- Komisioni Evropian njoftoi të enjten se do t’i pezullojë për 90 ditë masat hakmarrëse kundër tarifave të reja nga Shtetet e Bashkuara, pasi presidenti Donald Trump i pezulloi fillimisht tarifat e tij dhe la hapësirë për arritjen e një zgjidhjeje përmes bisedimeve.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se komisioni, i cili merret me tregtinë për 27 vendet e bllokut, “e mori parasysh njoftimin e presidentit Trump”.
Tarifat e reja të BE-së ndaj mallrave amerikane në vlerë të 20.9 miliardë eurove do të pezullohen për 90 ditë, sepse “ne duam t’u japim mundësi bisedimeve”, tha ajo në një komunikatë.
Megjithatë, ajo paralajmëroi: “Nëse bisedimet nuk janë të kënaqshme, kundërmasat tona do të hyjnë në fuqi”.
Ditë më parë, Trumpi vendosi tarifa prej 20 për qind ndaj mallrave nga BE-ja, si pjesë e tarifave të tij të mëdha ndaj partnerëve tregtarë nga e gjithë bota. Megjithatë, të mërkurën ai njoftoi se do t’i pezullojë ato për 90 ditë, për t’u dhënë mundësi vendeve të gjejnë një zgjidhje përmes bisedimeve.
Pezullimi i tarifave të Trumpit nuk vlen për Kinën. Trump e rriti tarifën ndaj importeve kineze në 125% të mërkurën vonë.