spot_img

Imer Grainca veprimtar i kulluar në çështjen kombëtare

Shkruan: Imer Xhemail Lladrovci

Historiani gjerman Franc Bësh ( Franz Bösch) para disa vitesh botoi librin “1979 als die Welt von heute entstand“ ( 1979-viti kur lindi bota e sotme). Askund në libër nuk përmendet Kosova. Por mungesa ndonjëherë shkëlqen më shumë se prania. Viti 1999 tregoi se ajo ishte në qendrën e ciklonit që do ta ndryshonte botën. Siç e dihet, Kosova në vitin 1979 përjetoi çaste dramatike. Pati arrestime masive, të mëdha. Titoja ishte ende gjallë, por i sëmurë. Ai e dinte nga jeta personale se ç’do të thoshte të shtypesh rininë e një populli. Po atë vit Titoja e vizitoi Prishtinën, ndoshta për të krijuar një përshtypje personale nga vendi i ngjarjes. Siç dëshmojnë ata që e takuan me të në hotelin “Grand“, presidenti i përjetshëm i Jugosllavisë që po i jetonte muajtë e fundit tê jetës së tij politike, nuk i përfilli shumë ata që e pritën atë pranë një tryeze të shtruar me të gjitha të mirat. Titoja e pa se byrokracia dhe oportunistët shqiptarë s’ishin aspak të lëkundur në mbrojtjen e politikës së tij, ndaj dhe u shpreh i kënaqur për kursin e tij politik. Po atë vit, Kosova ishte një mjedis që kishte edhe një anë tjetër të realitetit të saj, të cilin Titoja që u dërgua në spital në Lublanë jo shumë kohë pas kthimit të tij në Beograd kurrë s’e perceptoi, një realitet që krijoi një shtresë politike që ishte e gatshme të flijonte gjithçka, nëse fliste. Ata që nuk pajtoheshin me politikën e Titos vinin nga periferia, por shqetësimet dhe mendimet e tyre politike s’ishin aspak periferike. Ata që folën, u arrestuan. Ndonjë që kishte informacion për aksionin ndëshkues iku, u arratis. Njëri prej tyre, gazetari i “Rilindjes“, Jusuf Gërvalla, që u vra pas nja dy vitesh, u arratis në Gjermani. Pak kohë pas arritjes së tij në Gjermani ai jep një intervistë gazetës së përditshme të Berlinit “Tagescaitung“ (Tageszeitung) ku flet për arrestimin në masë në Kosovë të rreth 2000 të veprimtarëve shqiptarë. Gazetari nuk e botoi intervistën, sepse, me gjasë, atij shifra iu duk shumë e madhe, e pabesueshme, por, megjithatë, atë e ruajti në një sirtar të tavolinës së punës dhe në janar të vitit 1982, pas vrasjes së të intervistuarit, e botoi. Njëri nga të arrestuarit e kësaj kohe ishte edhe Imer Grainca që vdiq, me 7 shkurt 2026, pra plotë një gjysmë shekulli pas fillimit të veprimtarisë ilegale.

Një vështrim retrospektivë: Në vitin 1976 në Gjimnazin e Përgjithshëm në Ferizaj formua organizata ilegale Lëvizja për Çlirimin Nacional dhe Social dhe kryetar i saj u zgjodh Imer Grainca. Kjo lëvizje politike filimisht veproi në qytet dhe rrethinë, kurse pas shkuarjes së anëtarëve të saj të udhëheqjes në Prishinë për studime, u shtua numri i anëtarëve dhe i simpatizantëve. Shkurt anëtarësia u zgjerua edhe në qytetet e tjera të Kosovës. Pas tre vitesh veprimtari, në vitin 1979, filluan arrestimet. Një kohë kaq e gjatë veprimtarie flet për një seriozitet të madh të organizimit. Po ndodhte diçka që do ta ndryshonte me themel historinë e një kombi. Vitet 1970 njihen si vitet e arta të liberalizmit jugosllav në Kosovë. Por liberalizmi s’ishte aq liberal me kundërshtarët e tij të vërtetë. Mund të thuhet se liberalizmi mbeti si një dukuri nominale, propagandistike, sepse u tolerua vetëm ajo që e forconte sistemin politik, por jo edhe opozita e vërtetë. Por historia ndoqi shtigjet e veta të pakorruptueshme. Gjithçka që arriti Kosova në ish Jugosllavi i dedikohet këtyre viteve: administrata e shtetit, arsimi, shëndetësia, sporti, etj. bënë ndryshime të mëdha: përfshin popullsinë shumicë në rradhët e tyre. Deri në këtë kohë shumica trajtohej si pakicë: gjithçka ishte në dorën e serbëve. Kosova në po ringjallej si rajon shqiptar. Deri në këtë kohë gjithçka shqiptare qe shikuar me dyshim dhe operativisht i ishte nënshtruar ndjekjes dhe represionit të UDB-së, e cila ishte pothuajse etnikisht homogjene. Serbët jo vetëm e drejtonin atë, por pothuajse të gjithë punëtorët operativ ishin serbë. Qenia shqiptare per se klasifikohej si një arsye e mjaftueshme për dyshim. Njerëzit burgoseshin thjesht sepse nuk e përkrahnin intimisht represionin shtetëror serb. Arbitrariteti në ndjekjen e atyre që nuk pajtoheshin me sistemin ishte i madh. Thuhet se pushteti absolut korrupton në mënyrë absolute. Në këtë periudhë këtë gjë e shohim në një trajtë të kulluar. Raca e zotërinjëve serbë ishte dalldisur nga pushteti i saj. Kishim një raport skllavërie të tyre me shqiptarët. Mospajtimi nuk lejohej të artikulohej publikisht, sepse UDB-ja e gjithpushtetshme dinte edhe se kush nuk e donte këtë politikë kundërshqiptare. Ky fakt i mungesës së pajtimit me këtë ashpërsi të shtetit ndaj shqiptarëve konsiderohej një arsye për burgosje. Në vitet 1970 dukej se kishte ndryshuar çdo gjë. Ekzistonin dy botë paralele. Ky dualizëm politik ta kujton filozofinë e Dekartit (Descartes), në një anë serbët pakicë që kishin në dorë gjithçka, në anën tjetër: shqiptarët shumicë që duronin gjithçka, të mallkuarit e kësaj bote. Dukej se çdo gjë po merrte një kahje tjetër, por për Lëvizjen për Çlirim Nacional dhe Social ky çast historik kishte një potencial të madh subverziv, sepse skllevërit në fakt s‘ishin dhe aq të pafuqishëm si dukeshin. Sot është bërë modë të thuhet se kjo lëvizje ishte një zgjatim ideologjik i Shqipërisë së kohës. Është e vërtetë që ky organizëm politik luftonte për bashkim kombëtar, por aspak për një formë të tij që do të biente ndesh me qytetërimin perëndimor. Çështja e bashkimit kombëtar nuk mund të zgjidhej pa përfshirjen e shtetit shqiptar në këtë proces historik. Organizata jo rastësisht çlirimin nacional e kishte si synim të saj programor. Por si synim të dytë e kishte edhe emancipimin social. Jeta e shqiptarëve në ish Jugosllavi zhvillohej mes këtyre poleve, mes përkatësisë nacionale dhe asaj sociale. Një çlirim kombëtar nuk arrihej lehtë pa angazhim të përgjithshëm. Çështja e statusit social kishte fituar në peshë në këtë kohë, ndaj dhe politikisht nuk ishte një çështje e çfarëdoshme. Vendi ynë në këtë kohë sapo kishte filluar të industrializohej, por në përgjitthësi ishte një vend bujqësor, me fshatarësinë si klasën kryesore në shoqëri. Pothuajse rrethana të njejta mbizotëronin kudo në Kosovë. Qyteti ishte i pushtuesit, por fshati jo. Në qytet ishte administrata e shtetit dhe të gjitha institucionet e tij. Në vitet 1970 qyteti ndryshoi shumë: vërshuan fshatarët nga të gjitha anët. E bashkë me ta edhe kujtimet e tyre që e ndryshuan atmosferën politike. Shteti e ndjeu trysninë difuze dhe filloi ndryshimet, por ato ishin të vogla dhe të ngadalta. Megjithëkëtë ato u pritën me entuziazëm. Në një vend ku gjithçka kishte mbetur siç kishte qenë më parë, çdo gjë e re shikohej me shpresë. Sidoqoftë ndryshimet ishin të dozuara në mënyrë precize: protagonistët e ndryshimeve donin që pushteti të mbeste aty ku kishte qenë. Një mendësi e tillë detyrimisht duronte vetëm ndryshime të vogla. Rinia shqiptare, ndërkaq, kërkonte ndryshime të thella, ndryshime këto që në parim nuk mund të realizoheshin me garniturën në pushtet. Por ndryshime të tilla nuk donte Serbia, e cila kishte pranuar rrëzimin e Aleksandar Rankoviqit (Aleksandar Ranković) nga piramida pushtetore, por nuk mund të pranonte rrëzimin e plotë të filozofisë së tij politike. Depërtimi i shqiptarëe në çdo institucion, ishte evident, por kjo prani të tyre e gjithkundshme e paguhej me heqjen dorë nga parimet e dinjitetit real. Këtë fakt politik Lëvizja e Çlirimit Nacional dhe Social me në krye Imer Graincën e dinte mirë, ndaj dhe s‘kishte aspak besim tek shtresa politike që pretendonte se po e bënte kthesën e madhe në kuptimin e barazisë kombëtare. Vetë Ibrahim Graincën-Cërnillën po këta njerëz e kishin burgosur dhe dënuar, kështu që fjalët e tyre nuk mund të besoheshin. Lëvizja nuk besonte se kjo klimë politike do të mund të zgjaste shumë. Dhe ashtu ndodhi: vitet 1980 treguan se klima liberale e viteve 1970 do të pësonte ndryshime rrënjësore, se ajo në fakt ishte njė manovër mashtruese: represionk u rikthye në stil të gjerë. Kur Imer Grainca doli nga burgu pas katër vitesh, në Kosovë mbizotëronte një psikozë e përgjithshme e ndjekjes dhe e represionit. Nëse ai do të ishte burgosur pas vitit 1981 me siguri dënimi do të kishte qenë shumë më i lartë dhe ndëshkimi më i egër. Për një drejtues organizate dënimet mbi 10 vjet burg ishin të zakonshme në këtë kohë zezone.

2.
Disa të dhëna elementare për jetëshkrimin politik të Imer Graincës.

Imer Grainca u lind me 10 mars 1961 në Cërnillë të Ferizajt. Pasi e kreu shkollën fillore në vendlindje, shkollimin e vazhdoi në Gjimnazin e Përgjithshëm në Ferizaj. Një kohë qe edhe në Gjimnazin Matematikor të Prishtinës, por u rikthye sërish në Ferizaj. Ai kishte talent matematikor, por nuk donte që të shkëputej aq shpejt nga realiteti shoqëror i popullit të tij. Ramadan Veliu nga Topilla e Shtimjes ishte një astronom i pasionuar, por, siç tha ai vetë në akademinë komemorative, ishte Imer Grainca ai që e zbriti nga qielli në tokë ku ai zbuloi një univers tjetër, poaq magjeps sa ai i qiellit. Pas shkollës së mesme shkoi në Prishtinë për të studiuar në degën e matematikës, tanimë pas një përvoje shoqërore. Tani ai ishte i përgatitur për një botë abstrakte të matematikës, por gjithnjë të një matematike që gjurmon qartësinë maksimale të veprimit politik. Ky qark shoqëror dhe politik nxori studentë të fushave të ndryshme shkencore dhe artistike. Anëtarët e organizatës ilegale u shpërndanë në fakultete të ndryshme. Ishin të gjithë studentë të shkëlqyer. Si student, kur ende s‘i kishte mbushur 19 vjeç, u arrestua me 11 nëntor të vitit 1979. Ajo vjeshtë ishte dramatike për Kosovën, sepse shënon stinën e kthesës së madhe. Pas 34 vitesh nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore Kosova kishte ndryshuar. Kishte dalë një brez i ri që luftonte për përparim të mirëfilltë, gjë që e shtyri Ibrahim Cërnillën të thoshte „po mbinë“ fara e hedhur. Ibrahim Grainca ishte ndëshkuar, por s‘i kishte tradhëtuar kurrë idealet e tij të rinisë. Në vitet 1970 dukej se traumat e luftës ishin tejkaluar në një masë të madhe, kurse horizonte të reja politike ishin hapur për brezin e ri. Ndryshimi politik që filloi në këtë kohë do të vazhdonte deri në pavarësinë e plotë të vendit. 20 vjet më vonë, më 1999, sundimi serb i Kosovës ishte passe, ishte kthyer në histori. Serbët si popull i vogël pa ndihmë të jashtme s‘ishin në gjendje ta sundonin një popull tjetër ballkanik. Në vitin 1986, Imer Grainca burgoset për herë të dytë. Këtë herë ndjekësit nuk mund t‘ia dëshmonin fajin politik. Edhepse faji i tij s‘u dëshmua kurrë, ai u dënua me një vjet e gjysmë burg. Por instanca tjetër gjyqësore ia rriti dënimin në dy vjet e gjysmë. Shihej qartë që synimi ishte kontrollimi i veprimtarisë së tij politike: nuk dënohej për atë që kishte bërë, por për atë që do të mund të bënte, në modalitetin e mundësisë. Protagonistët e ndjekjes së tij e dinin që ai besonte në një realitet tjetër nga ky i persekutimit masiv, ndaj dhe duhej ndëshkuar. Pas dënimit e dërguan në ushtri. Ushtria për njerëz të tillë ishte një ndëshkim special. Pas kthimit nga ushtria u detyrua të ikë në Gjermani për t’i shpëtuar arrestimit të tretë. Në Gjermani jetoi deri në momentin e ndarjes nga jeta. Këtu ai iu bashkua Unikombit, gjë që tregon orientimin e tij parak politik. Ai kurrë nuk e deshi filozofinë politike që kërkonte një komb të ri shtesë për Kosovën, por donte që shqiptarët të bashkoheshin në një tërësi kombëtare, atë tërësi që e luftonte Serbia me mjete të reja. Imer Grainca e refozonte çdo ideologji politike që i ndante njerëzit. Ai ishte i bindur se idealet e mëdha kanë nevojë për punën e të gjithëve. Udhëheqja e shqiptarëve në këtë ndërmarrje politike s‘ishte privilegj, por përgjegjësi e madhe.

3.
Si u njoha me Imer Graincën?
Ishte viti 1998. Në Essen ishtë organizuar demonstratë. Në mesin e demonstruesve e gjeta edhe Imer Graincën. Fola me të. Unë atë e njihja që nga fëmijëria si emër, por personalisht s’e kisha takuar më parë. Më bëri përshtypje shumë profili i tij politik. Ai e përkrahte me gjithë zemër luftën e UÇK-së, por politikisht s’ishte aspak fanatik, edhepse momenti historik ishte me të vërtetë i rëndë, saqë situatën mund ta karakterizojmë si një kohë të ekstremeve. Atëbotë, shoqëria kosovare ishte shumë e përçarë politikisht. Në një anë ishin aktivistët e LDK-së, shumë aktiv politikisht, por që ishin të bindur se rezistenca e armatosur ishte thjesht një pretekst ndëshkimi nga ana e Serbisë, kështu që UÇK-në e konsideronin si një provokatore që po e zhvendoste dhunën ushtarake në Kosovë. Politika e saj e favorizonte veprimin paqësor, i cili ishte kthyer në një lloj dogme politike që s‘duronte kontestim pikërisht në një kohë kur represioni serb kishte arritur kulmin e tij. Dr. Ibrahim Rugova në këtë kohë e kishte dhënë një intervistë për magazinin javor të Hamburg-ut „DER SPIEGEL“ ku e kishte quajtur UÇK-në si dorë e zgjatur në Serbisë, shprehje kjo që do të relativizohet më vonë nga ai vetë dhe nga përkrahësit e tij politikë. Në këtë intervistë Rugova fliste për një masakër të mundshme serbe në Kosovë, sepse, arsyetonte ai, shqiptarët nuk kishin potencial të mjaftueshëm ushtarak për t‘u ndeshur me forcat e armatosura të Serbisë. Elaboratet e shumëta serbe dëshmonin se vërtet Serbia ishte e prirur për një krim të madh. Për më tepër ajo përgatitej për të. Plani ushtarak „Patkoi“ e vërteton këtë gjë. Edhe arsenali i madh ushtarak i saj ishte kërcënues, por këta faktorë nuk duhej ta frikësonin popullin shqiptar deri në paralizim. Vlerësimi politik se Perëndimi nuk do ta lejonte një masakër mbi shqiptarët u vërtetua me ndërhyrjen e NATO-së në vitin 1999. Momenti historik kërkonte maturi, por jo frikësim. Liria kombëtare e shqiptarėve realisht varej nga sjellja e tyre. Pa luftë s’mund të flitej për çlirimin. Pacifizmi ishte një mundësi, por ai i kishte kufizimet e tij: në një moment kjo udhë duhej të braktisej, sepse kthehej në të kundërtën e lirisë dhe të paqes. Serbia përpiqej t’i mbante shqiptarët me iluzione, por nuk e bënte asnjë lëshim substancial, por i godiste ata vazhdimisht. Millosheviqi ( Milošević) nuk donte të bënte asnjë lloj kompromisi me shqiptarët. Ai thjesht kërkonte nënshtrim të plotë. Serbia edhe në kushtet e bombardimeve nga qielli largoi nga vatrat e saj mbi 80% të popullsisë. Gati një milion shqiptarë u strehuan në Shqipëri dhe në Maqedoni, kurse qindramijë të tjerë bridhnin brenda Kosovës. Shumë pak shqiptarë mbetën në shtëpitë e tyre. Krimin e gjenocidit Serbia e kreu edhe në kushtet e bombardimit të NATO-së, por NATO-ja s’u mashtrua nga politika serbe dhe as s‘u përça, gjë që dëshmoi njohjen e thellë të realitetit në Serbi dhe në Kosovë. Fakti që sot shumë serbë mendojnë ndryshe për shqiptarët lidhet direkt me politikën amerikane dhe të aleatëve të saj.

Rugova në intervistën e tij të lartëpërmendur e përshkruante saktë raportin e forcave, nëse çdo gjë do mbetej ashtu siç ishte, por një luftën eventuale ndaj shqiptarëve do ta ndryshonte qëndrimin e Perëndimit ndaj Serbisë. Për këtë ndryshim fliste fakti se Beogradi qe kërcënuar me bombardim, nëse nuk tregohej bashkëpunues.

Frika e Rugovës nuk ishte shprehje e paranojës, por një rrezik i politikës reale, megjithatë theksimi i saj bënte që frika të rritej ndër shqiptarë dhe përkrahja e opsionit për kryengritje të armatosur të binte shumë. Me fjalë të tjera lufta psikologjike e Serbisë të arrinte kuotat më të larta të mundshme. Ndoshta ky fakt i çoi politikanët serbë në vetëvrasje, sepse ata besuan që shqiptarët nuk do të lëviznin, të paralizuar nga frika që vinte nga një faktor i fuqishëm politik shqiptar. Klaus fon Klauzevicit ( Claus von Klausewitz) i atribuohet shprehja se lufta është vazhdim i politikës, por sipas një studiuesi gjerman, dr. Herfrid Mynklerit (Herfried Münkler), Klausevici këtë kalim nga politika në luftë e shihte si një mekanizëm që lidhej me vetëmbrojtjen. Ai ishte i bindur se agresioni pa kundërvumje të armatosur përfundonte me masakër, por kurrësesi me luftë. Mynkleri e ilustron këtë konstatim të tij me shembuj nga historia e Europës. Në vitin 1938 Hitleri marrshoi në Austri. Nuk pati kundërvumje, andaj as luftë. E njëjta gjë ndodhi me Çekosllovakinë. Më 1 shtator të vitit 1939 trupat gjermane marrshuan më Poloni, por këtu polakët iu kundërvunë agresioni hitlerian dhe kështu filloi lufta. Pak a shumë diçka e ngjashme ndodhi edhe në Kosovë. Shqiptarët represionit të shfrenuar serb iu përgjigjen me luftë guerile, duke zhvilluar kështu një formë vetëmbrojtjeje. Serbët reaguan në mënyrë fulminante, duke manifestuar urrejtjen e tyre ndaj shqiptarëve.

Shqiptarët ishin të armatosur keq, kështu që me arsenalin e saj ushtarak Serbia do të ishte në gjendje ta shtypte kryengritjen me gjak, sikur të lejohej. Kriza politike do të ngrihej, por nuk do të zgjidhej. Që të mos ndodhte kjo, ndërhyri NATO-ja si një forcë e tretë që kishte vëzhguar situatën nga afër. Arsyetimi ishte shmangia e gjenocidit. Serbia megjithatë i vrau në masë shqiptarët, këtë gjë ajo do ta kushte bërë në përmasa apokaliptike sikur në Perëndim të fitonte rryma politike e mosndërhyrjes, e cila ekzistonte, por ndërhyrja bëri që përmasat e gjenocidit të ishin shumë më të buta se ç‘do të kishin qenë sikur Serbia të lejohej të luftonte kundër një force të vogël ushtarake dhe të armatosur keq dhe një populli të paarmatosur. Diçka e tillë nuk ndodhi.

Një Bosnjë të dytë Perëndimi s‘e lejoi. Ky interpretim i luftës në Kosovë sipas teorikut me famë botërore Klaus fon Klauzevic i shkon shumë teorisë së tij për luftën në përgjithësi. Pa vetëmbrojtjen e shqiptarëve, nuk do të kishte pasur luftë në Kosovë pa asnjë dyshim. Dhe vetëmbrojtja lidhet direkt me UÇK-në, të cilën Imer Grainca e përkrahte.

ARTIKUJ TË LIDHUR
- Advertisment -spot_img

U lexua shpesh

- Advertisment -spot_img