🖊 prof.dr. Xhevat Hasani
Për mua, që i kam ndjekur me vëmendje shkeljet e njëpasnjëshme të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, që nga ardhja në pushtet e partisë VMRO, me kryeministër Hristijan Mickoski dhe presidente Gordana Siljanovska-Davkova, nuk është aspak e vështirë t’u tregoj shqiptarëve me saktësi se çfarë kanë në plan të bëjnë gjatë vitit 2026 këta dy antishqiptarë kundër shqiptarëve në Maqedoni.
Këta dy antishqiptarë kanë planifikuar që gjatë vitit 2026 t’i qërojnë hesapet njëherë e mirë me gjuhën shqipe në Maqedoni.
Kjo do të thotë se ata duan që, nëpërmjet presioneve politike dhe mbivotimeve, gjuhën shqipe, nga gjuhë zyrtare në Maqedoni, ta spostojnë në gjuhë lokale.
Gjuhë lokale do të thotë gjuhë e cila përdoret deri në nivele komunale (vetëm në komunat e banuara me shumicë shqiptare), por jo më lart:
– jo në Kuvendin e Maqedonisë
– dhe jo në ministritë e ndryshme.
Nëse Mickoski dhe Davkova do të arrijnë që gjatë vitit 2026 gjuhën shqipe ta spostojnë nga gjuhë zyrtare në gjuhë lokale, kjo do të thotë se në fund të vitit 2026 deputetët shqiptarë nuk do të mund të flasin shqip në Kuvendin e Maqedonisë, ndërsa mbishkrimi shqip “Kuvendi i Maqedonisë së Veriut” do të hiqet nga muri ballor i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.
E tëra flet se ditë të zeza po e presin gjuhën shqipe në Maqedoni!
Mendoj se, për të pritur gjuha shqipe ditë të bardha në Maqedoni, shqiptarët duhet të lëvizin ca vendit e jo “pushka bam e Muçoja në tjetrën anë!”.
Shqiptarët, i madh e i vogël, duhet të demonstrojnë në mënyrë paqësore jo vetëm nëpër qytete, por edhe nëpër fshatra, me kërkesa të qarta politike.
Lidhur me shtypjen etnike (heqjen e të drejtave kombëtare), ata duhet t’u dërgojnë memorandume dhe peticione:
– SHBA-së
– vendeve të fuqishme evropiane
– Bashkimit Evropian
– Këshillit të Evropës
– organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut
– dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).
Por shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, lidhur me heqjen e të drejtave kombëtare që u janë njohur me Marrëveshjen e Ohrit të gushtit 2001, duhet të njoftojnë rregullisht edhe:
– Qeverinë e Republikës së Shqipërisë
– dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës,
të cilat kanë të drejtën legjitime të kujdesen për shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë dhe Kosovës.
Shqiptarët nuk duhet t’i urrejnë maqedonasit, edhe për faktin se një pjesë e madhe e tyre kanë qenë dhe janë shqiptarë ortodoksë.
Shqiptarët nuk guxojnë të ushtrojnë akte terroriste, sepse me akte terroriste i humbin edhe ato pak të drejta që kanë.
Lëvizja politike paqësore aktive është zgjidhja e vetme për zgjidhjen e problemeve që kanë shqiptarët në Maqedoni.
Lufta është mjeti i fundit për zgjidhjen e problemeve.
Secili popull duhet ta meritojë lirinë e tij.


