Superliga shqiptare e futbollit mbylli këtë të hënë (dje) raundin e 24-t me dy ndeshjet e mbetura. Në Korçë, Skënderbeu humbi 0-2 kundër Laçit, ndërsa Teuta dhe Dinamo barazuan 0-0. Është Egnatia që prin renditjen pas kësaj jave. Në “Niko Dovana” të Durrësit skuadrat e Teutës dhe Dinamos barazuan 0-0. Bledar Devolli shijon pikën e parë në stolin durrsak, me ekipin që barazon pas katër humbjeve. Nga ana tjetër Ilir Daja sheh barazimin e tretë radhazi për Dinamon. Në stadiumin e Korçës, Skënderbeu pësoi humbjen e 12-të sezonale.
Për këtë u kujdes Laçi që mori tri pikë falë fitores 0-2. Në stadiumin e Korçës, Skënderbeu pësoi humbjen e 12-të sezonale. Për këtë u kujdes Laçi që mori tri pikë falë fitores 0-2. Bullari në minutën e 41 dhe Cordeiro katër minuta nga fundi ishin autorët e golave. Raundi i 24-t nisi të diel (9 shkurt) me derbin Partizani 1-1 Tirana. Tej paraqitjes në fushë, protagonistë ishin edhe tifozët të cilët u përleshën para ndeshjes, e cila nisi me 30 minuta vonesë për shkak se policia nuk ishte e pranishme për të shoqëruar ekipin e Tiranës. Sa i takon renditjes, Egnatia me 45 pikë mban vendin e parë, ndjekur nga Vllaznia me dy pikë më pak. Në “Final 4” edhe Partizani me Dinamon. Në fund Teuta, Tirana dhe Skënderbeu.
Këto janë rezulltatet:
E diel, 09 shkurt 2025
13:30 Partizani 1-1 Tirana
17:00 AF Elbasani 1-2 Egnatia
17:00 Vllaznia 3-0 Bylis
E hënë, 10 shkurt 2025
17:00 Skënderbeu 0-2 Laçi
17:00 Teuta 0-0 Dinamo
Reagon FSHF
Ndërkohë dje Federata e Futbollit ka reaguar mbi incidentet në përballjen mes Partizanit dhe Tiranës. Gjatë ndeshjes dhe pas saj pati dhunë dhe përplasje mes tifozëve, teksa Partizani akuzoi policinë që nuk mori përsipër mbarëvajtjen e ndeshjes. Vetë Policia reagoi sot duke ja faturuar përgjegjësinë FSHF-së dhe klubit. FSHF në reagimin e saj shprehet se është përgjegjësi e forcave të rendit mbarëvajtja e sigurisë. “Policia e Shtetit ka mbërritur me vonesë në stadiumin e Partizanit, duke lënë hapësirë për përplasjen e tifozerive jashtë stadiumit, siç duket qartë pa asnjë plan masash, që zakonisht bëhet publik gjithmonë para ndeshjeve derbi. Madje, Policia nuk mori përsipër fillimisht për të shoqëruar ekipin e Tiranës drejt stadiumit, gjë që solli edhe shtyrjen e ndeshjes me 30 minuta”, shprehet FSHF. Sakaq FSHF kërcënon se në rast se kjo situatë do të vijojë dhe institucionet nuk bëjnë punën e tyre, organizmi i futbollit mund të marrë edhe masën ekstreme të pezullimit të garave kombëtare të futbollit për një afat të pacaktuar.