Mehmet Hajrizi, njëri ndër përfaqësuesit e delegacionit të Kosovës në Rambuje, ka folur për kundërshtimin e veprimtarit Adem Demaçi ndaj marrëveshjes së Rambujesë.
Para dhe gjatë kohës së Rambujesë kishte pasur bisedime të vazhdueshme për të gjetur një qëndrim të përbashkët lidhur me marrëveshjen.
Sipas Hajrizit, Demaçi mendonte se marrëveshja e Rambujesë do ta kthente Kosovën në Serbi, dhe kësaj radhe do ta kthente me miratimin e vetë përfaqësuesve të Kosovës.
Për Demaçin, kjo konsiderohej katastrofike.
“Adem Demaçi mendonte se marrëveshja e Rambujesë do ta kthente Kosovën në Serbi, dhe kësaj radhe do ta kthente me miratimin e vetë përfaqësuesve të Kosovës. Dhe për të kjo ishte katastrofike. Nëse në këtë kornizë mbetemi, ai kishte plotësisht të drejtë, por askush nga ndërkombëtarët nuk mendonte, e më së paku SHBA-ja, që Kosova të kthehej në Serbi.”
Adem Demaçi dhe Hashim Thaçi
“E dyta, marrëveshja e Rambujesë ishte proklamuar qysh më herët se do të ishte e përkohshme dhe i ishte caktuar një afat trevjeçar. Pas tre vitesh mund të vazhdonim bisedimet për ta gjetur një marrëveshje përfundimtare, por mund të vazhdonim edhe luftën. Të prisje tre vjet në paqe, duke ndalur luftën, ishte një kohë shumë e mirë për UÇK-në, e cila nuk ishte në gjendje të vazhdonte luftën frontale — jo për mungesë guximi, as për mungesë të efektivit njerëzor, por për mungesë armatimi,” – thotë ai.
Pasi marrëveshja e Rambujesë parashihte një armëpushim trevjeçar, Demaçi thoshte se lufta duhet të vazhdonte.
“Marrëveshja e Rambujesë parashihte armëpushim trevjeçar dhe, në këtë periudhë, UÇK-ja mund të armatosej e të mos shpërndahej… Demaçi donte që të vazhdohej lufta në atë gjendje siç ishim. Por, nëse do të vendosej armëpushimi, pas tri vitesh do të ishte krejtësisht tjetër UÇK për ta vazhduar luftën. Këtu ishte ndoshta moskuptimi i kontekstit historik – nëse duhej të vendosej të luftohej apo të krijohej një pushim që Ushtria Çlirimtare ta merrte veten,” – tregon më tej Hajrizi.
Edhe pse UÇK-ja, në ofensivat e fundit, kishte humbur territore që i kontrollonte më parë, Hajrizi thotë se veprimtari Demaçi ishte i bindur që lufta nuk duhej të ndalej.
Demaçi konsideronte se SHBA-ja duhej ta organizonte këtë konferencë, ndoshta ngjashëm me (Dejtonin), por jo në Evropë.
“Vetë Serbia u bë dikur ish-Jugosllavi, sepse kishte marrë të gjitha institucionet e saj. E para, Demaçi kundërshtonte ato parime të panegociueshme. E dyta, mendonte se në kohën kur po mbahej konferenca e Rambujesë, ne ishim në pozitë të pafavorshme, madje edhe nga ofensivat e fundit kishim humbur territore që UÇK-ja i kishte kontrolluar më parë, dhe ai ishte i bindur se lufta duhej të vazhdonte.
E treta – dhe këtë po e them sepse ai e ka thënë – Demaçi konsideronte se SHBA-të duhej ta organizonin këtë konferencë, ndoshta ngjashëm me (Dejtonin), por jo në Evropë. E vërteta është se SHBA-të ishin në krye të këtij procesi. Ajo po mbahej në Evropë për qëllimet e tyre: për të ruajtur unitetin dhe kohezionin e aleatëve të vet, si dhe për të siguruar që nesër NATO të kishte pëlqimin e plotë për të sulmuar Serbinë.
Konferenca e Rambujesë, mendoj unë, është organizuar në radhë të parë nga SHBA-të, me qëllim që të ndalej lufta dhe Serbia të bombardohej. Ata mund ta kenë ditur këtë; i kanë bërë të gjitha ofertat Millosheviqit, por ai nuk mund ta pranonte marrëveshjen, për të cilën do të flasim ndoshta më vonë,” – u shpreh më tej Hajrizi.


