Shkruan: Dashamir Uruçi
Nga dita në ditë, mediat shqiptare – si të shkruara, ashtu edhe televizive – po mbushen gjithnjë e më shumë me lajme të ngarkuara me ngjyrë të zezë: kronikë kriminale, dhunë, trafik droge, prostitucion, aksidente tragjike. Vetëm një gazetë e përditshme, në një ditë të vetme, numëronte plot 15 lajme të kësaj natyre në faqet e saj. E njëjta panoramë dominohet në lajmet e mbrëmjes në televizionet më të ndjekura në vend.
Ky realitet ka krijuar një psikozë të rëndë kolektive, ku krimi dhe pesimizmi janë bërë pjesë e përditshmërisë. Shqipëria po perceptohet si një vend pa zgjidhje, pa stabilitet politik dhe me progres të bllokuar. Kjo pasqyrë e zymtë jo vetëm që rëndon shpirtin e shoqërisë shqiptare, por gjithashtu dëmton rëndë imazhin e vendit në sytë e Europës dhe të botës.
Mediat, që duhet të jenë zëri i së vërtetës dhe i shpresës, po shndërrohen në platforma të frikës dhe manipulimit. Emisionet politike janë shpesh të dominuara nga analistë të pozicionuar sipas bindjeve apo interesave politike. Opinionet e tyre shpesh nuk pasqyrojnë realitetin, por shërbejnë si zgjatime të propagandës së atyre që i financojnë.
Për më tepër, prioritetet kombëtare janë pothuajse të papërfaqësuara në median shqiptare. Lajmet tronditëse që vijnë nga trojet shqiptare në Kosovën Lindore, Maqedoni, Mal të Zi apo Çamëri rrallë gjejnë hapësirën që meritojnë. Shkollat në Malësinë e Bujanocit po boshatisen, shqiptarët po zhduken nga Medvegja, ndërsa regjimi në Serbi po përdor çdo mjet për t’i fshirë nga regjistrat civilë. Shqiptarët e këtyre zonave ndihen të braktisur, pa dokumente, pa përfaqësim dhe pa ndihmë nga qendrat zyrtare në Prishtinë dhe Tiranë.
Mungesa e vëmendjes mediatike ndaj këtyre zhvillimeve është alarmante. Media shqiptare ka detyrimin të informojë dhe të ndërgjegjësojë opinionin publik për politikat e spastrimit etnik dhe për sfidat që përballon kombi shqiptar në të gjitha viset e tij autoktone.
Gjithnjë e më shpesh qarkullojnë zëra se errësira mediatike është e organizuar dhe e financuar nga struktura të huaja me interesa të errëta ndaj Shqipërisë. Lista të dyshimta me pagesa për figura të medias, politikës dhe artit nga vende të rajonit nuk mungojnë. Nëse këto janë të vërteta, atëherë kemi të bëjmë me një rrezik të madh kombëtar, ku media – që duhet të jetë një forcë e katërt në mbrojtje të publikut – po kthehet në një armë kundër tij.
Është emergjente që të organizohet një konventë kombëtare për mediat shqiptare. Një tryezë e gjerë diskutimi, ku të analizohen problemet, të përcaktohen standarde të reja etike dhe të vendosen prioritete të reja për përmbajtjen mediatike. Shqipëria ka nevojë për një media që pasqyron realitetin në mënyrë të drejtë dhe të balancuar, që jep zë zhvillimeve pozitive dhe që promovon vlera, jo frikë.
Vetëm një media e përgjegjshme, profesionale dhe e ndërgjegjshme kombëtarisht mund të ndihmojë në forcimin e shtetit, në ndërtimin e shpresës dhe në mbrojtjen e identitetit dhe interesave të shqiptarëve kudo që jetojnë.