spot_img

PARATHËNIE

Përmbledhja poetike “Sytë e Diellit” e autorit Xhevat Kabashi është një homazh i fuqishëm dhe i ndjerë për dëshmorët e kombit, për luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për figurat më të ndritura të historisë shqiptare. Poezitë e këtij libri janë një thirrje shpirtërore dhe një përkulje para atyre që flijuan gjithçka për liri, identitet dhe të ardhmen e popullit tonë.

Xhevat Kabashi

Në vargjet e tij, autori i jep zë historisë sonë, duke filluar nga figurat e mëdha të së kaluarës kombëtare, si Hasan Prishtina, Bajram Curri, Haxhi Zeka, Idriz Seferi dhe Isa Boletini, e deri te personalitetet e rezistencës moderne si Adem Demaçi, Ukshin Hoti e të tjerë që i dhanë frymë qëndresës shqiptare në kohët më të vështira.

Këto poezi nuk u kushtohen vetëm heronjve të mëdhenj, por të gjithë burrave dhe grave që luftuan e u sakrifikuan për çështjen kombëtare – për një atdhe të lirë, ku gjuha, kultura dhe historia jonë të mos ndaloheshin më kurrë.

Populli shqiptar vuajti për shekuj me radhë nën pushtime të huaja. Perandoria Osmane sundoi mbi pesëqind vjet, ndërsa pas vitit 1912 Serbia vazhdoi me politika shtypëse e asimiluese. Shqiptarëve u mohua identiteti, duke u quajtur “turq” që duhej të shpërnguleshin drejt Anadollit. Madje, Serbia kishte nënshkruar marrëveshje me Turqinë për dëbimin masiv të shqiptarëve nga Kosova.

Libri hapet me poezinë kushtuar komandantit legjendar Adem Jashari, simbol i pavdekshëm i luftës për liri. Autori e përshkruan me ndjenjë të thellë këtë figurë madhështore, duke pranuar se asnjë fjalë nuk mund ta përshkruajë plotësisht heroizmin e tij. Kabashi i kushton tri poezi heroit, ndër to edhe “Në sytë e tij dukej liria”, ku përshkruhet dhimbja për humbjen e familjes dhe vendosmëria për liri.

Në poezinë “Djemtë e luftës”, autori pasqyron realitetin e zymtë të shqiptarëve nën regjimin serb, me dhunë e represion të përditshëm, duke shprehur durimin dhe shpërthimin e revoltës popullore si thirrje për liri.

Ai ua kushton poezi edhe dëshmorëve nga vendlindja e tij, Mushtishti, dhe nga zona përreth, përfshirë Kadri Kokollarin, Azem Behlulin, Bafti Shalën, Gazmend Aliun, Ali Bytyçin dhe të tjerë, duke ua përjetësuar emrin në kujtesën kolektive. Nëpërmjet vargjeve të tij, Kabashi nderon të rënët dhe përcjell mesazhin se liria nuk është dhuratë, por një çmim i paguar me gjak e sakrificë.

Në vazhdim, autori përkujton edhe figura të tjera të shquara të luftës, si Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, Zahir Pajaziti, Abedin Rexha (Sandokani), Indrit Cara, Tahir Sinani, Ismet Jashari – Kumanova, Bekim Berisha – Abeja, Myrvete Maksutaj, Ganimete Gjylani, Fitush Kukaj, Artan Zymberi, Shaban Shala e shumë të tjerë. Ai përmend edhe Mbretëreshën Teutë, duke e vendosur historinë shqiptare në një hark të gjerë kohor, nga lashtësia ilire deri te lufta e fundit për liri.

Një pjesë e rëndësishme e librit i kushtohet dhimbjes dhe plagëve të luftës – masakrave ndaj civilëve, shpërnguljeve dhe dëbimeve masive, si dhe sakrificës së atyre që mbetën invalidë, por krenarë për pjesëmarrjen në betejë. Në poezinë “Këmbët ia fala atdheut”, autori shpreh ndjenjat e një luftëtari që, edhe pse ka humbur shumë, e ndjen veten fitimtar për kontributin e tij në liri.

Poezia “Fehmi dhe Xhevë Lladrovci” është një himn për dy figura të shquara të luftës çlirimtare, të cilët luftuan krah për krah si bashkëshortë dhe idealistë. Autori i vendos ata në një nivel të lartë të heroizmit dhe sakrificës, duke i krahasuar me Azem dhe Shotë Galicën. Ai i përjetëson me nderim të thellë, duke theksuar se emrat e tyre do të qëndrojnë në kujtesën e përjetshme të kombit.

Vargjet e këtij vëllimi poetik janë të thjeshta, të qarta dhe me një ritëm të natyrshëm që përforcon emocionin e lexuesit. Përmes tyre, Xhevat Kabashi ngre një monument poetik për lirinë dhe dëshmorët e kombit, duke e bërë poezinë një zë të përjetshëm të shpirtit shqiptar.

🖊️— Prof. Xhemajl Kolgeci


ARTIKUJ TË LIDHUR
- Advertisment -spot_img

U lexua shpesh

- Advertisment -spot_img