spot_img

Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu – Shënim për 36-vjetorin e rënies së tyre

2 nëntori i vitit 1989 përbën një datë të rëndësishme në historinë tonë të qëndresës ndaj pushtuesve serbë. Në atë kohë, Jugosllavia – dhe brenda saj Serbia – për shumë njerëz me bindje dogmatike dukej si një ngrehinë shtetërore shumë e fuqishme dhe stabile, ndërsa forca e shqiptarëve reduktohej në një faktor të parëndësishëm lokal. Një interpretim i tillë, sado i sinqertë, ishte tepër subjektiv dhe, në fund të fundit, i mundshëm vetëm në optikën statike serbe. Me fjalë të tjera, ishte një iluzion me efekte qetësimi në një kohë kur orientimi politik ishte tronditur në themelet e tij nga dinamika e zhvillimeve në shoqërinë kosovare.

Nuk them se ishte vetëm propagandë serbe, por pa asnjë dyshim, ishte një zbërthim analitik nga vrojtorja serbe që, ndër të tjera, i shërbente edhe qëllimit politik për t’i dekurajuar faktorët aktivë politikë shqiptarë. As te serbët nuk kishte shumë njerëz që mund të parashikonin pozitën e Serbisë në të ardhmen, sepse ata nuk donin ta paramendonin një Serbi të izoluar dhe pa ndikim të madh në zhvillimet rajonale. Një zhvillim kaq të keq nuk e dëshironte askush prej tyre, pavarësisht orientimit politik.

Për të qenë realist, duhet thënë se ekzistonte një lloj frike e ankthi i turbullt për këtë mundësi, madje edhe mes vetë protagonistëve të politikës agresive kundërshqiptare. Ankthi ishte kudo, por shpresa ishte ende e madhe se Serbia do të dinte t’i kalonte këto momente kritike e tronditëse. Rusia, si shtet i fuqishëm, përfytyrohej si shpëtimtarja e Serbisë në momentet kur ajo vetë nuk do të ishte në gjendje ta mbronte veten. Por që edhe vetë Rusia do të përballej me rreziqe të ngjashme ekzistenciale, këtë gjë nuk ishte në gjendje ta përfytyronte pothuajse asnjë serb aktiv në politikën institucionale.

Rusia e madhe mund të përjetonte gjithçka tjetër, por jo drama të tilla ekzistenciale që kishin të bënin me themelet e saj shtetërore. Ndonëse një fuqi koloniale, Perandoria Ruse paraqitej si një shtet i përjetshëm që kishte sfida të tjera. Vetë Dobrica Qosiqi (Dobrica Ćosić), që sillej gjithandej si një njeri me aftësi të jashtëzakonshme analitike e sintetike, kurrë nuk donte të fliste për një skenar të tillë pesimist, sepse e shikonte aleatin politik të Serbisë si një gjigant që mund të kishte probleme gjithëfarëshe, por kurrë probleme që kishin të bënin me ekzistencën.

Ai mendonte kështu ndoshta pa e ditur se mendimi i tij ishte tepër relativ. Një njeri që gënjeshtrën e kishte interpretuar si një shpikje kreative serbe mund të thuhet se edhe mund t’i ketë besuar gënjeshtrës së vet. Por ky Qosiq, që e pranoi detyrën e presidentit të Jugosllavisë në vitin 1992 vetëm e vetëm për ta ndarë Kosovën dhe kështu për ta “zgjidhur çështjen shqiptare” sipas kërkesave serbe, vështirë të ketë besuar shumë në këto opsione kundërshqiptare.

Qosiqi e dinte që kancelaritë perëndimore nuk e kishin pranuar opsionin e ndarjes së Kosovës, kështu që Serbia nuk kishte shumë mundësi mbijetese si organizëm shtetëror në zona ku popullsia serbe mungonte. Shanset ekspansioniste të brezave serbë të fillimit të shekullit XX nuk ekzistonin më për brezat serbë të fundit të shekullit XX. Qosiqi jetoi gjatë dhe e pa me sytë e tij sesi avulloi ideja për “Serbinë e Madhe”.

Mirëpo, ky esullim – se gënjeshtra në çdo shfaqje të saj nuk përbën asnjëherë krijim, por pikërisht të kundërtën e tij, vetë-mashtrim – nuk e bëri atë më inteligjent. Përkundrazi, Qosiqi u nguros në qëndrime kundërshqiptare, të cilat i shohim në ditarin e tij të botuar në vitin 2015, ku një lexues kritik habitet pa masë nga shpërthimi i urrejtjes ndaj shqiptarëve.

Ndryshe rezononte historiani serb Ivan Gjuriq (Ivan Djurić) nga Novi Sadi. Ai vdiq në një moshë relativisht të re në Paris, në vitet 1990, dhe nuk mundi ta shihte realitetin që kishte prognozuar – nëse politika serbe nuk do ta ndryshonte çasjen e saj ndaj problemeve me të cilat përballej. Gjuriqi ishte shumë skeptik ndaj politikës serbe të kohës së tij dhe këtë gjë e thoshte me guxim të madh. Në kontekstin politik të atyre viteve, çdo mendim kritik që nuk ishte në harmoni me mendimin zyrtar, ndiqej. Vetëm njerëz të formatit të Gjuriqit mund të artikulonin në njëfarë mase mendimin e tyre jo të favorshëm për elitën politike në fuqi.

Pjesa II – Serbia në pasvitet ’80 dhe kthesa e qëndresës shqiptare

Politika zyrtare serbe, që sot aty-këtu na shfaqet në trajtën e mbeturinave të tilla si dr. Vojisllav Shesheli (Vojislav Šešelj), mbahej në mënyrë dogmatike pas Rusisë dhe kërkonte edhe nga serbët e tjerë një politikë të verbër rusofile. Nuk është aspak e rastësishme mbështetja e Sheshelit për pushtimin e Ukrainës nga Rusia e Vladimir Putinit dhe interpretimi i kundërshtimit të saj nga një pjesë e rusëve si autoshovinizëm në praktikë – që tregon për një dogmatizëm qesharak serb. Shesheli ende beson se elitat ruse e serbe kanë aftësi mrekullibërëse.

Sot, 36 vjet më vonë, shumica e serbëve kanë një perceptim tjetër për Serbinë dhe shqiptarët. Serbia me kufijtë e “Pashallëkut të Beogradit” nuk duket më si një mundësi spekulative, por si një realitet krejtësisht i mundshëm. Fakti që një politikan serb si Nenad Çanak (Nenad Čanak) propozon një emër të ri për Serbinë – Serbia dhe Vojvodina – tregon se kjo krahinë pjellore mund të shkëputet nga kontrolli i Beogradit politik në të ardhmen.

Opsioni i Ivan Gjuriqit për shtetin serb në përmasat e Pashallëkut të Beogradit jo vetëm që është i mundshëm dhe real, por për shumë njerëz sot mbetet si opsioni i vetëm i një Serbie që për rajonin do të kthehej në një faktor jodestabilizues. Serbia është me të vërtetë një shtet i vogël dhe i parëndësishëm në historinë e botës. Madje, edhe në rrafsh lokal, ajo nuk luan ndonjë rol veçanërisht të madh, edhe pse Aleksandar Vuçiq flet ndryshe. Megjithatë, qytetarët serbë që janë hedhur rrugëve të Serbisë kundër tij mendojnë në mënyrë racionale: ata thonë se Serbia sot nuk është në gjendje ta mbrojë as veten e saj.

Në këto rrethana ndërkombëtare, mund të nxirret përfundimi se Serbia aktuale nuk është më një shtet me potencial të madh diplomatik.

Njerëzit duhet të kuptojnë se ky zhvillim, që çoi në krijimin e shtatë shteteve të reja në hapësirën ish-jugosllave, nuk ndodhi vetvetiu, por pati shkaqe të caktuara. Ngjarja e Bregut të Diellit në atë fillimnëntor është, pa asnjë dyshim, njëri nga motorët historikë që i vuri në lëvizje mekanizmat që prodhuan një situatë të re, e cila atëherë dukej krejt e pamundshme.

Serbia e ka humbur ose po e humb atë që e kishte fituar në tryezën diplomatike. Ajo ka humbur shumë me Jugosllavinë, por ka ende shumë për të humbur.

Më 2 nëntor 1989 filloi një epokë e re në Kosovë – epoka e veprimit politik kundër Serbisë. Pse them politik? Sepse edhe lufta e armatosur kundër Serbisë gjithmonë e ka pasur dimensionin politik: çlirimin kombëtar të shqiptarëve.

Në vitin 1913, Serbia pushtoi një pjesë të Shqipërisë Verilindore. Që nga ajo kohë, shqiptarët u trajtuan shumë keq nga fqinjët e dikurshëm, të cilët kishin pasur fat të njëjtë me ta nën pushtimin osman për shekuj me radhë. Duke gëzuar mbështetjen e Rusisë së madhe, serbët, me luftën e tyre “çlirimtare” në fillim të shekullit XIX, fituan edhe simpatinë e popujve evropianë.

Në një Evropë ku elitat politike ende reflektonin në kategori fetare, fuqitë e mëdha mbështetën në masë të madhe konceptin rus për popujt ballkanikë – dhe serbët përfituan nga kjo mendësi, ndërsa shqiptarët humbën. Kjo, ndër të tjera, sepse shqiptarët ende kishin një elitë që i artikulonte problemet politike pjesërisht me një gjuhë të vjetër osmane. Për rrjedhojë, rreziku nga një “neo-osmanizëm shqiptar” dukej real në sytë e Perëndimit.

Shqiptarët, për politikën e tyre përtej botës gjermane, nuk gjetën mbështetje askund në Perëndim. Me pak fjalë, çështja e përgjegjësisë politike ishte tepër e ngatërruar dhe, në një masë të madhe, dukej sikur nuk varej nga faktori shqiptar.

Siç dihet, luftërat ballkanike u nismuan nga Serbia – që gëzonte mbështetjen e madhe të Rusisë – dhe pas pak kohe çuan në Luftën e Parë Botërore, pikërisht sepse Serbia, përkatësisht Rusia, nuk u pajtuan me zhvillimet eventuale në Ballkan që nuk merrnin në konsideratë interesat e tyre politike. Rusia e donte Ballkanin për vete.

Madje, siç e thotë edhe Fjodor Dostojevski, ajo donte të kthehej në Romën e Tretë pas pushtimit të Stambollit – gjë që do të thoshte se, në vizionin e saj politik për të ardhmen, s’kishte vend për asnjë fuqi tjetër të madhe evropiane. Në këtë vizion, Evropa ishte një krijesë e Moskës me Rusinë në rolin e Romës. “Roma e Tretë” parashihte një fuqi të madhe me qendër Moskën.

Pjesa III – Qëndresa e armatosur dhe rënia e Afrim Zhitisë e Fahri Fazliut

Për fat të keq, nuk u gjet askush me peshë politike e diplomatike në Evropë që ta shihte problemin qartë, ndaj rusët dhe serbët triumfuan në këtë lojë të ndërlikuar politike, duke e çuar njerëzimin drejt një katastrofe të madhe: Luftës së Parë Botërore. Evropa nuk mund ta pranonte këtë fat dhe u ndesh me Rusinë në një mënyrë që nuk kuptohej lehtë. Mendoj se, për Luftën e Parë Botërore, ambiciet politike të Rusisë ishin fundamentale.

Nëse e kthejmë kokën pas dhe shohim botën në kundërthëniet e saj, dallojmë se Rusia, me pretendimet e saj imperiale, kërkonte një Evropë tjetër nga ajo që ekzistonte. Në fillim të shekullit XX, serbët e quanin “çlirim” depërtimin e tyre me ushtri në Kosovë, por ai s’ishte gjë tjetër veçse pushtim. Historiani austriak Oliver Jens Schmitt thotë se ata pak serbë që jetonin me shqiptarët në Kosovë, në fakt, ishin bullgarë.

Ajo popullsi e vogël sllave, në një pjesë të saj, nuk ishte fare sllave, pra as bullgare. Një studim gjenetik i viteve të fundit ka zbuluar se një pjesë e madhe e këtyre “serbëve” nuk ishin madje as bullgarë, por shqiptarë ortodoksë të serbizuar përmes fesë. Feja ortodokse, një version bizantin i krishterimit, për popullsinë sllave u kthye në një instrument politik që u shërbente vetëm sllavëve. Që shërbimi politik i kësaj feje të ishte i pastër sllav, edhe emri i saj ishte “pravoslavlje” dhe jo “ortodoksi”.

Para pushtimit osman, Kosova për disa shekuj kishte qenë një domen serb, por kjo histori nuk e arsyetonte ripushtimin e saj. Megjithatë, fuqitë e mëdha evropiane e interpretonin atë që ndodhte në Ballkan në terma fetarë, prandaj e favorizuan konceptin serb mbi Ballkanin, ndërsa shqiptarët i kuptuan si një mbetje osmane, jo si popullsi autoktone ballkanike. Shqiptarët, edhe në mesjetë, kishin vuajtur shumë nga sundimi i car Dushanit (Stefan Dušan) dhe i Nemanjiqëve të tjerë, para e pas tij, kështu që pushtimin e ri të osmanëve e konceptuan si një pushtim tjetër të huaj. Po ashtu, pushtimin serb të vitit 1913 nuk mund ta kuptonin ndryshe.

Deri atëherë, pra deri në vitin 1989, kishte pasur qëndresë të armatosur sporadike nëpër Kosovë. Duhet kujtuar çarmatosja e njësive federative të policisë më 1 prill 1981 në Besianë (Podujevë), qëndresa e armatosur e Tahir e Nebih Mehajt dhe ajo e Rexhep Malajt e Nuhi Berishës në janarin e vitit 1984. Megjithatë, ajo që ndodhi më 2 nëntor 1989 në Bregun e Diellit në Prishtinë paraqet, për nga cilësia, një hap të rëndësishëm në qëndresën ndaj Serbisë.

Deri në atë vit, sidomos pas 1981-shit, veprimtaria ilegale e grupeve të ndryshme politike kishte pasur gjithmonë karakter politik në krijimin e bazës së luftës, por dimensioni i qëndresës së armatosur nuk kishte munguar asnjëherë. Pas një dhjetëvjeçari të qëndresës politike, erdhi koha kur duhej kaluar në një fazë tjetër të luftës për çlirim kombëtar. Aq më tepër që kishte ndryshuar edhe konjunktura ndërkombëtare.

Në rrethanat e reja botërore, lufta e deritanishme politike nuk mund të sillte më rezultat. Sllobodan Millosheviqi kishte ndërtuar struktura shtetërore që synonin eliminimin fizik të protagonistëve të qëndresës. Në këto kushte, kërkohej një veprim tjetër nga grupet ilegale.

Në një shkrim të Sadik Halitjahës për veprimtarinë e Afrim Zhitisë në vitin 1989 thuhet se ai kishte rënë në sy të UDB-së, e cila e ndiqte hap pas hapi. Fahri Fazliu, bashkëluftëtari i tij, ishte i përgatitur për qëndresë të armatosur, ndaj ajo që ndodhi më 2 nëntor 1989 nuk ishte e papritur.

Afrim Zhitia ishte veprimtar i hershëm, kishte qenë i dënuar politik dhe e njihte mirë UDB-në e metodat e saj. Prandaj ishte i motivuar për qëndresë të armatosur. Fahriu, në anën tjetër, ishte i gatshëm të luftonte kundër policëve serbë, që për fat të keq në rrethimin e tyre ishin pothuajse të gjithë shqiptarë, kështu që një dorëzim pa luftë as që mund të mendohej atë ditë.

Afrim Zhitia u lind më 14 janar 1965 në Llugë të Podujevës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Prishtinë. Në vitin 1982, si nxënës i vitit të tretë të shkollës së mesme, u inkuadrua në organizatën ilegale Fronti Nacionalçlirimtar i Kosovës.

Në atë kohë kishte shumë organizata ilegale që vepronin. Ngjarjet e vitit 1981 kishin nxitur organizimin politik jashtë strukturave zyrtare, që ishin komprometuar si shërbëtore të Beogradit dhe nuk gëzonin më besimin e popullsisë shqiptare. Në vitin 1984, Afrim Zhitia u burgos dhe nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë u dënua me shumë vite burg, nga të cilat mbajti katër. Burgu e formoi politikisht. Përvojën e demonstratave të 1981-shit e integroi në personalitetin e tij politik.

Në vitet 1981, 1982 dhe 1983 ai kishte qenë aktiv në demonstrata. Besiana, ndryshe nga mjediset e tjera në Kosovë, vazhdoi me protesta deri në vitin 1983. Si portë për hyrjen e policisë serbe në Kosovë, Besiana ishte e para që u përball me të dhe madje e çarmatosi atë. Këto akte patriotike lanë gjurmë të thella te shqiptarët, sidomos te pjesëmarrësit e drejtpërdrejtë.

Organizatorët dhe demonstruesit nuk ktheheshin në shtëpi e as nuk dorëzoheshin te policia politike (UDB), por hidheshin në ilegalitet. Refuzimi politik ishte i plotë dhe i hapur. Demonstruesit e kishin poshtëruar policinë jugosllave, ndaj edhe llogaritnin me një hakmarrje të egër. Armët e grabitura nga policia jo vetëm që ofronin mundësi rezistence, por do të ruheshin për një luftë tjetër – për luftën e UÇK-së – e cila në fakt nuk ishte një luftë tjetër, por vazhdim i asaj që kishte filluar në vitin 1981.

Rajoni i Llapit shquhej për qëndresë. Adem Demaçi kishte dalë jo rastësisht nga ky mjedis. Ndaj, ajo që ndodhi më 2 nëntor 1989 nuk ishte e shkëputur nga përvoja e mëhershme e qëndresës. Edhe Fahri Fazliu ishte nga ky rajon, prandaj gatishmëria për luftë të armatosur ndaj policisë serbe ishte e madhe.

Fahri Fazliu u lind në Llaushë të Besianës më 24 shkurt 1963. Qysh si nxënës i shkollës së mesme u përfshi në organizimin politik ilegal. Në vitet 1980 ishte krijuar bindja se shqiptarët duhej të organizoheshin politikisht për t’i mbrojtur interesat e tyre kombëtare. Bota po ndryshonte, ndaj edhe shqiptarët duhej të ecnin me kohën. Nëse nuk do ta bënin këtë, do të mbeteshin nën mëshirën e serbëve, të cilët s’do të ishin aspak të mëshirshëm me fqinjët e tyre shqiptarë.

Ishte kjo një kohë kur shkollat dhe universiteti ishin bërë vatra revolte dhe organizimesh politike me programe që synonin çlirimin kombëtar. Me kalimin e viteve, Fahriu u pjek në këtë ambient rezistence dhe zgjeroi rrethin e bashkëveprimtarëve me të cilët punonte për të mirën e popullit të vet. Pas përfundimit me sukses të shkollës së mesme, ai vazhdoi studimet në Fakultetin e Ndërtimtarisë në Prishtinë dhe më vonë në Zagreb, në Shkollën e Lartë të Komunikacionit, ku ishte para diplomimit në kohën kur ra dëshmor.

Afrimi dhe Fahriu kishin bashkëpunim të ngushtë politik. Ata e dinin se pa një organizim të mirëfilltë politik shqiptarët nuk mund të realizonin synimet e tyre kombëtare. Por luftën e armatosur nuk duhej ta linin pas dore, sepse ajo ishte e pashmangshme.

Në jetë asgjë nuk dhurohet – çdo gjë fitohet. Sidomos liria kurrë nuk i dhurohet askujt. Për të duhet punuar me shumë zgjuarësi dhe pa pushim, sepse bota ndryshon vazhdimisht.

Ramush Haradinaj e ka vlerësuar shumë rolin e Afrim Zhitisë në rezistencën e armatosur:

“Qëndresa e tij dhe e bashkëveprimtarëve mbajti të pashuar idealin e lirisë, duke ia bartur brezit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.”

🖊️ Imer Xhemail Lladrovci

ARTIKUJ TË LIDHUR
- Advertisment -spot_img

U lexua shpesh

- Advertisment -spot_img