Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK)
Për gjendjen institucionale dhe të ardhmen kombëtare
Lëvizja Popullore e Kosovës dhe qytetarët e saj janë thellësisht të shqetësuar për gjendjen aktuale politike dhe institucionale në vend. Kosova po përballet me një krizë të thellë funksionaliteti institucional, e cila buron nga vet përfaqësuesit e zgjedhur të popullit. Për herë të njëzetë me radhë, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka dështuar në përmbushjen e funksionit të tij kushtetues dhe përfaqësues. Kjo nuk është më një çështje teknike apo procedurale – ky është një dështim i rëndë i spektrit politik, një abuzim me besimin dhe votën e qytetarëve të Republikës.
Kjo gjendje e krijuar nga të zgjedhurit e popullit i shkon për shtati pikërisht atyre që e kundërshtojnë pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës. Duke e mbajtur Kuvendin jofunksional dhe duke bllokuar ndërtimin institucional, po dëmtohet drejtpërdrejt stabiliteti demokratik dhe strategjik i vendit. Lëvizja Popullore e Kosovës i paralajmëron të gjithë aktorët politikë se askush nuk ka të drejtë të luajë me fatin e vendit, për të cilin është derdhur gjak dhe janë bërë sakrifica të mëdha.
Formimi i institucioneve të lira dhe demokratike ka qenë rezultat i një përpjekjeje historike të popullit tonë, dhe çfarëdo bllokade ndaj tyre është tradhti ndaj kësaj sakrifice. Edhe nëse nesër arrihet formimi formal i Kuvendit, ai nuk do të jetë funksional nëse ka humbur arsyen e ekzistencës së tij – përfaqësimin dhe shërbimin ndaj qytetarëve.
Për një të ardhme të përbashkët dhe të sigurt
Ndërkohë që Shqipërisë i hapet perspektiva për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Lëvizja Popullore e Kosovës vlerëson se ka ardhur koha për të analizuar seriozisht mundësinë e një forme të re bashkëpunimi kombëtar, në kuadër të një konfederate shqiptare mes Shqipërisë së Bregdetit dhe Kosovës – pjesës së ndarë me dhunë nga trungu i saj natyror.
Populli shqiptar, i ndarë padrejtësisht përgjatë historisë, ka kapacitetin intelektual, guximin dhe vullnetin për t’u bashkuar në funksion të një të ardhmeje të përbashkët, progresive dhe evropiane – pa penguar rrugën eurointegruese të Shqipërisë, përkundrazi, duke e fuqizuar atë.
Thirrje për bashkëpunim ekonomik rajonal
Në këtë frymë, LPK bën thirrje publike ndaj ministrive të financave të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, që të ndërmarrin hapa konkretë për krijimin e një Zone të Lirë Ekonomike (TAX-FREE ZONE) mes vendeve me popullsi shqiptare shumicë. Një bashkëpunim ekonomik i thelluar do të forconte lidhjet ekonomike, do të përmirësonte jetën e qytetarëve dhe do të përshpejtonte proceset integruese rajonale dhe evropiane.
Lëvizja Popullore e Kosovës mbetet e përkushtuar për të mbrojtur sovranitetin, dinjitetin dhe të ardhmen e popullit të Kosovës, në bashkërendim me të gjitha pjesët e kombit shqiptar. Në këtë rrugë, nuk do të ketë kompromis me demokracinë, drejtësinë dhe interesin kombëtar.
Me Respekt
Këshilli Kordinues i LPK-ës
29 Maj 2025, Prishtinë