spot_img

35 milionë euro për ndërtimin e 22 kilometrave të parë të rrugës Prizren-Tetovë

Foto: ZKM

Punimet në rrugën Prizren-Tetovë inspektohen nga ministrat e Infrastrukturës të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut

Ministri i Infrastrukturës i Kosovës, Liburn Aliu, dhe ministri i Infrastrukturës së Maqedonisë së Veriut, Aleksandër Nikoloski, inspektuan punimet në rrugën Prizren-Tetovë, ku aktualisht po punohet në të gjithë trasenë e rrugës. Ata theksuan se projekti po ecën sipas planit dhe se po pritet përfundimi i projektit final të tunelit për të nisur fazën përfundimtare të ndërtimit.

Gjatë vizitës, ministri Aliu theksoi rëndësinë strategjike të këtij projekti për të gjithë rajonin, duke krijuar një lidhje të drejtpërdrejtë mes Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

„Ky projekt, me një kosto prej 35 milionë eurosh për 22 kilometrat e parë, do të mundësojë një lidhje të drejtpërdrejtë mes autostradës dhe tunelit. Përmes rrugëve ekzistuese, si ajo nga fshati Manastiricë, do të kemi një lidhje të rëndësishme edhe me rrugën që shpie në Prevallë. Kjo do të lehtësojë lëvizjen jo vetëm për banorët lokalë, por edhe për qytetarët nga Shqipëria, të cilët do të mund të vizitojnë Parkun Nacional të Sharrit nga të dyja anët e kufirit,“ deklaroi ministri Aliu.

Nga ana tjetër, ministri Nikoloski theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve në projekte të tilla madhore.

„Jemi duke finalizuar dizajnin e projektit, i cili do të na japë një vlerësim më të saktë të kostos së përgjithshme. Marrëdhëniet e mira me qeverisjen aktuale janë një faktor kyç për realizimin e këtij projekti, dhe shpresojmë që kjo bashkëpunim të vazhdojë edhe me qeverinë e ardhshme,“ tha Nikoloski.

Sipas zëvendësministrit Hysen Durmishi, 5 kilometrat e fundit të rrugës do të presin përfundimin e projektit të tunelit për t’u realizuar plotësisht.

Ndërtimi i rrugës Prizren-Tetovë ka filluar në gusht të vitit 2024 dhe po zhvillohet në tri lote, duke përfshirë segmentet më të rëndësishme për lidhjen mes dy qyteteve dhe rajoneve përreth.

ARTIKUJ TË LIDHUR
- Advertisment -spot_img

U lexua shpesh

- Advertisment -spot_img