Qarku i Kukësit është përfshirë nga reshjet e shiut në zonat e ulëta, ndërsa në zonat malore janë rikthyer reshjet e dëborës. Ndërkohë, reshje bore ka edhe në qarkun Dibër, ku drejtuesve të mjeteve në Rrugën e Arbërit u kërkohet që të tregojnë kujdes. Po ashtu, dëbora ka mbuluar edhe Pogradecin.
Reshjet e dëborës kanë rikthyer dimrin në disa qytete të vendit, edhe pse aktualisht jemi në stinën e pranverës. I gjithë territori i Qarkut Kukës është përfshirë nga reshje shiu e borë, të cilat vazhdojnë të jenë të pranishme. Edhe zonat e ulëta dhe tre qytetet e verilindjes, Kukësi, Bajram Curri dhe Kruma janë zbardhur nga dëbora.
Paraditen e kësaj të diele reshje bore pati edhe në zonat e larta malore. Të gjitha akset rrugore nacionale janë të qarkullueshme normalisht. Nga subjektet kontraktore vazhdon puna për pastrimin nga bora dhe kriposjen e atyre segmenteve ku ka qenë e nevojshme me qëllim mbajtjen funksionale të tyre.
Reshje të dendura bore aktualisht ka edhe në të gjithë Rrugën e Kombit, kompania mirëmbajtëse bën të ditur se deri më tani nuk ka probleme në qarkullimin e mjeteve. Në Rrugën e Kombit nga Fan-Tunel-Kukës-Morinë janë 18 borëpastuese që po bëjnë pastrimin e rrugës dhe hedhjen e kripës.