Posta nga Haga
Me këtë titull, në numrin e fundit të gazetës „Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung“ (FAS), një faqe e plotë i kushtohet artikullit të gazetarit Michael Martens, që trajton ish-presidentin e Kosovës në burgun e Hagës, zotin Hashim Thaçi. Në faqe është vendosur edhe një fotografi e madhe e Hashim Thaçit dhe Joschka Fischer-it nga një takim i tyre zyrtar në Bonn, në vitin 1999, pas Konferencës së Rambujesë (Rambouillet).
Michael Martens, në fund të dhjetorit 2025, merr një letër nga Gjykata Speciale në Hagë me një përgjigje pozitive për një kërkesë të FAS-it për një intervistë me Hashim Thaçin. Në fakt, një intervistë me ish-presidentin e Kosovës në burg kishte qenë një ide e vjetër, por njohës të situatës e kishin paralajmëruar Martensin se një intervistë me të mund të interpretohej nga dëshmitarët si një sinjal se Thaçi kishte një rrjet të fuqishëm në shtypin e madh perëndimor dhe kështu mund të ushtronte ndikim negativ mbi ta dhe mbi dëshmitë e tyre.
Tani që gazeta e boton këtë artikull dhe intervistën e plotë në origjinal në uebfaqen e gazetës FAZ, në vitin 2026, ky rrezik nuk ekziston më. Kështu, Gjykata merr një vendim pozitiv për kërkesën e gazetës gjermane për intervistë dhe e njofton, përmes postës elektronike, gazetarin e interesuar, duke i kërkuar t’i dërgojë pyetjet me shkrim. Gazetari gjerman do të kishte preferuar një intervistë të drejtpërdrejtë, me nënpyetje kritike, prandaj për lexuesin boton këtë shkrim dhe jo intervistën, e cila i nënshtrohet një censure gjyqësore që e dëmton intervistën si formë autentike e shprehjes së të burgosurit. Martens nënshkruan edhe një marrëveshje shtesë se nuk guxon të shtojë asgjë në përgjigjet me shkrim të intervistës.
Martens shkruan se që nga qershori i vitit 2023 ka ekzistuar interesi për një intervistë me Thaçin e burgosur, dikur president i Kosovës, udhëheqës politik i UÇK-së dhe shef i delegacionit kosovar në Rambuje. Ai thekson se arrestimi dhe dërgimi i Thaçit në burgun e Hagës mund të ndikonte edhe në perceptimin ndaj Qeverisë Federale të Gjermanisë, si dhe ndaj Perëndimit (NATO-s), për sulmet ajrore ndaj Jugosllavisë/Serbisë dhe Malit të Zi, pasi mund të lindte pretendimi se Gjermania, përkatësisht NATO-ja, kishte bashkëpunuar me një kriminel lufte. Në këtë mënyrë, Martens bën të njohura edhe motivet e tij për këtë intervistë dhe nxit reflektimin e lexuesit.
Artikulli fillon me këtë fjali: „Kjo histori bën fjalë për një kriminel lufte – apo për një gabim grandioz juridik.“ Autori vazhdon duke thënë se cila nga këto dy alternativa do të rezultojë e vërtetë ende nuk dihet, por se epilogu do të bëhet i qartë së shpejti.
Ndërkohë që në Shqipëri institucionet shtetërore janë shprehur kundër dënimit të Thaçit dhe të tjerëve në aktakuzë, në Kosovë një pjesë e spektrit politik ka heshtur, duke kërkuar kështu tërthorazi dënimin e tij, edhe pse pasojat politike nuk do të mbeten brenda kufijve partiakë, por do të jenë të rënda për vetë shtetin e Kosovës, në rast të një dënimi.
Ndërsa përballemi me shumë të panjohura, dihet me saktësi se më 24 qershor 2020, Prokurori Special Jack Smith paralajmëroi ngritjen e një aktakuze ndaj presidentit Hashim Thaçi, i cili atë ditë po udhëtonte drejt Washington-it për të takuar presidentin Donald Trump. Ishte planifikuar edhe një takim me Aleksandar Vuçiqin, ku pritej të nënshkruhej një marrëveshje pajtimi mes Serbisë dhe Kosovës, një projekt i përgatitur nga ish-ambasadori i SHBA-së në Gjermani, Richard Grenell.
Ky skenar u ndërpre nga Prokuroria Speciale në Hagë, pasi Thaçi e ndërpreu udhëtimin për në Washington dhe u kthye në Prishtinë, ku dha dorëheqje nga funksioni dhe u vetëdorëzua.
Michael Martens tregon interes të veçantë për përgjigjet e Thaçit lidhur me bashkëpunimin e mekanizmave të NATO-s me UÇK-në. Ai e konsideron përgjigjen e tij si përgjigje të një burrështetasi. Thaçi thekson: „NATO-ja intervenoi në mbrojtje të vlerave të saj qendrore: lirisë, drejtësisë, të drejtave të njeriut dhe mbrojtjes së jetës. NATO-ja na ndihmoi sepse e kuptoi kush ishim, çfarë vlerash mbronim dhe çfarë përjetonim nga Millosheviqi.“
Thaçi shpreh keqardhjen që Madeleine Albright dhe Richard Holbrooke nuk janë më gjallë: „Ata do të kishin qenë dëshmitarë të jashtëzakonshëm në këtë gjyq. Ata e kuptonin kontekstin dhe veprimet tona, si dhe vendosmërinë e Millosheviqit për spastrim etnik dhe gjenocid.“
Dëbimi i rreth një milion shqiptarëve të Kosovës drejt Shqipërisë dhe Maqedonisë dëshmon qartë për këtë politikë. Thaçi thekson se, pa ndërhyrjen e NATO-s, shqiptarët e Kosovës rrezikonin zhdukjen. Sipas tij, është padrejtësi që para gjyqit të vihen ata që ishin të pambrojtur përballë një ushtrie të superarmatosur dhe të vendosur për gjenocid.
Martens paralajmëron për rrezikun e keqinterpretimit të kontekstit historik. Ai thekson se krimet e mundshme të UÇK-së ishin sporadike dhe jo sistematike si ato të forcave serbe. Thaçi shton se propaganda e Millosheviqit po merret në mënyrë jokritike si dëshmi.
Ai e krahason situatën me një analogji aktuale: sikur sot Putini të prodhonte dëshmi kundër Zelenskyt dhe ky të dënohej për mbrojtjen e Ukrainës. Ai thekson se Kosova nuk e sulmoi Serbinë, por e kundërta.
Martens shkruan se edhe avokatët e Thaçit nuk e përjashtojnë mundësinë e krimeve individuale nga pjesëtarë të UÇK-së, por thekson se ajo nuk ishte një ushtri me strukturë të qartë komanduese. Thaçi përmend edhe Wesley Clark, i cili në dëshminë e tij e mbrojti, duke e quajtur viktimë të një „fushate dezinformuese ruse“.
Dëshmitarët amerikanë u përpoqën ta çlirojnë Thaçin nga përgjegjësia, duke theksuar se UÇK-ja ishte një formacion i decentralizuar që lindi si reagim ndaj shtypjes serbe.
Megjithatë, Martens thekson se ka pasur edhe krime ndaj serbëve, romëve dhe shqiptarëve nga individë të armatosur shqiptarë.
Artikulli përfundon me pyetjen: „Nëse Thaçi nuk duhet të mbahet përgjegjës për këto, atëherë kush duhet? A do të japë dikush përgjigje, apo këto krime do të mbeten pa ndëshkim?“
Në fund shtrohet edhe një pyetje thelbësore: a është drejtësi dënimi i dikujt që nuk ka lidhje me krimet, apo thjesht ngarkimi juridik i fajit mbi një individ për të mbyllur një çështje?
Imer Xhemail Lladrovci



