Zëri i Kosovës uronë të gjithë besimtarët myslimanë “Gëzuar Fitër Bajramin!” Pas një muaji agjërimi e sakrificash, besimtarët myslimanë kremtojnë sot festën e Fitër Bajramit.
Tiranë – Pas një muaji agjërimi e sakrificash shpirtërore, besimtarët myslimanë kremtojnë sot (30 mars) festën e Fitër Bajramit.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë dhe besimtarët u mblodhën në “Sheshin Skënderbej” për faljen e madhe në Tiranë.
Ceremonia nisi në orën 06:45 me leximin e Kuranit dhe ligjëratën dhe më pas vijoi me faljen e madhe në shesh.
Kreu i Komunitetit Mysliman, mes të tjerash në fjalën e tij uroi të gjithë besimtarët anëmbanë dhe gjithashtu që “Zoti t’u kishte pranuar agjërimin dhe t’i ndihmonte në përballimin e sfidave të jetës”.
Edhe ditën e djeshme Spahiu uroi besimtarët, duke kujtuar këtë ditë të madhe për besimin islam:
Edhe Presidenti Bajram Begaj uroi dje besimtarët myslimanë duke theksuar se “përmbyllja e agjërimit, përfundimi i muajit të sakrificës, bëhet me festën e mrekullueshme të Bajramit, me festën e gëzimit, paqtimit të shpirtit dhe me shpresën e mëshirës së Zotit”.
Një urim erdhi edhe nga kryeministri Edi Rama, i cili shprehet se besimtarët përmbushën me devotshmëri një muaj përkushtimi, sakrifice dhe reflektimi.
“Zoti jua pranoftë lutjet dhe ju shpërbleftë për të gjitha sakrificat”.
Pritjet tradicionale organizohen në selinë e KMSH-së nga ora 09:00 deri në orën 12:00.
Tërnava uron besimtarët myslimanë për festën e Fitër Bajramit

Prishtinë – Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për Festën e Fitër Bajramit.
Tërnava ka deklaruar se tani është momenti kyç për të kërkuar paqe dhe lumturi për vetei.
“Vetëm edhe pak orë na ndajnë nga festimi i Fitër Bajramit, andaj kam kënaqësinë që sot, në emër të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, institucioneve të saj dhe në emrin tim personal t’ju drejtohem me përgëzimet dhe urimet më të mira, me bindje dhe shpresë që Bajramin ta ndiejmë, ta presim e ta përjetojmë shpirtërisht me gëzime e përkushtim në ambientet tona të ngrohta familjare dhe shoqërore. Që sonte kur kemi natën e Bajramit, besimtarët myslimanë hyjnë në atmosferën e festës së Fitër Bajramit, të gëzuar me plotë të drejtë se kanë kryer një ndër urdhrat e Zotit të Madhëruar, agjërimin e muajit Ramazan, ibadet ky që bëhet vetëm për Zotin e Gjithësisë”, deklaroi Tërnava.
Tutje, Tërnava tha se “Kjo festë e bekuar, e cila në formën më të mirë përçon porosi dhe mesazhe për paqen, harmoninë, dashurinë, mirësinë dhe gëzimin për besimtarët, është një dhuratë prej Zotit për përkushtimin, devotshmërinë dhe adhurimin e shtuar gjatë muajit të bekuar Ramazan”.
Manifestimi qendror për festën e Fitër – Bajramit për Republikën e Kosovës mbahet në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.
Manifestimi fillon në ora 05:41, me faljen e namazit të sabahut të cilit do t’i prij, Hetem ef. Sopjani , pas të cilit do të jetë ligjërata tematike kushtuar kësaj feste nga Agim ef. Hyseni -anëtar i Kryesisë së BI të Kosovës .
Namazi i Fitër – Bajramit falet në ora 06:59 minuta të cilit do t’i prijë, Vedat ef. Sahiti -kryeimami i BIK-ut.
Besimtarët muslimanë sot festojnë Fitër Bajramin

Shkup – Sot, besimtarët muslimanë në Maqedoninë e Veriut dhe në mbarë botën festojnë Fitër Bajramin, një ditë e shënuar që pason përfundimin e muajit të shenjtë të Ramazanit.
Bajrami nuk ka një datë të përcaktuar, ai varet nga shfaqja e hënës së re.
Gjatë kësaj feste, besimtarët muslimanë mblidhen me familjet dhe miqtë e tyre për të shijuar ushqimin dhe për të shpërndarë dhurata.
Kjo ditë simbolizon kulmin e sakrificave dhe agjërimit që janë bërë gjatë muajit të Ramazanit.
Në këtë ditë, besimtarët muslimanë zhvillojnë namazin e Bajramit në mëngjes dhe i drejtohen lutjeve për paqe dhe begati.
Fitër Bajrami sot është falur në orën 07:02