spot_img

STOPIMI SHKENCOR I NJË FENOMENI QË NUK EKZISTON, POR QË U PËLQEN TA MBAJNË GJALLË LLOZHAT ANTISHQIPTARE

(Pak fjalë mbi librin e Xhevat Hasanit: “S’ka dhe s’mund të ketë komb kosovar”. Prointegra, 2025)

Këtë vit, Xhevat Hasani – mjek dhe studiues i fushës profesionale, i njohur për aktivitetet e hershme kombëtare, që vjen nga familja e madhe Hasani me shtrirje Dragash–Prizren – botoi librin e radhës: “S’ka dhe s’mund të ketë komb kosovar”. Ky tekst me përmbajtje hulumtuese dhe studimore nga fusha publicistike dëshmon qartë se Xhevati personifikon edhe figurën e krijuesit të shquar mbi tema që tejkalojnë debatin e thjeshtë, komentimin sporadik medial apo publicistikën lokale.

Në këtë kontekst, libri reflekton një tematikë që prek elementet themelore të fenomenit komb: llojin, historinë dhe zhvillimin e tij, gjithnjë duke u bazuar në hulumtim dhe në një qasje të argumentuar teorike e shkencore.

Xhevat Hasani hyn me kujdes në labirintet politiko-historike të një teme nga më të ndjeshmet në histori dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare. Analiza e tij paraqet një sfidë që shfaqet brenda kornizave të zhvillimit politik dhe historik të shqiptarëve, por që nuk buron nga vullneti apo dëshira e tyre; ajo është pasojë e ngjarjeve dhe zhvillimeve, veçanërisht të shekullit XX.

Etablimi i këtyre zhvillimeve tregon se në prapavijë kemi të bëjmë me koncepte dhe sprova tepër serioze të përpjekjeve euro-ballkanike për shumëzimin apo copëzimin e shqiptarëve, jo vetëm nga aspekti territorial. Ekziston një histori faktike në këtë drejtim, e cila mbetet ende për t’u hulumtuar, një histori mjaft reale, por e mbajtur vazhdimisht nën rrogoz. Pse? Sepse duket se nuk ka funksionuar, pavarësisht kushteve, sprovave, presioneve dhe insistimeve.

Me librin e tij, Xhevat Hasani u kundërvihet “historive publike” ku fshihen ide dhe përpjekje meskine për dy (sot) gjoja kombe shqiptare, e nesër për tri të tilla. Në sfond, ai u del përpara individëve që kryesisht i hasim në Prishtinë, pasi diku tjetër nuk i kemi parë të shfaqur hapur në përhapjen e teorive dhe “faktografive” se sot apo nesër do të kemi një “komb kosovar”.

Autori, z. Hasani, nuk bën kompromis dhe as politikë: ai mbyll rubinetat e ideve, teorive dhe tezave të tilla, duke e hedhur poshtë këtë fenomen. Brenda 13 kapitujve shpaloset një reflektim i mbështetur në dhjetëra e qindra fakte, shembuj, referenca dhe citime nga domeni teorik e shkencor, ku kuptohet qartë se nuk ka dhe nuk do të ketë një komb të dytë me etnogjenezë shqiptare, pavarësisht zërave dhe zhurmave për sfida të tilla.

Nga historia e shtetit-komb francez e deri te Kushtetuta e Ahtisaarit, autori Hasani nxjerr një konstatim të prerë: nuk ka dhe nuk mund të ketë komb kosovar.

Të tjerat, me bollëk, i gjeni në veprën e tij, vërtet të punuar me seriozitet, përkushtim dhe në nivel të lartë akademik-shkencor.Zhegër, 21 dhjetor 2025

Dr. Xhevat Hasani

ARTIKUJ TË LIDHUR
- Advertisment -spot_img

U lexua shpesh

- Advertisment -spot_img