dhimbje të thellë ju njoftojmë se pas një sëmundje të gjatë, u nda nga jeta i dashuri prind, vëllau, miku ynë, burri i madh i Shqiptarisë, Prof. Dr. Isuf Dedushaj”, thuhet në njoftim.
Familjarët gjithashtu kanë njoftuar se detajet për ceremoninë e varrimit do të publikohen më vonë.
Prof. Dr. Isuf Dedushaj ka qenë mjek, epidemiolog, profesor universitar dhe doktor i shkencave të mjekësisë.
Ai ka kryer shkollën fillore në Vuthaj dhe Guci, ndërsa gjimnazin në Pejë, dhe ka mbaruar Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë në mars të vitit 1976. Isuf Dedushaj ka pasur një karrierë të spikatur akademike, duke shërbyer si prodekan dhe dekan i Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë.