Nga Xhevat Hasani — 26 Nëntor 2025
Hristijan Mickoski, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, i njohur për iniciativat e tij kundër përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe — nga përpjekjet për ndryshimin e ligjit të gjuhëve, deri te heqja e tabelave dygjuhësore dhe ndërprerja e fjalës së kryetarit të Tetovës nga ministrja e tij e Arsimit — këtë herë “i uron” shqiptarët për Ditën e Alfabetit të 22 Nëntorit.
Ky gjest, pas gjithë veprimeve të tij publike kundër gjuhës shqipe, nuk mund të interpretohet ndryshe veçse ironi dhe cinizëm i pastër. T’i mohosh të drejtat gjuhësore një komuniteti dhe më pas t’i sugurosh se iu qëndron afër me një “urim festiv”, është një tallje e hapur me inteligjencën e tyre.
Nëse do të jepeshin çmime për cinizëm politik, Mickoski me të drejtë do të meritonte “Nobel-in” e kësaj kategorie.
Por një urim nuk e mbulon dot një politikë antishqiptare. Shqiptarët nuk janë fëmijë që pasi i ke goditur gjithë javën, t’i zbusësh me një sheqerkë në fund të ditës duke thënë: “Shihni sa i mirë që jam.” Këtë strategji e njihnim që fëmijë — dhe duket se Mickoski e ka nxënë mirë atë model të vjetër paternalist.
Që prej ardhjes së tij në pushtet në maj 2024, Mickoski ka vazhduar një qasje sistematike që synon, gradualisht dhe me metoda administrative, margjinalizimin e shqiptarëve në Maqedoni. Dhe çdo ditë që kalon duket se sjell një hap të ri në këtë drejtim.
P.S. Një tjetër shembull i ditëve të fundit
Teksa Mickoski “uron” shqiptarët për Ditën e Alfabetit, drejtoresha maqedone e shkollës fillore “Zhivko Brajkovski” në Butel ka ndaluar nxënësit shqiptarë të përgatisin festimet për 28 Nëntorin. Edhe një dëshmi tjetër e qasjes diskriminuese që shqiptarët e ndjejnë përditë.


