Foto: IPKO
IPKO, kompania kryesore e telekomunikacionit në Kosovë, vazhdon të tregojë angazhimin e saj të fortë ndaj komunitetit përmes mbështetjes së Kopshtit SOS në Prishtinë.
Falë kësaj ndihme, institucioni do të përmirësojë ndjeshëm sistemin e ngrohjes dhe ftohjes, duke krijuar një ambient më të sigurt dhe më të rehatshëm për mbi 130 fëmijë që përfitojnë nga shërbimet e tij çdo vit.
Në mesin e këtyre fëmijëve, ndodhen ata nga familje me të ardhura të ulëta, fëmijë me nevoja të veçanta dhe ata që janë nën kujdesin e SOS Fshatrave të Fëmijëve, një organizatë e angazhuar për edukimin gjithëpërfshirës që nga themelimi i saj në vitin 2002.
Në kuadër të këtij projekti, Kopshti SOS do të kalojë nga një sistem të vjetër dhe të shtrenjtë ngrohjeje me naftë në një sistem modern dhe ekologjik të kondicionimit të ajrit. Ky përmirësim do të reduktojë shpenzimet e ngrohjes dhe energjisë deri në 60%, duke ndihmuar institucionin të përmirësojë kushtet e tij operacionale dhe të zvogëlojë ndikimin mjedisor.
Donacioni i IPKO mbulon plotësisht koston e projektit, duke përfshirë pajisjet, instalimin, punimet elektrike dhe modifikimet strukturore. Përveç mbështetjes financiare, IPKO mbetet e angazhuar për ndihmën në ndërtimin e një të ardhmeje më të qëndrueshme për fëmijët e Kosovës.
“Jemi të lumtur që mbështesim Kopshtin SOS në misionin e tij për të ofruar edukim dhe kujdes cilësor për të gjithë fëmijët, pa dallim. Ky donacion është pjesë e angazhimit tonë të vazhdueshëm për përgjegjësinë sociale të korporatës, me fokus në qëndrueshmërinë mjedisore dhe mirëqenien e komunitetit. Jemi krenarë që kontribuojmë në një projekt kaq të rëndësishëm, i cili do të ketë një ndikim afatgjatë në jetën e këtyre fëmijëve,” u shpreh Andras Pali, CEO i IPKO-së.
Ky investim është jo vetëm një përmirësim infrastrukturor, por edhe një hap i rëndësishëm për sigurimin e një ambienti më të ngrohtë, më të rehatshëm dhe më të përshtatshëm për zhvillimin e fëmijëve.
Për më tepër, ulja e kostove të energjisë do t’i mundësojë Kopshtit SOS të rrisë investimet në programet edukative, duke përfituar drejtpërdrejt fëmijët që frekuentojnë kopshtin.
IPKO vazhdon të mbetet një mbështetës i fortë i mirëqenies dhe edukimit të fëmijëve, duke investuar në projekte që sjellin ndryshime të qëndrueshme në shoqëri. Për më shumë informacion, vizitoni www.ipko.com.