spot_img

Beteja e Koshares në 26 vjetorin e saj

Shkruan: Imer Xhemail Lladrovci

1.
Para 26 vitesh në Koshare u zhvillua njëra nga betejat më të rëndësishme të luftës sonë çlirimtare. Është hera e parë që UÇK-ja , që nga viti 1996 kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës paraqitet si një forcë guerile, ia doli mbanë të bashkojë aq shumë njerëz në frontin e luftës çlirimtare sa të mund të paraqitet si një ushtri sulmuese që mund të zhvillojë edhe luftë frontale kundër një ushtrie të rregulltë siç ishte ajo serbe, e cila ishte jo vetëm e trajnuar për luftë, por edhe në posedim të armëve më moderne, një ushtri kjo që e ruante një kufi artificial, i cili kalonte mespërmes tokave shqiptare. Ky kufi kishte funksionuar gjithmonë si një vijë gjaku që kalonte në trupin shqiptar, duke i shkaktuar atij dhembje dhe dëmtime të mëdha për pothuajse një shekull të tërë që prej Konferencës së Ambasadorëve në Londër në vitin 1913. Kjo Konferencë, siç dihet, e flijoi Shqipërinë, sipas ministrit të jashtëm britanik Eduard Grei (Edrward Grey), për hir të paqes në Europë. Një popull dhe vend i vogël i flijua për t’u ruajtur, siç thuhej, diçka e madhe që i përkiste gjithë popujve të Europës. Me këtë mendësi u gjymtua Shqipëria. Por, megjithatë, flijimi shkoi kot se paqja nuk u ruajt. Një vit më vonë jo larg nga ky kufi serbi Gavrilo Princip e vrau në Sarajevë princin autro-hungarez Franc Ferdinand (Franz Ferdinand) dhe gruan e tij Sofi ( Sophie) dhe në këtë mënyrë u prish ujdia e Fuqive të Mëdha për ruajtjen e status quos. Filloi një luftë e madhe në gjithë botën, lufta që ne e njohim si Luftën e Parë Botërore. Shkurt ky kufi i padrejtë që kinse u vendos aty ku nuk duhej vetëm e vetëm që ta ruante bataspeshën politike të Fuqive të Mëdha në kontinent dhe të shpëtonte marrëveshjet e tyre të fshehta nuk i solli kurrëfarë të mire askujt, as kontinentit dhe as botës. E vërteta është se kufiri nuk luajti nga vendi as pas luftës së madhe, pra nuk ishte vënë për ruajtjen e paqes, po për hesape të tjera. Ekzistenca e tij tani kishte një arsyetim tjetër, sigurisht aspak bindës. Funksioni i tij i parë dështoi, por tani ishte vendosur një paqe e re. Shqiptarët e gjymtuar u goditën rëndë edhe një herë pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Të mëdhenjtë bënin politikë e luftë dhe gabonin, shqiptarët si spektatorë të këtij spektakli paguanin faturën. Ata ishin sjellë në një gjendje të tillë që të mos mund ta mbronin veten. Siç shkruan historiani shqiptar Dritan Egro, që nga shekulli XVIII shqiptarët, si faktor politik, ishin në rënie. Nga Kriza Lindore e deri në Luftën e Parë Ballkanike popullsia e Shqipërisë kishte shënuar një rënie të madhe që shkonte deri në përgjysmimin e saj. Shqiptarët po humbnim njerëz dhe territore, po binin nga skena politike. Kur osmanët e patën pushtuar Ballkanin, hapësira etnike shqiptare ishte shumë më e gjerë, tani kur ata po dëboheshin linin pas një Shqipëri të stërkequr e të rudhur si territor etnik. Shqiptarët i gjeje kudo në luftëra të huaja si ajo në Galipol, Çanakkala, por jo në luftën për vendin e tyre, në Shqipëri. Në këtë pamje, ata dukeshin sikur ishin pajtuar me fatin e flijimit për të tjerët. I vranë dhe i prenë ata që dinin, ata që mbeten i trajtonin si kafshë pune, ndaj dhe i çuan në fronte të huaja ku vriteshin si qentë. Thjesht ishin shndërruar në mish për top. Po të mos ekzistonte ende kujtesa historike në Europë për Luftën e Gjergj Kastriotit-Skenderbeut ndoshta nuk do të kishte më as komb e shtet shqiptar. Ndoshta edhe ky kyjtim nuk ishte më shumë se një variabël e dobishme në ekuacionin politik të fuqive të mëdha. Bëhej një luftë e ndyrë, pa asnjë fije idealizmi. Megjithë këto paudhësi, u ngrit një shtet i vogël shqiptar që kufizohej kudo në Ballkan me shqiptarët e tjerë. Kufiri që kalonte në Koshare ishte kujtim i hidhur i kësaj politike që për shqiptarët ushqente paragjykimet më të këqija; ky kufi që kalonte nëpër këto bjeshkë ishte në fakt vetëm një pjesë e atij pellgu gjaku që e ndante shtetin shqiptar nga vetëvetja, nga viset shqiptare që mbeteshin jashtë tij. Kishte më shumë shqiptarë jashtë kufirit sesa që kishte brenda tij. Duke qenë i panatyrshëm, ky kufi pati nevojë gjithmonë për një forcë të madhe ushtarake që u përpoq ta kthente në një ndarje të natyrshme. Serbët e dinin se shteti i tyre nuk do të mund të ekzistonte ndryshe, ndaj dhe investuan shumë në mbrojtjen e këtij kufiri. Për luftën tonë çlirimtare, në anën tjetër, ekzistenca e këtij kufiri kishte rëndësi stragjike. Kufiri në përgjithësi jo vetëm që e legalizonte ndarjen tonë sipas ligjeve ndërkombëtare, por tanimë ishte kthyer edhe në një barrierë konkrete që e pengonte luftën tonë çlirimtare. Lufta në prapavijë nuk mund të zhvillohej për shumë kohë pa furnizimin me armë dhe gjëra të tjera që i kërkon lufta dhe që asaj i vinin nga jashtë. Kosharja nuk u kthye në një portë të mirëfilltë, por kufiri si instrument i pengesës së komunikimit mes shqiptarëve u zhduk, pas kësaj beteje gjithçka ishte më e lehtë. Nëse lufta do të zgjaste më shumë, dobitë e thyerjes së kufirit në Koshare do të dilnin në shesh. Beteja e Koshares nuk kishte përfunduar, ajo vazhdonte. Furnizimi për luftën në të ardhmen do të kishte në dispozicion këtë portë të madhe. Nuk mund të thuhet se armët hynin vetëm këndej, por mund të thuhet se vetëm këndej hynin në sasi të madhe. Pa Shqipërinë nuk do të kishte pasur Kosovë, por një kufi mes tyre gjithçka e bënte më të vështirë: edhe luftën çlirimtare. Me një fjalë gjithçka duhej të kalonte këndej, nëpër këtë kufi që po zhbëhej dita-ditës, për të shkuar në front, njerëzit dhe armët, kështu që pa këtë portë të hapur qëndresa do të ishte e pamundshme, ndaj dhe mund të thuhet se lufta e shqiptarëve në thellësi të Kosovës do të ndërpritej, nëse kjo portë ndonjëherë do të ishte mbyllur. Serbët e dinin mirë këtë gjë dhe bënin kujdes të madh që ta kontrollonin në mënyrën e tyre, por shqiptarët kalonin nëpër këto shkrepa saherë që kishin nevojë, natyrisht duke paguar një çmim të lartë. Deri në prill të vitit 1999 serbët ishin aty të pranishëm në kazermën e tyre, por kazerma nuk kishte mundur ta bënte kufirin të pakalueshëm.
2.
UÇK-ja sulmin në Koshare nuk e ndërmori e vetme, por në koordinim me ushtrinë shqiptare dhe, përmes saj, edhe me aviacionin luftarak të NATO-së, i cili si një shqiponjë rrinte mbi kokën e këtij rrëshqanori të madh që shtrihej në këtë kufi si një egërsirë që i kafshonte dhe frikësonte njerëzit. Nga sulmet e UÇK-së u vranë dhjetra ushtarë serbë. Sipas të dhënave serbe, numri i ushtarëve shqiptarë që morën pjesë në këtë betejë ishte disa herë më i madh se i atyre serbë. Në këtë shikim nuk duhet kërkuar vetëm propaganda, por edhe frika e atyre që komandonin ushtarët serbë, sepse ata e dinin që do të ishte e pamundshme t’i bëhej ballë një sulmi të furishëm shqiptar. Por atë që e dinte ajo, shpresonte të mos e merrnin vesh shqiptarët.

Të kthehemi te shifrat. Një burim gjerman, dmth. pak a shumë neutral, numrin e ushtarëve të UÇK-së si pjesëmarrës në sulm e përcakton shumë të vogël në fillim. Ishin vetëm 136-156 luftëtarë shqiptarë që u hodhën në sulm, në ndërkohë që përballë kishim 300 ushtarë serbë. Në të dy anët e frontit nuk kishte shumë ushtarë, por, sipas këtij burimi, siç e shohim nga shifrat që na jepen, megjithatë serbët kishin dyfishin e ushtarëve që mbronin kufirin. Një muaj më vonë, në maj, gjërat ndryshuan, fronti i luftës u bë më i ashpër dhe numri i atyre që luftonin u shumëfishua në të dy anët e frontit, duke arritur në 2.600 ushtarë nga ana e UÇK-së dhe në 4.000 nga ana serbe. Nga ana serbe ishin edhe 600 ushtarë të tjerë si paramilitarë serbë dhe rusë. Ky konstelacion shifrash tragon se numerikisht pala serbe ishte ende në epërsi. Ekziston një parim në luftë: ai që sulmon duhet të ketë shumëfishin e mbrojtësit. Në Koshare ishte krejt ndryshe: sulmuesi kishte vetëm gjysmën e forcave të atij që mbrohej. Megjithë këtë forcë të madhe, kjo ushtri nuk i bëri ballë sulmit të UÇK-së, e cila e pati mbështetjen e aviacionit të NATO-së në qiell dhe të artilerisë së ushtrisë shqiptare në tokë që komandahej nga gjenerali Kudusi Lame.

3.
Beteja e Koshares ishte një luftë e gjatë që u shtri jo vetëm në prill, por edhe në gjithë muajin maj e në dy javët e para të qershorit. Serbët u tërhoqën që në ditët e para, pas luftimeve të ashpëra, por luftuan në thellësi të territorit, sepse e dinin rëndësinë strategjike të kësaj beteje për luftën çlirimtare në prapavijë ku ajo vazhdonte. Në parim, ushtria serbe nuk e kishte as shpinën të sigurt. Ky fakt, në nëndijen e ushtarit serb duhet të ketë shkaktuar tronditje të madhe. Beteja e Koshares u nis në fillim të prillit, por zgjati deri në fillim të qershorit të vitit 1999, kur ushtria serbe nënshkroi kapitullimin e saj në Kumanovë. Numri i serbëve të vrarë në këtë betejë, sipas burimeve serbe, arriti në fund shifrën 108 ushtarëve të vrarë, prej të cilëve 92 u vranë nga luftimet e drejtëpërdrejta me ushtarët e UÇK-së dhe vetëm 16 të tjerë nga bombat e aviacionit të NATO-së. Këto shifra duhet të merren me rezervë, sepse serbët gjithmonë kanë dhënë numra më të vogël të humbjeve të tyre, tek e fundit janë shifra të një pale që konsideron se lufta vazhdon në kushte të tjera dhe si rrjedhim kanë medoemos një aspekt propagandistik. Ne tani po shënojmë 26 vjetorin e betejës, pas po kaq vitesh të Marrëveshjes së Kumanovës, por pala serbe ende konsideron që lufta nuk ka përfunduar, kështu që ajo këtë betejë, për të cilën ka bërë dhe dy filma viteve të fundit, njërin dokumentar dhe tjetrin artistik, flet nga perspektiva e një lufte të pa përfunduar, ku gjithçka i është nënshtruar një latimi propagandistik të fakteve. Nga ana e UÇK-së kemi një perspektivë tjetër: nuk ka marrë fund vetëm Beteja në Koshare, por edhe Lufta e Kosovës. Fundi ka një epilog: shqiptarët e fituan luftën, kurse serbët e humbën atë. Marrëveshja e Kumanovës politikisht mund të ketë shumë emra, por ushtarakisht ka vetëm një: kapitullim. Lista e dëshmorëve të Koshares, edhe pas 26 vjetësh nuk ka ndryshuar: ajo i përmbanë emrat e 114 dëshmorëve. Luftëtarët shqiptarë nga të gjitha viset shqiptare, prej tyre, sipas një burimi gjerman, 50 u vranë nga ushtarët serbë. Siç e pamë më sipër, pala serbe pranon vetëm 108 viktima, kurse të vrarët në anën tonë i çon në 200. Në anën tjetër, në mediat shqiptare është dhënë lista e emrave të oficerëve dhe ushtarëve vrarë shqiptarë në këtë betejë. Në luftën e Koshares ranë dëshmorë dy oficerë profesionistë: Agim Ramadani dhe Sali Çeku, kurse në ditën e fundit të majit, pak ditë para se të përfundonte lufta, u vra edhe Xhemajl Fetahaj.
4.
Serbët, s‘ka dyshim, që humbjen e tyre janë përpjekur ta paraqesin edhe si statistikë në mënyrë të tillë që t’i përshtatej qëllimeve të tyre politike. Në anën tonë, ekziston një palë shqiptare, që përbëhet nga oficerë profesionistë të ish APJ-së që i kanë udhëhequr operacionet e luftës. Ata thonë se serbët janë mjaft objektiv në paraqitjen e humbjeve të tyre. Një udhëheqës të mirë ushtarak e bën korrektësia, objektiviteti dhe vlerësimi realist i kundërshtarit, por nuk duhet harruar kurrë se ushtria jugosllave i është përmbajtur vazhdimisht doktrinës së saj për ta ruajtur moralin e ushtarëve përmes paraqitjes ndryshe të operacioneve luftarake. Nëse në Beograd pas qershorit ndryshon klima, ka mundësi që të dëgjojmë një gjuhë tjetër për Kosharen. Sidoqoftë, për një njeri laik bie në sy dallimi i madh që jepet për shifrat e pjesëmarrjes dhe humbjeve të këtyre dy ushtrive që ndeshen mes vete në Koshare. Siç u tha, UÇK-ja e ka publikuar listën e të vrarëve dhe shifra e saj është 114 dëshmorë, kurse ushtria serbe pretendon se kishte mbi 200 ushtarë të vrarë të UÇK-së, pra pothuajse dyfishi i shifrës që UÇK-ja e publikon përmes listës së dëshmorëve. Por, në një pikë kemi informacion kongruent: të dy palët ndërluftuese e thonë se këtë betejë faktikisht e fitoi UÇK-ja dhe aleatët e saj dhe e humbi ushtria jugosllave me mercenarët që e ndihmonin, vetëm se serbët ende shpresojnë se do të ketë edhe një pjesë tjetër të kësaj beteje. Në fakt ndeshja në këtë betejë e kishte edhe anën simbolike, sepse këtu luftuan vendësit me aleatët e tyre perëndimorë, në një anë, dhe Serbia e aleatët e saj lindorë, në anën tjetër. Në përgjithësi, jo vetëm në Betejën e Koshares, aleatët e Serbisë ishin shtet lindore, në rradhë të parë Rusia dhe Bjellorusia, por edhe Kina e Irani dikund në prapavijë dhe shumë mercenarë grekë, por jo shteti i Greqisë si anëtare e NATO-së.
5.
Në historinë e botës nuk ka ndodhur kurrë që humbësi të ketë më pak humbje se fitimtari, por, nëse i referoheni statistikës serbe, del se serbët kishin dyfish më pak të vrarë se shqiptarët. Nëse ishin kaq të suksesshem në luftime me sulmuesin, pse nuk qëndruan në pozicionet e tyre, por u tërhoqën, do të pyeste çdo njeri i arsyeshëm. Kjo tërheqje s’ishte taktike, por shprehje dobësie e pamundësie për të përballuar sulmin, sepse serbët, pas humbjeve të para, panë se pas sulmit nuk do të mund t‘i mbronin pozitat e tyre veçse duke u asgjësuar fizikisht. Përballë kësaj situate të vështirë, ata nuk kishin opsion tjetër pos tërheqjes, dmth. ikjes. Fronti ishte thyer, sepse pozitat fillestare s‘u mbrojtën dot. Pas Betejës së Koshares erdhi edhe një betejë tjetër, ajo e Pashtrikut, disa kilometra më në jug të të njejtit kufi, ku ushtria serbe pësoi një goditje edhe më të madhe. Sipas statistikave të tyre zyrtare, edhe këtë herë humbjet e serbëve minimizohen. Një burim serb thotë se 15 ushtarë të UÇK-së u vranë, kurse 40 të tjerë u plagosën. Sipas po këtij burimi serb, nga ana e tyre u vranë 25 ushtarë dhe 126 të tjerë u plagosën. Burimet gjermane flasin për qindra të vrarë në ushtrinë serbe. Logjikisht vetëm këto humbje të mëdha e shpjegojnë tërheqjen e serbëve nga kufiri. Ushtarakët serbë nuk mund të merrnin vendimin e tërheqjes së ushtrisë, pa i bindur komanduesit e tyre politikë se nuk mund ta mbronin vijën e frontit, kështu që vetëm humbjet e mëdha në ushtarë duhet të kenë bërë që të miratohet tërheqja.
Në betejën e Koshares u thye kufiri që e ndante Kosovën prej Shqipërisë. Këtë fakt nuk mund ta mohojë seriozisht askush, sado që nuk mungojnë përpjekje të tilla. Faktet, siç e dimë, prodhojnë jo vetëm politikë, por edhe disponim moral në ushtri.
6.
Gjithë vullnetarët shqiptarë në luftë që erdhën nga jashtë hynin në Kosovë pikërisht nga kjo portë e rrezikshme. Në këtë kufi u vranë qindra luftëtarë të UÇK-së që futeshin përmes këtyre viseve në Kosovë. Dy vjet më herët , me 6 maj të vitit 1997, jo shumë larg nga Kosharja, në Qafën e Prushit qe vrarë Luan Haradinaj, i cili me një grup relativisht të madh luftëtarësh ku bënin pjesë Ramush Haradinaj, Fehmi Lladrovci, Xhevë Krasniqi-Lladrovci, Ilaz Kodra, Abedin Rexha, Selim Krasniqi, Rafet Rama, Ramiz Lladrovci, Gani Rama e luftëtarë të tjerë, ishin nisur në rrugë për të kaluar kufirin afër fshatit Vllahne të Hasit, në drejtim të Kuzhninit. Vrasja e Luan Haradinajt dhe plagosja e Rafet Ramës bën që grupi të kthehej pas në Shqipëri. Ishte kohë kur UÇK-ja kishte nevojë jo vetëm për armë, por edhe për njerëz që luftonin. Ilaz Kodra kthehet në korrik të vitit 1997 në Kosovë dhe qëndroi vazhdimisht afër komandantit Adem Jashari. Merrë pjesë në shumë beteja të UÇK-së. Pas vrasjes së komandantit të brigadës 114 Fehmi Lladrovci bëhet komandant i saj dhe vritet në një luftë në prill të vitit 1999, kur kjo brigadë perpiqej të mbronte civilët shqiptarë nga forcat serbe, pikërisht në kohën kur larg në Perëndim të Drenicës po zhvillohej beteja e Koshares. Brigada që ai e drejtoi për më shumë se 6 muaj dha 175 dëshmorë, përfshirë këtu edhe dy komandantët e saj, Fehmi Lladrovcin dhe Ilaz Kodrën.

Kosova ka pasur vazhdimisht nevojë të madhe për armë. Pothuajse një shekull sundim serb e kishte çarmatosur atë plotësisht. Mund të thuhet se Kosova përballë Serbisë ishte duarthatë. Dhe, dihet, se pa armë nuk ka luftë. Në prapavijë njerëzit ishin të pakënaqur e të gatshëm për rezistencë të armatosur, por ata veç vullnetit për luftë, nuk kishin asgjë tjetër. Në vitin 1998 disa dhjetra kilometra më në jug, në Gorozhup qe vrarë edhe Mujë Krasniqi bashkë me dhjetra të rinj shqiptarë që po ktheheshin nga Shqipëria londineze të ngarkuar me armë për vete dhe për të tjerët që donin të luftonin. Atë verë Ushtria jugosllave kishte zhvilluar një ofenzivë të madhe, duke i dhënë një goditje të fortë UÇK-së, megjithatë UÇK-ja mbijetoi, ndonëse me shumë humbje. Në këtë rast u pa se ç’rëndësi ka politika në luftë. Serbët ushtarakisht ishin në epërsi të madhe. Thuhet se në Kosovë në këtë kohë ekzistonin 140.000 ushtarë jugosllavë, kryesisht serbë. Sot ushtria serbe ka vetëm 25.000 ushtarë aktivë, kurse atëherë vetëm në Kosovë kishte 140.000. Dallimi është i madh. Beteja e Koshares po zhvillohej pas ofenzivës së madhe serbe të vitit 1998 që kishte pasur një bilanc tragjik për UÇK-në.

Pasardhësi i Eduard Greit, Robin Kuk, pak para fillimit të bombardimeve thotë se ka „konsultuar dosjen e vitit 1913. Kemi qenë të padrejtë me këtë popull.“ Në Europën Perëndimore ekzistonte vetëdija se në vitin 1913 shqiptarët qenë dëmtuar shumë. Sulmet ajrore të NATO-së ndaj Serbisë në vitin 1999 mund të shihen si një lloj korrigjimi i kësaj politike të mbrapshtë të fuqive të mëdha europiane.

Në Londër në vitin 1913 ishte e pranishme edhe Rusia cariste. Edhe në vitin 1999 ajo nuk ndryshoi pothuajse asgjë në politikën e saj ndaj shqiptarëve. Kryeministri rus, Jevginij Primakov, e vizitoi Beogradin me 30 mars 1999 dhe kërkoi nga NATO-ja ndalimin e bombardimeve dhe nisjen e bisedimeve me Millosheviqin. Pot Robin Kuk deklaroi se „Europa është e vendosur që sulmet të mos ndalen pa kapitullimin e njëanshëm të Serbisë.“ Po atë ditë presidenti amerikan Klinton (Bill Clinton) deklaroi në Njujork (New York) se bobardimet jo vetëm që nuk do të ndalonin, por ato do të intensifikoheshin, gjë që edhe ndodhi.

Stuttgart, Prill 2025.

ARTIKUJ TË LIDHUR
- Advertisment -spot_img

U lexua shpesh

- Advertisment -spot_img