shkruan: Gentiana Syla
Bashkëshortja kërkoi materialet, kryetarja e Autoritetit të Dosjeve, Gentiana Sula, publikoi në faqen e saj personale,me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës edhe letrën e shkrimtarit dhe politikanit kosovar. Si e ndoqi shërbimi jugosllav dhe vrasja në Shtugart më 1982. Çfarë thonë dokumentet, jeta dhe vepra e Gërvallës
Dalin në dritë detaje nga jeta dhe veprimtaria e aktivistit të njohur kosovar, Jusuf Gërvalla.
Politikani, shkrimtari, muzikanti dhe themeluesi i Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës në vitet 80-të, u vra nga ish-shërbimi sekret jugosllav, UDB, në Shtugart të Gjermanisë.
Fillimisht ishte bashkëshortja e veprimtarit, Suzana që kërkoi dosjen e tij dhe më pas Kryetarja e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Gentiana Sula, e cila uroi dje 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, me publikimin në rrjete sociale të një shënimi të Jusuf Gërvallës,
Sot (dje, e hënë, 17 shkurt), në 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, festojmë jo vetëm një ngjarje historike, por edhe një simbol të forcës dhe qëndresës së popullit tone. Nderojmë ata që dhanë jetën dhe sakrifikuan për lirinë dhe pavarësinë që gëzojmë”, shkruante Sula.
Letra e Jusuf Gërvallës që zbuloi shërbimi jugosllav
Teksa më poshtë edhe teksti i letrës së Gërvallës, ku theksohej aspirata për pavarësinë e Kosovës.
„Kur një popull pret diçka, kjo do të thotë se në thellësi të tij ai e mbrun atë që pret. Edhe sot e kësaj dite, Jugosllavia vazhdon të mos e marrë parasysh një nga kërkesat themelore të Kartës së Kombeve të Bashkuara: të drejtat njerëzore. Për më tepër, ajo mohon të drejtën për informim, ndonëse e propagandon me të madhe. Natyrisht, për këtë shpërfillje, ajo ka arsyet e veta të forta. Brenda kufijve të saj bashkëjetojnë disa kombe dhe kombësi, interesat e të cilëve nuk përputhen me ato të Federatës Jugosllave, të cilën e mbajnë në këmbë kryesisht serbët hegjemonistë.
Njohja dhe respektimi i të drejtave të garantuara nga Karta e OKB-së do të ekspozonte politikën e hegjemonizmit serb dhe do të përshpejtonte procesin e shpërbërjes së Federatës Jugosllave, e cila përbëhet nga gjashtë republika dhe dy krahina të ashtuquajtura autonome“, shkruante ai, në një dokument që është pjesë dosjen e fashikullit për të që ndodhet në arkivin e Ish-Sigurimit.
Bashkëshortja e aktivistit, veprimtaria e tij dhe vrasja nga ish-UDB
Suzana Gërvalla, bashkëshortja e Jusuf Gërvallës, politikan, shkrimtar, muzikant dhe themelues i Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës në vitet ’80, i kërkoi Autoritetit të Dosjeve të njihej me dokumentet. Gërvalla u vra nga ish-shërbimi sekret jugosllav, një natë me shi në Shtutgart të Gjermanisë. “Suzana u njoh me dokumentet që ish-Sigurimi i Shtetit kishte grumbulluar për bashkëshortin e saj gjatë qëndrimit në Shqipëri, si dhe mbi aktivitetin e tij politik në Kosovë dhe Gjermani gjatë viteve ’80”, shkruan Sula.
Në 17 janar të vitit 1982, Kadri, Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla, vdesin në vendin e ngjarjes, Jusufi më vonë. Këto të dhëna janë të dokumentuara edhe në arkivat e ish-Sigurimit. Historia e tyre shumë të tjerëve lidhet me sakrificat e jashtëzakonshme të shqiptarëve të Kosovës për liri dhe pavarësi.
“Pavarësisht periudhës së errëta të komunizmit shqiptarët kanë mbajtur gjallë lidhjen e pandashme të dashurisë dhe unitetit me njeri-tjetrin. Gëzuar Pavarësinë, Kosovë! Urime ditëlindjen! Në shekuj e pavarur!”, shkruan Sula.
Kush ishte Jusuf Gërvalla
Jusuf Gërvalla ka qenë veprimtar, shkrimtar dhe muzikant shqiptar. Ka qenë themelues i grupit irredentist Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës. Lindi në Dubovik, në komunën e Deçanit. Shkollimi i lartë tij vijoi në Prishtinë e Ljubjanë, më pas punoi si gazetar në Shkup e Prishtinë. Pasi mbaron shkollën e mesme në Pejë, regjistron fakultetin në Prishtinë. Ndërkohë fillon të punojë në Teatrin e Kosovës, si pëshpëritës.
Në këtë cilësi, më 1969, bashkë me Trupën e Teatrit shkon në ndëshkimoren e Nishit për të shfaqur para të burgosurve dramën e njohur “Duke pritur Godonë”. Jusufi shfrytëzon rastin për t’u dërguar burgosurve politikë këtë mesazh: “Mbahuni e mos u mërzitni, nuk jeni vetëm. Të gjithë jemi me ju. E ardhmja është jona. Liria po vjen”.
Mirëpo, me t’u kthyer kupton se letra kishte rënë në dorë të policisë. E marrin në pyetje, bëjnë presion mbi të dhe për pasojë e heqin nga puna. Më 1971 punësohet në Shkup, si përkthyes në “Flakën e vëllazërimit”. Më 1973 fillon të punojë në “Rilindje”, ku më 1978 bëhet redaktor i faqes për radion dhe televizionin. Ishte këngëtar me emër në estradën e Kosovës.
Më 1975 botoi përmbledhjen e parë “Fluturojnë e bien”, më 1978 “Kanjushë e verdhë”, më 1979 “Shenjat e shenjta”. Ndërkaq, romanin e parë “Dy florinj të një dashurie” e shkroi më 1975, por nuk u botua. Edhe romani tjetër “Rrotull” u botua vetëm pasi e vranë. Gjithashtu, pas vdekjes u botua edhe drama “Procesi”. Një nacionalist i zëshëm, hyri në radarin e Policisë sekrete jugosllave, duke u shtyrë që të kërkonte azil në Gjermani ku themeloi Lëvizjen Popullore për Republikën e Kosovës që më pas u nda në dy fraksione Lëvizja Popullore e Kosovës dhe Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës.
Në mërgim Jusufi merret aktivisht me publicistikë. Do të ndihmojë në nxjerrjen e gazetës “Bashkimi”, më vonë të gazetës “Liria”.
Në gusht të vitit 1980 nxjerr gazetën “Lajmëtari i Lirisë” (tre numra). Më 1 tetor 1981 nxjerr gazetën “Zëri i Kosovës” (dy numra). Në verë të vitit 1980 bie në kontakt me një grup të organizuar ilegal në rrethin e Deçanit, konkretisht me Ismail Haradinajn nga Gllogjani. Këtij grupi Jusuf Gërvalla i dërgon materialet e organizatës dhe njëherësh disa qindra kopje të gazetës “Lajmëtari i lirisë” dhe përmes tij formon Komitetin e LNÇKVShJ-së për Komunën e Deçanit.
Vrasja dhe çfarë i tha policisë gjermane
Jusuf Gervalla para se të vdesë, arriti t’i thotë policisë gjermane: “Neve na vrau UDB-a jugosllave”! Vendimi për ekzekutimin e kundërshtarëve politikë, normalisht është marrë në nivelin më të lartë të vendit. Fillimisht, shërbimet informative kanë mbledhur të gjitha të dhënat e mundshme për viktimën e ardhshme: adresën, vendi ku banon, kati, fqinjët, zakonisht është përgjuar telefoni në atë mënyrë që në bodrum ose në gypat ku janë vënë telat e telefonit kanë instaluar mikrofonat, sjelljen (ku dhe me kë rri, ku punon, me ç’ka udhëton, me kë praktikon hyrje-dalje etj.).
Plagoset në atentatin e 17 janarit 1982 dhe vdes pas katër orësh në spitalin e Heilbronit. Më 18 janar 1982 Jusufi bashkë me të vëllanë, Bardhoshin, dhe Kadri Zekën u vranë nga shërbimi sekret Jugosllav në lokalitetin Untergruppenbach pranë Shtutgartit në Gjermaninë Perëndimore asokohe.
Të gjitha këto të dhëna janë konkretizuar edhe me vizatime ekspertësh e fotografi. Pasi është analizuar dosja, është caktuar ekipi i atentatorëve dhe i mbështetësve, eliminuesve të gjurmëve të mundshme etj. Krahas kësaj janë përgatitur edhe dezinformatat, të cilat i ka përhapur rrjeti agjenturor para dhe pas atentatit. Në këtë veprimtari përfshihen edhe letrat dhe telefonatat anonime drejtuar organeve gjyqësore, mediave dhe personaliteteve të ndryshme.
Synimi ishte që jo vetëm të fshihen gjurmët, por edhe të futet konfuzion sa më i madh dhe krimi politik të paraqitet si qërim hesapesh mes rivalëve politikë apo si qërim hesapesh mes përfaqësuesve të nëntokës etj. Kështu ndodhi edhe me rastin e atentatit kundër vëllezërve Gërvalla e Kadri Zekës.