Me krenari të ligjshme e quajmë Epoka Lavdimadhe Enveriane.
Epokat e popullit shqiptar janë matur: herë me disa vite, herë me një ose disa dekada, herë me një çerek shekulli, apo edhe me shekuj të tërë.
Por një gjë është e vërtetë dhe e paharrueshme:
në fund të çdo epoke, populli shqiptar, gjithmonë në të drejtën e tij, ka dalë fitimtar, pavarësisht nëse ia kanë njohur apo mohuar fitoren. Ai ka dalë ballëlartë dhe shumë i nderuar.
Secila nga këto epoka ka qenë më e ndritura, më e rëndësishmja dhe më e lavdishmja, si në historinë tonë të lashtë, ashtu edhe në atë të re.
Për këtë flet vetë historia. Gjithsesi, ato zënë vendin e tyre në zinxhirin e pashkëputur të lavdisë së kombit shqiptar.
Kombi ynë ka nxjerrë burra e burrnesha, udhëheqës të mëdhenj e figura me përmasa kombëtare dhe botërore, të vlerësuar nga Evropa dhe më gjerë.
Një nga këta udhëheqës të shquar ka qenë Skënderbeu, që ka zënë vendin e merituar në histori si Epoka e Skënderbeut.
Një tjetër udhëheqës i madh, i vlerësuar edhe nga personalitete të mëdha botërore si udhëheqësi më i madh i kombit shqiptar, ka qenë dhe mbetet arkitekti i ndërtimit të Shqipërisë së Re Socialiste – Enver Hoxha, që bëri Epokë.
Në historiografinë shqiptare ajo quhet me të drejtë Epoka Enveriane, pasi askush nuk mund të matet me figurën e tij të shquar.
Roli i Enver Hoxhës në historinë e Shqipërisë
Nuk ka ngjarje e zhvillime të mëdha historike, qoftë gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare apo gjatë ndërtimit të Shqipërisë së Re Socialiste, pa pjesëmarrjen dhe kontributin e paçmuar të Enver Hoxhës.
Nuk ka betejë heroike të Partisë dhe të popullit shqiptar gjatë viteve të LANÇ-it e të pesëdhjetë viteve të socializmit, që të mos jetë e lidhur me emrin e tij.
Enver Hoxha ka qenë jo vetëm pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në të gjitha kthesat historike, por edhe personaliteti më i shquar që ka drejtuar dhe çuar vendin e popullin nga fitorja në fitore.
Në figurën e tij, populli dhe komunistët panë të mishëruara virtytet më të larta të kombit tonë: mençurinë, urtësinë popullore, karakterin luftarak e fisnik, shpirtin kryengritës e bujar, kalitur në luftrat shekullore për liri e pavarësi, për dritë e dije, për tokë e bukë.
Në historinë e kombit shqiptar, askush nuk mund të krahasohet me Enver Hoxhën për gjithçka që ai bëri dhe dha për popullin e tij.
Ai ishte themeluesi, organizatori dhe udhëheqësi i PKSH-së (PPSH-së); strategu legjendar i LANÇ-it dhe i revolucionit popullor; krijuesi i pushtetit të ri popullor, burrë shteti i shquar dhe arkitekti i socializmit shqiptar.
Themelues e Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Kryetar i Këshillit të Mbrojtjes së Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, personalitet i madh i komunizmit ndërkombëtar dhe i luftës çlirimtare të popujve të shtypur.
Figura e Enver Hoxhës është e jashtëzakonshme: ai ia kushtoi jetën pa rezerva popullit, atdheut, Partisë dhe çështjes së komunizmit.
Sekretar i Parë i KQ të PPSH-së, Kryeministër, Kryetar i Frontit Demokratik të Shqipërisë, deputet i Kuvendit Popullor, dy herë Hero i Popullit dhe Hero i Punës Socialiste.
Për kontributet e tij të veçanta, është vlerësuar nga komunistët e vërtetë dhe proletariati botëror si klasik i marksizëm-leninizmit, i radhitur me dinjitet përkrah Marksit, Engelsit, Leninit e Stalinit.
Trashëgimia e Epokës Enveriane
Pa Enver Hoxhën nuk do të kishte pasur Parti të vërtetë Komuniste të Shqipërisë, nuk do të ishte fituar Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare, as do të ishte vendosur pushteti i popullit.
Nuk do të ishin arritur fitoret e mëdha socialiste në arsim, kulturë, shëndetësi, bujqësi, industri, emancipim shoqëror e familjar, as do të ishte zhdukur gjakmarrja apo prapambetja feudale.
Pa Enver Hoxhën nuk do të kishte Kosovë e as këtë Shqipëri që kemi sot, sepse superfuqitë e kohës do ta kishin copëtuar.
Po të ishte gjallë Enver Hoxha, Shqipëria nuk do të ishte përmbysur dhe sot do të ishte po aq e fuqishme, madje më shumë.
Fatkeqësisht, Shqipëria e Enver Hoxhës nuk ekziston më.
Socializmi u tradhtua dhe u përmbys nga kundërrevolucioni.
Vendi është kthyer në një shtet borgjez, ku borgjezia vendase dhe ajo ndërkombëtare bëjnë eksperimente të ndyra mbi popullin.
Figura e pavdekshme e Enver Hoxhës
Prej 35 vitesh, reaksioni shqiptar në pushtet nuk ka lënë gjë pa thënë e pa bërë kundër Enver Hoxhës dhe veprës së tij, duke përdorur mjete barbare e metoda nazifashiste për ta çrrënjosur nga kujtesa popullore.
Por kolosi i kombit as është tundur, as do të tundet!
Ai është gjallë — rron mes nesh me veprën e tij të pavdekshme.
Në kohën e krizës së thellë botërore, fjalët e tij vizionare po dalin sërish të vërteta.
Enver Hoxha thoshte:
“Armiku nuk ka nevojë të përdorë tanke dhe avionë; mjafton të infektojë ambientin me viruse vdekjeprurëse, dhe je i pushtuar pa luftuar.”
Këto fjalë lapidare u vërtetuan gjatë përhapjes së koronavirusit, që gjunjëzoi mbarë botën.
Borgjezia, për të mbajtur pushtetin, nuk nguron të përdorë mjete çnjerëzore për të mbajtur popujt nën frikë e nënshtrim.
Po kështu, qëndrimi i tij i palëkundur ndaj politikave imperialiste dhe revizioniste e tregon madhështinë e tij.
Në dritën e ngjarjeve të sotme – lufta Rusi-Ukrainë, konflikti Izrael-Palestinë – ku popujt përdoren si “mish për top”, largpamësia e Enver Hoxhës shfaqet edhe më qartë.
Mesazh për brezin e ri
Veprat e Enver Hoxhës do të jetojnë në shekuj.
Ato janë një trashëgimi e paçmuar në mbrojtjen dhe zhvillimin e marksizëm-leninizmit, në ndërtimin e socializmit dhe në ruajtjen e pavarësisë kombëtare.
Epoka e tij mbetet më e ndritshmja dhe më e lavdishmja në historinë e kombit shqiptar.
I drejtohemi brezit të ri, që sot, i dëshpëruar e pa shpresë, po largohet jashtë vendit për një jetë më të mirë:
Jeta më e bukur dhe më e mirë ndërtohet në atdheun tënd, nëse di si ta jetosh dhe ta ndërtosh.
Udhëhequni nga mësimet e pavdekshme të kolosit Enver Hoxha; luftoni për të ndërtuar jetën në Shqipëri, për t’i kthyer besimin e shpresën popullit që sot ndodhet në udhëkryq.
LAVDI ENVER HOXHËS!
🖊️ (Nga Shpresa Bajraktari)


