🖊️ A. Hasani
Gjermania dhe BE-ja duhet të ndërtojnë qëndrim për zgjidhjen e statusit edhe për të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc
Shqiptarët në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë përballen me sfida të ndryshme në fushën e të drejtave politike, sociale dhe ekonomike, ndërsa kërkojnë përmirësimin e statusit të tyre.
Për gjendjen e tyre ka folur edhe, zëdhënësi për Politikë të Jashtme i partisë SPD në Gjermani, Adis Ahmetović, deklaroi se “situata e pakicës shqiptare në Serbi nuk ka qenë prioritet as në agjendën gjermane, as në atë evropiane”.
Ai theksoi se “ajo që qeveria serbe kërkon për pakicën serbe në Kosovë duhet të zbatohet njësoj edhe për pakicën shqiptare në Serbi”. Këto komente deputeti i Bundestagut i bëri gjatë një interviste për Deutsche Welle.
Në një prononcim për “Bota sot”, veprimtari Refik Hasani në prononcim për “Bota sot” vlerëson si pozitiv faktin që në Bundestagun gjerman, për herë të parë, një zëdhënës i SPD-së, Adis Ahmetović, pranoi se çështja e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc nuk ka qenë prioritet në agjendën gjermane dhe evropiane.
“Shtrimi dhe diskutimi në Bundestagun Gjerman, nga Zëdhënësi për Politikë të Jashtme i partisë SPD në Gjermani, Adis Ahmetović, është për t’u përshëndetur, sepse për herë të parë u tha dhe u pranua publikisht dhe zyrtarisht, në njëfarë mënyre, nga një zëdhënës i një subjekti në Gjermani, se për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc dhe për shqiptarët në Serbi nuk ka qenë prioritet as në agjendën gjermane, as në atë evropiane.
Edhe pse me një vonesë tepër të madhe, një vonesë të pajustifikueshme, sepse jo vetëm institucionet e BE-së, por edhe politika dhe diplomacia gjermane kanë aplikuar dy standarde për dy pakica, ku për pakicën shqiptare në Serbi dhe pakicën serbe në Kosovë kanë ndjekur dy diskurse të ndryshme nga Gjermania dhe BE-ja. Vazhdimisht në prononcimet e mia, në vështrime e opinione, është tërhequr vëmendja se BE-ja po ndjek dy standarde për dy pakicat.
Të gjithë emisarët për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, që pas vitit 1999, rregullisht jo vetëm kanë vizituar vendbanimet e pakicës serbe në Kosovë, por i kanë takuar e ftuar edhe në instanca të BE-së në Bruksel. Në anën tjetër, jo; nuk i kanë vizituar e as takuar përfaqësues të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, të cilët kanë qenë të harruar dhe të lënë pas dore, nuk i kanë trajtuar, pa asnjë trajtim adekuat. Kështu, edhe përfaqësuesit e lartë të BE-së, duke mos e trajtuar këtë krahinë, po e diskriminojnë krahinën shqiptare në Serbi.
Kështu kanë përsëritur gabimet e rënda e të njëpasnjëshme, duke praktikuar dy standarde për dy pakica. BE-ja ka shkelur vullnetin plebishitar të kësaj krahinë, Referendumin e datës 1 e 2 mars 1992. BE-ja nuk ka respektuar e zbatuar asnjë nga pikat e marrëveshjes së Konçulit, që në këtë rast faktori politik nga BE-ja dhe ushtarak nga NATO-ja, dihet mirëfilli se kanë monitoruar dhe janë garantues ndërkombëtarë për zbatimin e marrëveshjes së Konçulit”, tha ai.
Ai thekson se mungesa e trajtimit të kësaj çështjeje nga BE-ja dhe Gjermania është e njohur ndërkombëtarisht dhe përbën diskriminim të shqiptarëve, ndryshe nga trajtimi pozitiv që pakica serbe në Kosovë ka marrë nga BE-ja, çka është një formë e diskriminimit pozitiv që nuk e gëzon asnjë pakicë tjetër në Evropë.
“Emisarët për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë nuk po e trajtojnë fare Preshevën, Medvegjën e Bujanocin. Këto veprime janë shkelje edhe të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut të vitit 1948, Konventës Kornizë të Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Pakicave, Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, si dhe Udhëzuesit mbi Nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Se për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc dhe për shqiptarët në Serbi nuk ka qenë prioritet as në agjendën gjermane, as në agjendën evropiane, tani dihet botërisht nga gjithë opinioni ndërkombëtar.
Dihet mirëfilli se gjithë ish-emisarët e BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë fare nuk e kanë trajtuar çështjen e pazgjidhur të krahinës shqiptare, e cila ka qenë e harruar dhe e lënë pas dore. Përveç Serbisë, që po na diskriminon, edhe BE-ja realizon një veprim duke na diskriminuar në mos-trajtim dhe mos-tretman.
Ndërkohë, pakicën serbe në Kosovë e ka favorizuar dhe e ka trajtuar në kuptimin e diskriminimit pozitiv, aq sa asnjë pakicë në BE nuk gëzon këto të drejta”, potencoi ai.
Hasani kërkon që politika dhe diplomacia gjermane dhe BE-ja të ndërmarrin një qëndrim objektiv dhe të drejtë për shqiptarët në këtë krahinë, duke mos përsëritur gabimet e mëparshme dhe duke shmangur dy standarde për pakicat. Ai shpreson që fjalimi i zëdhënësit të SPD-së, Adis Ahmetović, të jetë një kthesë pozitive.
“Se për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc dhe për shqiptarët në Serbi, nuk ka qenë prioritet as në agjendën gjermane, as në atë evropiane. Përkundrazi, vazhdojmë të përballemi dhe ballafaqohemi me diskriminim në polici, në zinxhirin komandues, në përfaqësimin në institucionet lokale dhe qendrore të Republikës së Serbisë, në përdorimin e gjuhës shqipe, në përdorimin e simboleve kombëtare, në shëndetësi, administratë tatimore, dhe gjithashtu ka diskriminim edhe në kulturë, informim, investime dhe zhvillim ekonomik. Po ashtu, vërehet diskriminim edhe në pasivizimin e adresave – një “pastrim etnik” i heshtur.
Përkundrazi, vërehet një përkeqësim i situatës, edhe pse në Bujanoc më 12 gusht, në Preshevë më 23 shtator 2024, dhe në Medvegjë më 3 nëntor 2024 u mbajtën tre protesta radhazi, si forma të manifestuara, demonstrime dhe marshe paqësore.
Megjithatë, asgjë nuk ndryshoi. Këto protesta paqësore me mbështetje gjithëpopullore prodhuan dhe dhanë një alarm dhe një mesazh paqeje – një mesazh drejtuar Beogradit zyrtar për të ndaluar diskriminimin, por edhe BE-së që të vizitojë, rrisë prezencën dhe monitorimin duke garantuar të drejtat individuale dhe kolektive.
Sfidat vazhdojnë, pasi statusi politik i Krahinës Shqiptare, i mbetur padrejtësisht nën administrimin e Serbisë, nuk është zgjidhur ende, përkundër vullnetit plebishitar të kësaj krahinë, referendumin e datës 1 e 2 mars 1992 dhe kryengritjes së armatosur të UÇPMB-së, që mbrojti pragun, dinjitetin dhe identitetin e kësaj krahinë, si dhe arritjes së marrëveshjes së Konçulit.
Mungon liria e lëvizjes, ka pasiguri në mesin e qytetarëve të kësaj krahinë, dhe ekziston një militarizim i lartë në këtë rajon, me arsenal të madh dhe të ndryshëm armatimesh luftarake në gatishmëri, që synon të krijojë panik, frikë dhe psikozë. Serbia i ka shtuar forcat e armatosura dhe shërbimet e inteligjencës, dhe aktualisht pas 24 vjetësh ka 48 minibaza në Zonën Tokësore të Sigurisë, duke e rritur militarizimin në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.
Shqiptarët në Serbi jetojnë në kushte diskriminimi klasik, që demotivon rininë dhe kuadrot e shkolluara, duke i ekspozuar frikës, urrejtjes, militarizimit dhe nën tendenca të vazhdueshme për shpërngulje, migrim e asimilim.
Politika dhe diplomacia gjermane, por edhe të gjitha instancat dhe mekanizmat e BE-së duhet të ndërtojnë qëndrim të drejtë, objektiv dhe real për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc dhe shqiptarët në Serbi, duke mos përsëritur gabimet e rënda të paraardhësve, duke praktikuar dy standarde për dy pakica.
Mbetemi të shpresojmë se zëdhënësi për Politikë të Jashtme i partisë SPD në Gjermani, Adis Ahmetović, do të jetë një kthesë për së miri”, ka potencuar ai.
Hasani thekson se rruga e anëtarësimit të Serbisë në BE duhet të kalojë përmes zgjidhjes së statusit të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, që është një nga rajonet më të diskriminuara dhe të pazhvilluara në Evropë, dhe kjo çështje duhet të trajtohet edhe nga BE-ja dhe OKB-ja.
“Po, është më se e vërtetë që kërkesat janë parashtruar dhe artikuluar, por për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc dhe më gjerë në Serbi, kjo çështje nuk ka qenë prioritet as në agjendën gjermane dhe as në atë evropiane.
Tani presim një trajtim të drejtë, real dhe objektiv, pasi janë mbajtur dhe organizuar Referendumi i datave 1 dhe 2 mars 1992, si dhe kryengritja e armatosur e UÇPMB-së, që mbrojti pragun, dinjitetin dhe identitetin e kësaj Krahine, si dhe arritjen e Marrëveshjes së Konçulit.
Sfidat vazhdojnë, pasi statusi politik i Krahinës shqiptare, i cili padrejtësisht mbetet nën administrimin e Serbisë, nuk është zgjidhur ende, pavarësisht vullnetit plebishitar të kësaj Krahine dhe kryengritjes së armatosur të UÇPMB-së.
Është momenti i fundit që në agjendat e institucioneve më të larta gjermane dhe të Bashkimit Evropian të ndërtohet një qëndrim institucional i qartë, pa dy standarde, për pakicën shqiptare në Serbi, ashtu si për pakicën serbe në Kosovë.
Bundestagu gjerman dhe Parlamenti i BE-së duhet të miratojnë REZOLUT, kundër diskriminimit në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Roli i Gjermanisë dhe Bashkimit Evropian në këtë aspekt është shumë i rëndësishëm dhe i domosdoshëm.
Serbia duhet të ndalojë menjëherë diskriminimin në këto 3 komuna, duke pasur parasysh se aty janë mbajtur Referendumi i 1-2 marsit 1992 dhe kryengritja e armatosur e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Për këtë arsye u nënshkrua edhe Marrëveshja e Konçulit më 20 maj 2001.