🖊️ Shkruan: Xhevtat Hasani
Më 10 qershor 2025, me rastin e 147-vjetorit të themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Bajram Begaj, zhvilloi një vizitë në qytetin e Prizrenit dhe në kompleksin memorial kushtuar kësaj ngjarjeje historike kombëtare.
Por, në një zhvillim befasues dhe të pakëndshëm, në pritje të Presidentit Begaj nuk ishte i pranishëm askush nga niveli qendror i institucioneve të Kosovës – përveç kryetarit të Komunës së Prizrenit, z. Shaqir Totaj. Mungesa e përfaqësuesve të lartë shtetërorë të Kosovës në këtë vizitë zyrtare u interpretua gjerësisht si injorim institucional dhe mosvlerësim i marrëdhënieve ndërkombëtare mes dy vendeve shqiptare.
Ky nuk është një rast i izoluar
Kjo është hera e dytë që Presidenti i Shqipërisë nuk merret në konsideratë gjatë qëndrimeve të tij në Kosovë. Kujtojmë se vite më parë, z. Begaj, gjatë një vizite tjetër në Kosovë, kishte ftuar përfaqësuesit e të gjitha partive politike për një takim të përbashkët në Kuvendin e Kosovës. Ndërsa shumica iu përgjigjën pozitivisht, vetëm Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) refuzoi pjesëmarrjen dhe, sipas burimeve, kishte përcjellë mesazhin:
“Ne nuk vijmë te ti, por nëse dëshiron, eja ti në zyrën e LDK-së.”
Nga vëllazëri simbolike në heshtje reale
Dikur, marrëdhëniet Kosovë–Shqipëri ishin të ngrohta, plot nisma dhe vizita dypalëshe. Mbaheshin takime ndërqeveritare, zhvilloheshin projekte të përbashkëta dhe dialogu ishte i hapur.
Sot, gjithçka është ndalur.
Nuk ka takime zyrtare. Nuk ka shkëmbime politike. Nuk ka vizita. Bashkëpunimi është zëvendësuar nga heshtja. Presidenti Begaj, me vizitën e tij simbolike në Prizren, dukej se donte të thyen këtë moratorium të pashkruar në marrëdhënie. Por, kot. Askush nuk iu përgjigj.
Një reflektim i hidhur
“E çuditshme është kjo botë: dikush vuan që s’ka vëlla, dikush vuan pse ka vëlla.”
Kosova dhe Shqipëria, në vend se të sillen si dy shtete me vlera të përbashkëta dhe histori të përbashkët kombëtare, po sillen si të ishin të rëna në gjak – me ftohtësi, mospërfillje dhe distancim institucional.
Ky injorim nuk është vetëm ndaj një personi – është injorim ndaj simbolikës, bashkimit dhe vëllazërisë kombëtare shqiptare.