27 vite më parë Ushtria Çlirimtare e Kosovës në Gllogjan ka zhvilluar njërën nga betejat më të ashpra me ushtrinë serbe. Kjo ngjarje ndryshe njihet Epopeja e Dukagjinit.
E për nder të kësaj dite, sot do të ketë disa aktivitete, e cila njihet edhe si Dita e Dëshmorëve të Dukagjinit dhe fillimit të sulmeve të NATO-s.
“Të nderuar pjesëmarrës, Familje të lavdishme të dëshmorëve, Luftëtarë të lirisë dhe veteranë të shquar, Të rinj dhe të reja, trashëgimtarë të idealeve kombëtare, Miq dhe bashkëkombës të dashur.
Sot, në këtë ditë të shënuar të 27-vjetorit të Epopesë së Dukagjinit, jemi mbledhur me zemra plot krenari e respekt për të përkujtuar dhe nderuar luftën e lavdishme të bijve dhe bijave tona që ndezën dhe mbajtën gjallë flakën e lirisë jo vetëm në Dukagjin, por në tërë Kosovën tonë të dashur. Dukagjini, ky vend i heronjve të mëdhenj dhe qëndresës së palëkundur, ka qenë gjithmonë një fortesë e rezistencës kombëtare, vendlindje e trimave që me gjakun e tyre shkruan historinë më të lavdishme të popullit shqiptar. Këtu në këtë tokë të shenjtë u dëgjua thirrja e fuqishme për liri, këtu u ndezën flakët e luftës që shndritën gjithë Kosovën, këtu u mor edhe haku i familjes legjendare Jashari, që u bënë simbol i qëndresës mbarëkombëtare. Në këtë ditë të shenjtë, nderojmë dhe kujtojmë me përulësi të thellë të gjithë dëshmorët dhe dëshmoret që dhanë jetën e tyre për lirinë dhe dinjitetin tonë kombëtar. Sot nuk përmendim emra veç e veç, sepse secili prej tyre meriton një vend të posaçëm në zemrat tona. Sakrifica e tyre heroike dhe gjaku i tyre i shtrenjtë u bë themeli mbi të cilin ne sot gëzojmë lirinë. Sot, ky manifestim madhështor është një mesazh i fuqishëm që brezat tanë të rinj të kujtojnë e të mbajnë gjallë historinë e tyre krenare, të frymëzohen nga heroizmi dhe sakrifica e këtyre bijve e bijave që nuk kursyen as jetën për Kosovën dhe kombin tonë. Përmes aktiviteteve sportive, kulturore dhe artistike, ne dëshmojmë se trashëgimia jonë historike nuk harrohet kurrë dhe se amaneti i dëshmorëve është në duar të sigurta, në duart e brezave të ardhshëm. Le të jetë kjo ditë jo vetëm për të kujtuar me nderime të thella e lot në sy, por edhe për të reflektuar për përgjegjësinë që kemi për ta çuar përpara ëndrrën e madhe të dëshmorëve: Një Kosovë të lirë, të bashkuar, të fortë dhe krenare. Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit! Lavdi luftës heroike të Dukagjinit! Lavdi kombit shqiptar! Ju faleminderit dhe u qoftë gjithmonë i gjallë ideali i lirisë!” thuhet në komunikatën e LPK-së./ZëriiKosovës
