Shkruan Imer Xhemail Lladrovci

Dëshmorit Muhamet Dervishi në ditëlindjen e tij, 27.11.1967
Është thënë e thuhet herë pas here se liria ka emër. Kjo është një e vërtetë e madhe. Në emrin e saj të pavdekshëm janë edhe shkronjat e emrit të Muhamet Dervishit.
Ky përvjetor i rënies së Muhamet Dervishit më 14 dhjetor të vitit 1998 shënohet këtë herë edhe në Stuttgart. Muhameti, në çastin e rënies, ishte 31 vjeç, kurse sot do të bëhej 58 vjeç, por dëshmorët e kombit mbeten gjithmonë të rinj. Ashtu edhe Muhameti iku nga plumbi i armikut në moshën e rinisë dhe ne nuk mund ta kujtojmë ndryshe veçse në moshën që pati në momentin e rënies. Në çastet e fundit, kur u nda nga Zelfie Lladrovci, gruaja e dajës së tij, për të marrë rrugën për Shqipëri, pati thënë se, “nëse në luftë vritem si daja Fehmi Lladrovci, mos më qani”. Dhe vërtet ashtu vdiq — duke luftuar me ushtarët serbë. Përkujtimi sot nuk është për ta qarë, por për ta kujtuar. Duke e kujtuar atë, kujtojmë Komandant Mujë Krasniqin dhe 40 bashkëluftëtarët e shumë dëshmorë të tjerë që u vranë ose vdiqën nga plagët që morën në rrethana të ngjashme.
Në kushtet kur në Kosovë s’kishte as luftë dhe as paqe, shumë shqiptarë e lëshuan vendin. Masa e madhe e njerëzve iu drejtuan vendeve perëndimore, ku kishte punë dhe qetësi. Këto vende i pritën mirë emigrantët, të cilëve u siguruan punë dhe banim. Ndër këto shtete u dalluan sidomos Gjermania dhe vendet nordike, drejt të cilave vërshoi lumi i njerëzve.
Muhamet Dervishi arriti në Gjermani dhe u vendos në fshatin Zahilingen (Sachilingen), në rrethin e qytetit gjerman Trier. Ky qytet ruante ende objekte të kohës së perandorit romak Konstanc, babait të Konstandinit të Madh dardan, por këto të dhëna historike s’e ngushëllonin aspak Muhametin e ikur nga vendlindja e tij e shtypur. Ndoshta në të kaluarën e largët një dardan mund të arrinte deri te posti i perandorit, por tani ishte krejt ndryshe: një kosovar i sotëm, respektivisht një dardan i dikurshëm, duhej të ikte nga vendi i tij për të mbijetuar. Ky ishte realiteti i Kosovës nën sundimin serb.
Muhameti, i ndërgjegjshëm për momentin e rëndë historik, punonte me të gjitha forcat për të siguruar sa më shumë të ardhura për familjen e tij. Sidomos vuante shumë për nënën e tij. Kadri Lushtaku kishte një lidhje familjare me të, kështu që nga fillimi i arritjes së Muhamet Aziz Dervishit në Gjermani, në vitin 1992 e deri sa ai u kthye në vendlindje, kishin jetuar së bashku në të njëjtin vendbanim, madje një kohë edhe në të njëjtën banesë. Mirëpo, pas mbërritjes së shoqes së Kadri Lushtakut, pra pas disa muajve, u ndanë në banesa të ndryshme. Megjithatë, ata ishin pothuajse gjithmonë bashkë në vaktet e ushqimit. Me Muhametin, kujton Kadriu, kemi qenë në shumë tubime informative për luftën e UÇK-së, që organizoheshin nga shoqata e klubeve të mërgimtarëve në qytete përreth dhe më larg, si në Trier, Koblenz, Bonn e deri në Köln.
Muhameti jetoi e punoi në Gjermani gjashtë vjet. Në këtë vend, ai tërthorazi mësoi shumë gjëra për shoqërinë kosovare dhe nevojën e pashmangshme të luftës çlirimtare. Siç tregon Kadri Lushtaku, ai gjithmonë ishte i interesuar për luftën e popullit tonë; e dinte që lufta është një e keqe e madhe, por një e keqe që nuk shmangej dot. Ai i njihte shumë mirë vështirësitë e ushtrisë sonë, por përsëri thoshte se vendi i tij ishte atje, në radhët e saj. Idealizmi i tij nuk e lejonte të jetonte në këtë kohë jashtë radhëve të një ushtrie që kishte rrokur armët për ta çliruar Kosovën nga sundimi serb. Kjo luftë kishte qenë ëndrra e brezave të tërë, e paraardhësve të tij, ndaj dhe në këtë moment vendimtar Muhamet Aziz Dervishi nuk mund të vazhdonte jetën në Drenicë sikur të mos kishte ndodhur asgjë.
Paraardhësit e tij jo vetëm kishin luftuar me Shaban Polluzhën, por e kishin provuar si të burgosur politikë edhe Goli Otokun. Ai, edhe më herët, kur demonstrohej për të drejtat e shqiptarëve, kishte qenë shumë aktiv. Mua personalisht më kujtohet nga demonstrata e fundit në Drenas dhe takimi me të në një rrugë të periferisë së qytetit, kur ai, duke mos e ditur se unë, Shemsije Istogu dhe Ramiz Lladrovci ishim nën përcjellje të policisë, e cila përpiqej të na arrestonte, u drejtua nga ne me përshëndetjen dhe stilin e tij hokatar, duke na çortuar se nuk ishim dukur në Drenas prej kohësh. Më 22 shkurt 1990 dialogu im me të ishte i shkurtër dhe i kushtëzuar nga situata e rëndë, kështu që më në fund e kuptoi edhe ai se duhej të largohej sa më parë nga vendi. Ne nuk donim që ai të involvohej në ndeshjen me policinë. Ne ishim të përgatitur të rezistonim me armët që kishim.
Muhamet Dervishi, sapo u kthye në Kosovë në maj të vitit 1998 — vit kur lufta guerile ishte kthyer në luftë të hapur kundër Serbisë — u rreshtua me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ushtria jonë që po lindte nuk kishte armë të mjaftueshme. Formacionet e saj luftarake vuanin nga mungesa e armëve më të thjeshta. Arma të sofistikuara ajo kurrë nuk pati, deri në fund. Ndeshja me ushtrinë serbe, në çdo fazë të luftës, ishte ndeshje mes njerëzve me moral të lartë dhe armatim primitiv. Kushdo që flet për luftën e UÇK-së gjithmonë duhet ta ketë parasysh këtë: ushtarët e UÇK-së kishin armatim që nuk u mundësonte luftë të barabartë në fushëbetejë.
Në jetën e tij në radhët e UÇK-së, Muhamet Dervishi mori pjesë në dy beteja të rëndësishme. Beteja e tij e parë ishte ajo e Llapushnikut. Si ushtar me një pushkë të vjetër nga koha e pushtimit italian të Kosovës, ai shkoi vullnetarisht për të luftuar në Llapushnik. Në këtë luftë ai u tregua ushtar i guximshëm dhe i motivuar.
Më 22 shtator 1998 për të ishte një ditë e madhe lufte. Një natë më parë, siç dëshmon Muharrem Lladrovci që ia siguroi pushkën, Muhameti kishte qenë në roje dhe kishte vërejtur një numër të madh ushtarësh serbë te Ferronikeli; e dinte se po përgatitej diçka, e parandjente sulmin. Atë verë Serbia kishte organizuar një ofanzivë të madhe në mbarë Kosovën kundër UÇK-së, për ta bindur Perëndimin se UÇK-ja do të shkatërrohej lehtë dhe do të zhdukej. UÇK-ja mori goditje të forta, u vranë njerëz që, sipas serbëve, përbënin shtyllën kurrizore të saj, por ajo nuk u dorëzua — u ringjall si feniksi nga hiri. Në betejën e Gradinës, Muhamet Dervishi luftoi me guxim të madh. Këtë e thonë ata që e panë në front.
Atë ditë ai përjetoi gjënë më të rëndë për një ushtar: vrasjen e komandantit të Brigadës 114, vrasjen e Fehmi e Xheve Lladrovcit, si dhe të Fatime Hetemit, Shefqet Zekës e Hamit Lladrovcit. Vrasja e komandantit zakonisht e thyen moralin e ushtarëve. Nuk ndodhi kështu me Muhamet Dervishin dhe as me ushtarët e tjerë të brigadës. Ata u mobilizuan edhe më shumë. Kishin një testament për të përmbushur — testamentin e komandantit, i cili kërkoi që lufta të vazhdonte. Muhameti nuk kishte post komandues; ishte ushtar që luftonte me zemër. Shembulli i tij u dha zemër të tjerëve. Ai nuk kishte frikë nga ushtarët serbë me arsenal modern; asgjë nuk e befasonte. E dinte se ata i kishin të gjitha armët, por nuk kishin zemër e shpirt për t’u ndeshur me shqiptarët. Ai vazhdimisht u bënte thirrje ushtarëve që ta vazhdonin luftën e komandantit të vrarë.
Më 6 nëntor 1998, një muaj e gjysmë pas betejës së Shkabës (Gllanasellës) te Gradina dhe Shavarina, me vendim të Shtabit Zonal, Muhamet Dervishi u nis me një grup luftëtarësh për në Shqipëri për t’u furnizuar me armë. Nuk e dinte se nuk do të kthehej më. I gjallë, ai kurrë s’do të rrinte larg frontit. Ishte betuar se do të luftonte deri në fund. E dinte se ende kishte luftëtarë pa armë të mira.
Pas një udhëtimi të gjatë, grupi mbërriti në Shqipëri në fshatrat Cahan e pastaj në Vlanë. Atje armët i siguronte logjistika e UÇK-së. Pas disa ditësh, në fund të nëntorit, Muhameti me një grup ushtarësh u nis drejt kufirit me armët dhe municionin e siguruar. Ishte kohë e vështirë; bora kishte mbuluar shtigjet. Në zonën malore kishte acar e stuhi bore. Pas një rruge të mundimshme, grupi arriti te stanet, por moti i lig bëri që disa ushtarë të ktheheshin, të ngrirë e të sëmurë. Muhameti i ndihmoi ata. Armët dhe çantat me municion i la te stanet, me shpresë se do t’i gjente kur të kthehej, kur moti të përmirësohej.
Pas disa ditësh, kur moti u qetësua, Muhameti me disa luftëtarë iu drejtua përsëri të njëjtës rrugë. Armët te stanet nuk i gjeti. Disa bashkëluftëtarë i thanë ta vazhdonte rrugën me ta drejt Drenicës, se do t’ia gjenin një pushkë tjetër, dhe ia gjetën. Por Muhameti kishte vendosur të kthehej në Kosovë vetëm me disa pushkë, jo vetëm me të vetën.
Luftëtarët Xhemail Muja, Mehmet Lladrovci, Haxhi Lladrovci, Lumni Berisha, Milaim Berisha e të tjerë e kujtojnë qartë këtë moment, sikur ta ndienin se nuk do ta shihnin më kurrë. Mehmet Lladrovci thotë: “E ktheva kryet dhe e pashë se po e përcillte kolonën tonë me luhatjen e dorës, si përshëndetje. Kështu më ka mbetur në mendje çasti i tij i fundit në jetë.”
Ushtari tjetër, Mehmet Isuf Fazliu, gjithashtu nga Dodona (Gradica), kujton momentin e rënies së tij: “Derisa po ktheheshim në Kosovë më 14 dhjetor 1998, te një lis ai e mbante frontin dhe bërtiste me zërin e tij të fuqishëm që të kalonim. Unë isha i plagosur. Në ato momente ai u rrëzua nga plumbi i armikut, pikërisht kur kishte armët që i kishte dëshiruar, por armiqtë donin të na e ndërprisnin udhën. Atje, në kufi, ra përgjithmonë.”
U vranë shumë ushtarë. Thuhet se ishte humbja më e madhe e UÇK-së pas vrasjes së familjes Jashari. Atë natë dhjetori u vranë shumë djem të rinj që luftonin për lirinë e Kosovës. Shkruhej se kjo vrasje masive lidhej me një tradhti — gjëra që në kohë lufte kurrë s’mungojnë.
Në atë natë të ftohtë dhjetori, bora e bardhë u skuq nga gjaku i Komandant Mujë Krasniqit dhe 40 luftëtarëve që lirinë e shqiptarëve e donin më shumë se jetën. Në mesin e tyre ishte edhe Muhamet Dervishi.
Është thënë e thuhet se liria ka emër. Kjo është një e vërtetë e madhe. Në emrin e saj të pavdekshëm janë të gdhendura edhe shkronjat e emrit të Muhamet Dervishit.


