REAGIM

Lëvizja Popullore e Kosovës: Ndalimet nga organet e sigurisë maqedonase (ASK) ndaj studentëve dhe ish-pjesëtarëve të UÇK-së janë forma të papranueshme presioni

Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK) shpreh shqetësim të thellë dhe dënon ndalimin e kryetarit të Parlamentit Studentor, Besar Sejdiu, në pikën kufitare të Bllacës, si dhe praktikat e ndalimeve dhe kontrolleve të veçanta ndaj shqiptarëve, përfshirë ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët pretendohet se vazhdojnë të jenë në lista të organeve të sigurisë së Maqedonisë së Veriut.

Ndalimi dhe veçimi i Sejdiut, gjatë udhëtimit për në Itali në kuadër të aktiviteteve studentore, pa një sqarim të qartë mbi arsyet dhe bazën ligjore, përbën shqetësim serioz dhe ngre pikëpyetje mbi respektimin e të drejtave themelore dhe lirinë e lëvizjes.

LPK vlerëson se ky rast nuk duhet parë si incident i izoluar, por në kontekstin e shqetësimeve të vazhdueshme për ndalesat, kontrollet dhe trajtimin e ish-pjesëtarëve të UÇK-së nga mekanizmat e sigurisë në Maqedoninë e Veriut. Përfshirja e qytetarëve në lista të kontrolleve të veçanta, pa transparencë dhe pa informim mbi bazën ligjore, është praktikë që kërkon sqarim urgjent dhe institucional.

Është e papranueshme që studentët, përfaqësuesit e tyre dhe ish-pjesëtarët e UÇK-së të përballen me masa që krijojnë ndjenjën e frikës, pasigurisë dhe presionit. Institucionet e sigurisë duhet të veprojnë në përputhje me ligjin, duke garantuar barazi, dinjitet dhe respekt për të drejtat e çdo qytetari, pa dallime dhe pa trajtim selektiv.

Lëvizja Popullore e Kosovës u bën thirrje institucioneve kompetente të Maqedonisë së Veriut që të japin sqarime publike për ndalimin e Besar Sejdiut, për kriteret dhe bazën ligjore të listave të kontrolleve të veçanta, si dhe për rastet e ndalimit të ish-pjesëtarëve të UÇK-së. Transparenca dhe llogaridhënia janë obligim institucional.

LPK thekson se liria e organizimit studentor, liria e shprehjes dhe liria e lëvizjes janë të drejta themelore, të cilat nuk mund të cenohen përmes presionit, frikësimit apo ndalimeve arbitrare.

Lëvizja Popullore e Kosovës qëndron fuqishëm në mbështetje të studentëve, ish-pjesëtarëve të UÇK-së dhe çdo qytetari që përballet me padrejtësi. As ndalesat, as presioni dhe as përpjekjet për intimidim nuk do ta zbehin zërin e tyre në kërkim të të drejtave, dinjitetit dhe drejtësisë.

ARTIKUJ TË LIDHUR
- Advertisment -spot_img

U lexua shpesh

- Advertisment -spot_img