Shkruan: Imer Xhemail Lladrovci
1.
Thuhet me të drejtë se për të gjykuar një çështjeje kërkohet të kalojë kohë dhe kështu të fitohet njëfarë distance historike. Pas kësaj kohe, ajo që mbetet, e meriton vëmendjen tonë. Kështu disa ngjarje e gjëra harrohen dhe disa të tjera dalin në përmasat e tyre të vërteta që mbesin në kujtesën kolektive. 35 vjet pas demonstratave të Drenasit të janarit të vitit 1990 ma thotë mendja se përbëjnë një largesë të mjaftueshme në kohë, për t‘i paraqitur e interpretuar ato me objektivitet, duke i shqyrtuar me një vështrim analitik dhe kritik. Pa mitologji dhe propagandë!
Demonstrat e Drenasit erdhën në një kohë kur gjithë Kosova ishte vënë në lëvizje. Serbët ishin hedhur në aksionin e tyre ndëshkues, kurse shqiptarët, si reaksion, ishin ngritur për ta kundërshtuar këtë dhunë të egër politike, për ta mbrojtur dinjitetin e tyre. Kush i ka jetuar ato kohë, e di sesa të shumtë ishin ata që donin ta bënin publik vullnetin e tyre politik në formën e protestës, edhepse pjesëmarrja në një protestë të tillë mund t’i kushtonte protestuesit edhe me jetë. Në këtë kohë nuk mbaheshin zgjedhje si sot, por në vend të tyre mbaheshin demonstrata ku hyje i gjallë dhe dilje i vdekur, i vrarë, siç ndodhi në ditën e dytë të demonstratës për të cilën po flasim.
Dy ditët e fundit të janarit para 35 vjetësh ishin ditë proteste për Drenasin. Edhe moti ishte atëbotë më i ashpër se sot, edhe qyteti ishte krejt ndryshe, pa ndërtime të shumëta publike, rrugë e infrastrukturë, shumë më i pazhvilluar. Në popull, gjithkund ndjehej një pakënaqësi e madhe, në një anë, dhe një etje për gjak, në anën tjetër.
Me 31 janar 1990 ranë dëshmorët e parë nga breshëria e plumbave të njësisë special të policisë: Enver Morina, Sahit Shala dhe Shani Morina.

Filozofi danez Sëren Kierkegard ( Søren Kierkegaard) thotë se jeta vlerësohet pasi të ndodh, nga prapa, por ajo jetohet përpara.
Demonstrata e Drenasit, në një prapavështrim 35 vjeçar
Imer Xhemail Lladrovci
1.
Me datën 31 janar 2025 u shënua 35 vjetori i demonstratës së Drenasit që u mbajt me 30 e 31 janar 1990.Pas vitit 1981 lufta politike që u zhvillua në Kosovë ishte luftë politike në kushtet e penalizimit të mendimit ndryshe. Kjo formë e luftës politike zgjati deri në lejimin e pluralizmit partiak në vitin 1989. Në praktikë, mendimi ndryshe u ndoq edhe pas lejimit të pluripartizmit, deri në rënjen e Jugosllavisë së vjetër komuniste që nisi me luftën në slloveni dhe mbaroi me shkëputjen përfundimtare nga Jugosllavia e katër republikave të dikurshme të saj. Pas kësaj kohe fillon një etap tjetër e luftës politike ku represioni serb arrin kulmet e tij. Dhe, kështu hymë në fazën e dytë të reistencës, të rezistencës me armë tashmë.

Ne në këtë shkrim do të fokusohemi tek filli i reistencës politike, etapa e parë e së cilës mbaroi me demonstratat e janarit të vitit 1990.
Në dy qytetet e Drenicës, në Drenas dhe në Skenderaj, në dhjetëvjeçarët e fundit të shekullit të kaluar ka pasur zhvillime e vlime të tilla politike që e karakterizojnë gjithë hapësirën tonë etnike në ish Jugosllavi, por që njëkohësisht shënjojnë një përpjekje të ethshme për të etabluar një çasje tjetër politike ndaj problemve të mëdha me të cilat përballej Kosova dhe gjithë Jugosllavia e asaj kohe. Problemi shqiptar duhej të zgjidhej politikisht, jo me mjetet e represionit politik, siç bënte Jugosllavia për shkak të Serbisë.Një ngjarje apo një zhvillim politik për t‘u vlerësuar kërkon gjithmonë njëfarë distance të nevojshme historike. Në jetën e njerëzve dhe të kombeve ka shumë ngjarje që harrohen, por ka edhe të tilla që mbeten në kujtesë përgjithmonë. Në ndërkohë ne flasim për ngjarje që janë zhvilluar 35 vjet më parë, kohë e mjaftueshme për të dhënë një mendim për to. Në këtë kohë, në fillim të dhjetëvjeçarit që shënon fundin e jugosllavisë së Titos, gjithë Kosova ishte e përfshirë nga një shqetësim i madh politik. Rreth një viti më parë asaj i ishte hequr autonomia politike në një mënyrë të tillë që i irritonte shumicën e shqiptarëve. Në vitin 1981 në demonstrata u kërkua që statusi i autonimisë politike të avancohej në statusin e republikës së federuar të Kosovës. Jo vetëm që një kërkesë e tillë s’u pranua nga asnjë organ politik në Serbi e në Federatën jugosllave, por ndodhi krejt e kundërta. Vetë autonomia u vu në shënjestër si një burim i destabilitetit politik. Pa autonomi politike, shqiptarët do të ktheheshin në qytetarë të urtë dhe të parrezikshëm për Serbinë, ishte opinion i përgjithshëm në elitat serbe të Beogradit politik. Në heqjen e autonomisë Serbia kishte manifestuar forcë dhe dinakëri politike. Forcë, sepse që në fillim qe thënë se ndryshimet janë të pashmangshme dhe se ato do të ndodhin, me ose pa vullnetin politik të shqiptarëve. Shqiptarët në këtë kohë po e përjetonin faktin se ata politikisht nuk kishin kurrëfarë vlere, se ishtin thjesht statistë në një film pa zë. Dinakëria politike përdorej për të mashtruar ata që donin të mashtroheshim, duke arsyetuar me frikë se Serbia është forcë e madhe dhe e pakundërshtueshtueshme, se shqiptarët në fakt nuk kanë alternativë tjetër veç pranimit të asaj që ajo është e gatshme të na jepë. Edhe dinaëria serbe në realitet ishte një moment i forcës së tyre.Në këso situatash gjithmonë ka edhe një anë që është e gatshme për kundërshtim, pavarësisht çmimit. Ata që nuk pajtoheshin me ambiciet politike të Serbisë nuk ishin pak në Kosovë. Masa shqiptare ishte e irrituar me trajtimin që i bëhej. Forca e Serbisë ishte e madhe, por jo e mjaftueshme për t’u ndeshur me pezmin e masës shqiptare. Politikanë dritëshkurtër serbë nuk e dinin që po i hynin një pune shumë të ndërlikuar, ata po e vinin një proces politik në lëvizje që në fund do t’ua hante kokën. Sot në Serbi janë ngritur fëmijtë e atyre që e rrëzuan Milošević-in, sepse me këtë Serbi politike nuk do të mund kurrë të dalin nga këneta ku ndodhen që prej shumë dhjetëvjeçarësh. Edhe në Drenas ky kontigjent kërkonte një formë shprehjeje publike të pezmit të tij politik. Demonstrata ishte një formë ideale në këto rrethana kur çdo mendim e ide shqiptare paragjykohej që në fillim si shfaqje e nacionalizmit. Demonstrata ishte një formë e politizimit të popullsisë që i përcillte proceset politike, por që pengohej të formulonte idetë e saj politike. Një demonstratë artikulohej politikisht ideja e ndryshimit të domosdoshëm. Dhe demonstrata zhvilloheshin gjithandej nëpër qytetet e Kosovës, vetëm në Drenas ato kishin munguar deri në këtë kohë. Kjo mungesë relativisht e gjatë sikur deshi të shlyhej me një demonstratë dyditore. Në fakt, në fillim askujt s‘i kishte shkuar në mendje për një demonstratë që do të shtrihej brenda dy ditësh. Në rradhë të parë organizatorët nuk ishin nisur nga një qëllim i tillë, por punët erfhën ashtu. Ekzistonte një vullnet i madh në masën e njerëzve për një demonstratë të madhe dhe, në anën tjetër, nga pala e atyre që kishin pushtet ekzekutiv, ekzistonte poashtu një gatishmëri e madhe për t‘i ndëshkuar këta njerëz që politikën e tyre donin ta bënin jashtë institucioneve dhe forumeve zyrtare. Dy palët po lëviznin me një shpejtesi të madhe kundër njëra-tjetrës, kështu që ndeshja ishte e parashikueshme, e pashmangshme.
Në vazhdim të këtij shkrimi do të flasim për dy ditët që u demonstrua në Drenas me 30 e 31 janar të vitit 1990.
2.
Dita e parë e demonstratës: 30 janari i vitit 1990 Shumë njerëz në Drenicë, sidomos në fshatra, po çuditeshin me veten e tyre. Gjithë Kosova protestonte dhe demonstronte, vetëm Drenasi dhe Skenderaj nuk bënin zë, heshtnin. Në këto rrethana lindi dyshimi se mos ky brez e kishte harruar testamentin politik të Azem Bejtës dhe Shaban Polluzhës. Më mirë se kudo tjetër në Kosovë në këto anë ishte ruajtur në kujtesë fakti që hapësira shqiptare në pjesën më të madhe të saj u pushtua nga shtetet ballkanike gjatë Luftës së Parë Ballkanike në vitin 1912, kështu që asnjë shqiptar nuk duhej të pajtohej me këtë padrejtësi të madhe historike. Në asnjë rrethanë!Shqiptarët e pushtuar nga Serbia dhe Mali i Zi në fillim të shekullit XX, edhe pas Luftës së Dytë Botërore mbetën të pushtuar nga jugosllavët që tani quheshin komunistë, por që të vrisnin fare lehtë për çdo kërkesë të arsyeshme shqiptare, ishin në një gjendje të vështirë edhe në Jugosllavinë e dytë që në botë njihej si vend kampion i të drejtave të njeriut dhe të kombeve e kombësive brenda saj. Por Jugosllavia e fillimit të dhjetëvjeçarit të fundit të shekulit XX nuk ishte më ajo e mëparshmja. Hasan Prishtina, një atdhetar i kësaj ane, kishte thënë me një rast se shqiptarët nuk mund të çlirohen nga Serbia për aq kohë sa ajo të ekzistonte si Jugosllavi. Jugosllavia e parë kishte qenë një Serbi e madhe në çdo aspekt. Edhe Jugosllavia e dytë, ajo e Titos, në raport me shqiptarët nuk kishte ndryshuar shumë. Titoja faktorin shqiptar e përdori për të disiplinuar serbët dhe realizuar ambiciet e tij personale për pushtet. Natyrisht në këtë sens ai nuk i përdori vetëm shqiptarët.Kosova pas luftës bënte pjesë si obllast brenda kufijve të Serbisë. Në vitin 1974 ky obllast u avancua politikisht si njësi e veçantë federale me një status të dyfishtë si pjesë integrale e Serbisë dhe si element i federatës. Shpesh thuhet, për arsye demagogjike, se Kosova ishte njësi më vete në federatën jugosllave. Po, njësi federale ishte, por me një specifikë. Me nenin 301 të kushtetutës së Serbisë, Kosova ishte pjesë e territorit serb, dmth. jo njësi e mirëfilltë federale, por disi e kushtëzuar nga vullneti politik i Beogradit. Në mars të vitit 1989 Serbia e realizoi synimin e saj për zhbërjen e autonomisë politike të Kosovës dhe kthimin e saj në statusin e një obllasti. Tani e tutje Kosova mund të përfaqësohej në federatë vetëm kur ky përfaqësim i shërbente interesave politike të Serbisë. Pas heqjes së autonomisë Kosova u hodh në protesta që vazhduan edhe në janarin e vitit 1990.

Epiqendra e protestave ishte kryeqendra. Por Prishtina nuk ishte larg nga Drenasi, kështuqë popullsia e kësaj ane ishte nën ndikimin direkt të këtyre ngjarjeve. Në Prishtinë ekzistonte një lloj komiteti ad hoc për organizimin e demonstratave. Ramiz Lladrovci e mori përsipër organizimin e një demonstrate në Drenas. Ai erdhi në Shkabaj dhe në odën e bacit Bibë, Habib Lladrovcit, mbajti një mbledhje për organizimin e demonstratës. Të gjithë pjesëmarrësit në këtë mbledhje u pajtuan se ishte i nevojshëm organizimi i një demonstrate në Drenas. U bënë plane për organizimin e saj me 30 janar 1990. Atë natë unë s‘isha në Shkabaj, por në Prekaz te një hallë e imja ku shkova pas demonstratës në Skenderaj. Të nesërmen u takova me Ramizin dhe Rexhepin te Posta në Drenas. Ramizi në tregoi për vendimin që ishte marrë dhe unë menjëherë u bëra pjesë e këtij komiteti organizativ. Në ora 12:30 erdhi treni nga Peja në Stacionin e Trenit. Aty u ndalë dhe zbritën ata që nuk donin të shkonin më tutje, në Fushë Kosovë. Por treni nuk mundi të nisej se u bllokua nga Xhavit Lladrovci, i cili disa ditë më parë në odën e bacit Bibë e kishte marrë si detyrë bollkimin mekanik të trenit. Me daljen e udhëtarëve që në kushte normale do të udhëtonin tutje u bë një masë e madhe njerëzish që gatshëm për të protestuar. Ramiz Lladrovc doli në krye dhe filloi me parullat e asaj kohe, të cilave iu bashkangjit edhe masa e tubuar. Policia reagoi shpejt,me gaz lotesjelles duke na shprendare dhe nuk na lejoi të hymë ne qender te qytetit. Demonstrata vazhdoi deri në mbrëmje, por ajo u zhvillua kryesisht mbi hekurudh te Fabrika e Feronikelit dhe në rrugën që çon për në Skenderaj, dmth. jashtë qytetit.
3.
Dita e dytë e demonstratës: 31 janari i vitit 1990
Demonstrata e ditës së parë, duke qenë se u zhvillua kryesisht jashtë qendrës së qytetit, te shumë njerëz, përfshirë këtu edhe vetë organizatorët, la përshtypjen e një demonstrate që duhej të vazhdohej për t‘u arritur efekti i saj. Me 31 janar të vitit 1990, Ramizi dhe unë(Imer Lladrovci) u kthyem përsëri në Drenas.Por në qytet ne s’u kthyem të vetmuar. Bashkë me ne ishin edhe mijëra të tjerë që mendonin si ne.Demonstrata filloi nga Pomba e karburantit INA qe tani nuk ekziston. Demonstruesit u përballën menjëherë me policinë, e cila ishte përgatitur për të na shpërndarë, mirëpo kur pa masën e njerëzve ndryshoi mendim dhe hapi rrugë. Kështu arritëm në Stacionin e Autobusave dhe e vazhduam rrugën kah Rampa e Hekurudhës e te Gjimnazi „Skënderbeu“. Sapo kemi mbërritur në hekurudhë, jemi ndalur tek brohorisnim parulla dhe këndonim këngë atdhetare. Pas një kohe nga udha e Komoranit u panë siluetat e Njësisë Speciale të Policisë që po vinte të përcjellë edhe nga një autoblindë. Ajo i parkoi mjetet motorike afër Gjimnazit „Skënderbeu“ dhe menjëherë u drejtua drejt masës shqiptare në hekurudhë. Me armët e saj të gatshme për të hapur zjarr. Gjeniu anglez i dramaturgjisë botërore Villiam Shekspir ( Wiliam Shakespeare) thotë dikund në veprën e tij se „të çmendurit udhëheqin të verbërit“. Njësia Speciale e Policisë me të vërtetë pëgbëhej nga udhëheqës të tillë të çmendurë dhe policë të verbër nga urrejtja për shqiptarët. Ky kombinim patjetër që do të sillte tragjedi mbi ata që protestonin, nuk dëmtonin asgjë nga prona e përbashkët, por që s‘kishin asgjë pranë vetes për t‘u mbrojtur nga këta të çmendurë e të verbër që ishin të armatosur gjer në dhëmbë. Disa sekonda vrasësit dhe ata që ishin shenjuar për t’u vrarë e shikuan sy më sy njëri-tjetrin. Pastaj filluan rafalet që nuk pushonin. Një kaos i madh pasoi heshtjen e shkurtër para rafaleve. Policia shtinte në masë me armë zjarri dhe ajo nuk kishte me çka të mbrohej. Afër meje pashë tek ra në tokë demonstruesë të plagosurë. Qazim Sejdiun e përgjakur. Plumbat e morën edhe Hamzë e Xhavit Lladrovcin nga lagjja jonë. Më tej kishte edhe të vrarë nga plumbat e policisë. Enver Morina, Sahit Shala dhe Shani A. Morina ishin të vrarët e asaj dite. Ranë dëshmorët e parë nga breshëria e plumbave.
4.
Shënime të shkurtra jetëshkrimore të tre dëshmorëve.
Me 31 janar 1990 policia vrau tre demonstruesë dhe plagosi shumë të tjerë. 35 prej tyre kërkuan ndihmën e parë në Shtëpinë e Shëndetit. Këtu duhet vënë në dukje fakti se jo të gjithë të plagosurit e kërkuan ndihmën e mjekëve në Shtëpinë e Shëndetit. Libri i të plagorëve ishte publik dhe mund të shfrytëzohej nga policia për qëllimet e saj, kështu që plagët ishin dëshmi e pjesëmarrjes në demonstratë, dëshmi që mund të përdorej për ndëshkimin e të plagosurëve më vonë.
Jetëshkrimi i shkurtër i dëshmorëve të 31 janarit 1990.
Enver Morina (1967-1990)
Enver Hajriz Morina u lind më 1967 në Çikatovë të Vjetër të Drenasit. Ishte fëmija i parë i babë Hajrizit e nënë Faziles. Kishte edhe dy vëllezër dhe dy motra. Pesë vite të shkollës filore i kreu në vendlindje në Çilatovë të Vjetër, ndërsa tri vite në shkollën fillore ,,Rilindja” në Dobroshec, ndërsa shkollen e mesme në Drenas. Në vitin 1989 ishte fejuar, në vitin 1990 ndoshta do të martohej sikur të mos ishte vrarë atë ditë në demonstratë. Enveri ishte i dhënë shumë pas sportit. Dallohej për fizikum e tij prej atleti. Formimi i tij atdhetar e bënte atë të gatshëm për çdo sfidë me pushtetin. Demonstratat ishin një rast i tillë ku ai mund të manifestonte këtë gatishmëri. Ai mori pjesë në dy ditët e demonstratës, dmth. me 30 dhe 31 janar 1990.Enver Morina dallohej në mesin e demonstruesve me një shirit të kuq të vënë rreth kokës. Mbase kjo shenjë duhet ta ketë dalluar prej të tjerëve dhe e ta ketë bërë cak të policit që e ka shenjuar për ta vrarë. Plumbat, siç u konstatua në kçyrjen joprofesionale të kufomës, i kishte të gjithë në krahëror. Në momentin që goditet nga breshëria e plumbave ai ishte në ballë të demonstruesve në hekurudhë. Vrasja e tij ishte një ngjarje tronditëse.Axha i tij Halimi, disa vite më vonë, bëhet ushtar i UÇK-së. Halimi e ndoqi rrugën e nipit të tij në luftën e madhe në të cilën Enveri nuk mundi të marrë pjesë, sepse ra dëshmor në një kohë kur ideja e luftës së armatosur ende ishte e mjegullt dhe e paqartë në mendjen e atyre që e dinin se lufta do të ishte akti i fundit i kësaj drame të madhe, i dramës së luftës çlirimtare me Serbinë.
Sahit Shala (1964-1990)
Sahit Shala u lind në Kraikovë në viti 1964. Aty e kreu shkollën fillore, kurse shkollën e mesme e vazhdoi në Drenas.Sahiti ishte 24 vjeçar kur u vra, por, duke qenë se ishte martuar herët, ishte edhe baba i trefishtë. 3 fëmijët e tij tani e kanë kaluar moshën e babait të tyre, por e kujtojnë atë me krenari. Një shqiptar i Novi Pazarit ka thënë me një rast se jetën e tij nuk e ka në dorë, por e ka në dorë faktin se çfarë kujtimi për veten e tij iu le fëmijëve. Sahiti la pas vetes një kujtim të mirë, kujtimin e atdhetarit.31 janari i vitit 1990 ishte dita e fundit në jetën e Sahit Shalës. Ai ishte në fillimin e jetës së tij, një fillim që e kthyen në fund rafalet e armëve të policisë.Nga të tre dëshmorët e demonstratave të 30 e 31 janarit 1990, Sahiti ishte i vetmi që la pas vetes fëmijë të vegjël, dmth. pasardhës. Sot, siç u tha më parë, këta fëmijë të dikurshëm vetë janë kthyer në prind, por ata e dinë se babai i tyre u flijua për këto ditë që gëzojmë të gjithë ne që ende jetojmë.Sahiti i takon familjes së dr. Hafir Shalës, mjekut që per veprimtari atdhetare pushtusi e ka zhdukuar kufomen e tije.
Shani Morina (1965-1990)
Shaniu u lind në vitin 1965 në katundin Çikatovë e Vjetër. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse gjimnazin në qytetin e Drenasit. Si fëmijë u rrit në një mjedis atdhetar. Folklori shqiptar, sidomos kënga, pati një ndikim të madh në formimin e tij.Sipas vëllaut të tij, Mexhit Morina, atij iu ndaluan vizitat në kohën kur ishte në shërbim ushtarak me arsyetimin se është i indoktrinuar nga muzika nacionaliste që madhëronte figurën e Azem Bejtës, Shote Galicës, Ahmet Delisë e Shaban Polluzhës. Këto personalitete kombëtare që ruheshin në kujtesën tonë kolektive përmes këngës folklorike konsideroheshin nga shteti pushtues si armiq të Jugosllavisë.Azem Bejta, Ahmet Delia e Shaban Polluzha ishin vrarë në luftë me ushtrinë jugosllave. Azem Bejta dhe Ahmet Delia nga xhandaria e kralit, kurse Shaban Polluzha nga partizanët e Titos. Pavarësisht se që të tre kishin luftuar për të drejtat e shqiptarëve, demonizimi i tyre kurrë nuk kishte zbritur nga programet politike jugosllave. Kënga shqiptare, ndryshe nga politika, i ruante këto figura të paprekura në kujtesën popullore, në realitetin autentik jetësor. Në ushtri, brezi i ri i shqiptarëve ra në sy për këtë lidhje me folklorin popullor ku muzika zinte një vend qendror. Shaniu i përkiste atyre të rinjëve që s‘e fshihte fare këtë prirje të tij për nderimin e atdhetarëve të këngës shqiptare.Shaniu u vra në moshën 25 vjeçare. Plumbi që ia mori jetën e kishte kapur në ballë, gjë që flet për natyrën e tij guximtare. Ai s‘u vra duke ikur, por në një moment kur po i shihte drejt në sy vrasësit apo vrasësin e tij.
5.
Shënime përmbyllëse për demonstratën e Drenasit të 30 e 31 janarit 1990
Gjatë luftës Drenasi dhe rrethina ka përjetuar tmerre edhe më të mëdha, por masakrën e 31 janarit të vitit 1990 nuk e harroi asnjëherë. Ndoshta pse atë ditë qyteti e shijoi hidhësinë e luftës që po e priste, shije kjo të cilën s‘e kishte provuar më në këtë formë që nga viti 1945. Askush që ka qenë pjesë e demonstratës së 31 janarit 1990, nuk mund ta harrojë për gjithë jetën atë që ka parë e përjetuar atë ditë. E thashë se qyteti dhe rrethina kanë parë e përjetuar shumë tmerre gjatë viteve 1998 e 1999, kështu që trauma që filloi në vitin 1990 vazhdoi me një intenzitet edhe më të madh në këto dy vitet e fundit të sovranitetit serb mbi Kosovën.Pas demonstratës, pasi u terrua, ne u kthyem në shtëpi. Kthimi ynë shkaktoi habi, sepse shumë kishin kujtuar se edhe ne ishim vrarë. Por, jo, ne u kthyem të gjallë në shtëpi. Duke e ditur ç‘kishte ngjarë atë ditë në Drenas, askush nuk shprehu gëzim për kthimin tonë. Të paktën kështu na u duk neve. Në fund të fundit edhe ne nuk e ndjenim veten aspak mirë pas asaj që kishte ngjarë atë ditë që ka mundur të jetë edhe për vetë ne dita e fundit e jetës. Plumbat që plagosen të tjerët nuk ishin larg nga ne. Kishim parë aq shumë tmerre atë ditë, saqë atë dhimbje e pikëllim e bartnim kudo që shkonim dhe s‘e harruam kurrë. Të gjithë ishin të pikëlluar dhe të zhytur në mendime. Megjithatë, jeta duhej vazhduar edhe në këto rrethana. Varrimi i parë që u bë qe ai i Enver Morinës. Pas tij i varros Sahit Shala. Varrimi i fundit qe ai i Shani Morinës në Çikatovë, disa ditë pas dy varrimeve të para, sepse kufoma e tij u tërhoq me vonesë nga morgu në Prishtinë.Në kohën mes varrimeve u bënë marrshime të qeta në qytet, në nderim të dëshmorëve. Në varrimin e Shani Morinës morën pjesë shumë njerëz, rreth 5.000 veta, shumica prej tyre ishin nga ata që kishin marrë pjesë në demonstratë dhe e kishin përjetuar personalisht vrasjen e Shaniut. Në varrim Shemsije Istogu e mbajti një fjalim.Fjalimi i Shemsije Istogut i preku në shpirt pjësmarrësit, të cilët atë ditë varrosën njërin nga ata që kishte demonstruar për një jetë dinjitoze dhe larg heteronomisë.