
Ish burgu i Prishtinës
Mijëra qytetarë kanë frekuentuar dhe kanë kaluar afër ndërtesës së ish gjykatës komunale në Prishtinë dhe të rrallë e dinë historinë e kësaj godine. Në këtë godinë e cila kishte qenë burg u kryen krimet më të rënda të cilat deri më tani ende nuk janë zbardhur në tërësinë e tyre. Pikërisht nga kjo godinë, që asokohe ishte burg, ka qenë një tunel i cili ka qenë i shtrirë deri te përmendorja e trekëndëshit ku qysh para luftës së dytë botërore ku ishte çarshia e qytetit. Një pjesë e saj edhe mund të jetë dëmtuar apo mbuluar.
Por e tërë ajo është njohur si tuneli famëkeq të cilën e mbajnë mend prishtinasit e vjetër. Një rrëfim të tillë paraprakisht ma kishte treguar babai im (Shukriu) i cili shpjegon ndjekjet që janë bërë ndaj personaliteteve të njohura kombëtare prishtinase. Ata që kanë hyrë në këtë tunel më nuk kanë dalë të gjallë. Janë qindra e qindra njerëz të cilët nga aty janë përcjellë për pushkatim me siglën tejet sekret, që nga koha e mbretërisë dhe me një ritëm edhe më të lartë gjatë luftës së dytë e deri në përfundim të saj.
Ky tunel ishte ndërtuar enkas që pas “terapisë” ushtarake e policore të arrestuarit, pa u vërejtur nga qytetarët të kalonin në anën tjetër nën rrugë deri tek objekti tjetër prej nga shumica do të dërgoheshin në pushkatim. Enigmatike për shumë kë mbetet dyqani në çarshinë e vjetër, e cila më nuk ekziston, me të cilën lidhej ky tunel.
Se cilat kanë qenë përmasat e vrasjeve flet edhe një listë e siguruar e emrave të së paku 381 personave, pjesa dërmuese e të cilëve shqiptarë. Pikërisht në muajin nëntor mbushen 71 vjet nga, siç e quajnë historianët “Nëntori i Përgjakur në Prishtinë”. Fjala ishte për figura të njohura kombëtare. Deri më tani nuk dihen varrezat e fshehta ku ndodhen mbetjet e të pushkatuarve nga viti 1944. Por vendi ku u pushkatuan ishte Strelishta në fillim të Tauk Bahshqes por edhe tek kazerma në Tauk Bahshqe. Zakonisht këto akte kryheshin në orët e mbrëmjes. Ka dyshime që edhe aty të jenë varrosur. As familja e vjetër prishtinase e Stak Mark Mirdita bashkëveprimtar i Shyqri begut dhe Mustafa Agushit, sot e kësaj dite nuk i di varret e më të afërmeve të tyre që u masakruan nga pushteti popullor-kriminal ushtarak serb, pesë muaj pas themelimit të OZNA-së.

Nga të dhënat konsullore serbe mund të shihet qartë se Stak Mark Mirdita, në prag të Kryengritjes së Përgjithshme Shqiptare nën udhëheqjen e Hasan be Prishtinës (5 maj-18 gusht 1912), ishte njëra ndër lidhjet e hershme të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.
Nesër: EMRAT E TË PUSHKATUARVE