spot_img

NËPËR DALLGËT E TRAZUARA TË JETËS

Udhëtime poetike e shpirtërore

Vëllimi poetik “Nëpër dallgët e trazuara të jetës” i poetit të ndjeshëm Xhevat Kabashi është një pasqyrë e shpirtit njerëzor, ku gërshetohen dhimbja dhe dashuria, kujtimet dhe nostalgjia, shpresa dhe humbja.
Ky libër është një himn i veçantë për gjyshet, nënat, motrat, për fëmijët, për mësuesit e nxënësit, për shokët e miqtë, por mbi të gjitha një elegji prekëse për të birin e poetit, Shkëlzenin.

Libri fillon me poezinë “Gjyshet tona”, ku autori i kujton ato si mburojë dhe strehë për fëmijët. Ato ishin pararojë ndaj qortimeve të prindërve; tjerrnin lesh, thurnin veshmbathje, përkundnin djepat dhe u këndonin ninulla nga zemra pasardhësve të tyre.

“Të dhemb shpirti kur i sheh
Gjyshet tona çfarë kanë hequr,
Varfëria ishte e skajshme,
Duhej sjellë dhe dru prej bjeshke.”

Është një homazh për gjyshet shqiptare, të cilat përmes sakrificës e durimit ruajtën jetën dhe shpirtin e familjes. Autori shfaq respekt dhe mall, duke nënvizuar varfërinë e kohës dhe fuqinë e tyre morale.

Më pas, autori u kushton vargje nënave që humbën djemtë në luftë, që mbetën vetëm, ose që jetojnë me mallin e përhershëm të fëmijëve të larguar.

Në poezinë “Jemi t’vjetër kemi mall” lexojmë:

“Pa fund të keni gëzime,
Urojnë prindërit djalin e tyre,
E kanë larg diku n’kurbet,
Nuk u kthye për shumë vjet.”

Kjo poezi është një pasqyrë e dhimbjes së mërgimit. Dashuria e prindërve për djalin kthehet në lutje dhe bekim, ndërsa pritja e pafund shndërrohet në plagë të shpirtit.

Një vend të rëndësishëm në këtë vëllim zënë poezitë kushtuar të varfërve, jetimëve dhe njerëzve të braktisur. Në poezinë “Lypsari”, autori shkruan:

“Lypsari qiellin mbulojë e ka,
E shtrojë kalldrëmin e ka pra,
Zemra të dridhet kur i sheh,
Zot i madh, kështu pse i le?”

Këto vargje janë një tablo e hidhur e skamjes dhe padrejtësisë. Poeti e ndien dhimbjen e tyre si plagë të vetën, duke ngritur një pyetje të fuqishme ndaj fatit e Zotit.

Xhevat Kabashi u këndon me pasion edhe fëmijëve. Në poezinë “Kush ka fëmijë, botën ka”, ai përçon një mesazh të ngrohtë:

“Thoshte gjyshja, ndjesë pastë,
Zoti, pa fëmijë kënd mos e lashtë,
Fëmijët janë vërtet gjallëri,
Janë jetë e gëzim në shtëpi.”

Këto vargje janë një himn për jetën dhe vazhdimësinë. Fëmijët paraqiten si dritë, si pasuri e vërtetë dhe si gëzimi më i madh për prindër e gjyshër.

Poeti shkruan edhe për nxënësit, si mësues i përkushtuar që ishte. Ai sjell figurën e nxënësve dembelë (përtac), por edhe të atyre me arritje të jashtëzakonshme. Në poezinë kushtuar Fitores, e cila doktoroi në psikologji, shfaqet krenaria për suksesin:

“Fitore e quajnë me emër,
Dr. shkence u bë kjo femër,
Është e veçantë, vërtet,
Është kjo, krenaria vet.”

Kjo poezi është një himn për dijen dhe vullnetin. Ajo mishëron arritjen e të rinjve shqiptarë që kapërcejnë vështirësitë dhe bëhen shembull frymëzimi për të tjerët.

Xhevat Kabashi nuk e harron as “Dajën e tij”, mbështetjen dhe kujtimet e tij:

“Ti që moti na udhëzove,
Kurrë s’u lodhe, nuk pushove,
Dajë i miri, lum për ty,
Borxhin ty si me ta kthy.”

Poezia është një mirënjohje e sinqertë për përkujdesjen dhe këshillat e dajës. Ajo pasqyron dashurinë familjare dhe kujtimet që mbeten të gjalla përgjithmonë.

Një pjesë tejet e dhimbshme e librit është ajo kushtuar djalit të tij, Shkëlzenit, i cili humbi jetën tragjikisht në lulëzim të rinisë, ndërsa studionte mjekësinë.

“Eh, sa thellë të kam në zemër,
Ti që mban të bukurin emër,
Emër bjeshke ti, ore, ke,
Që shkon lart e del mbi re.”

“Shkëlzen, djali që kur ike,
Tek ne t’gjitha shpresat i fike,
Shumë na doje dhe të donim,
Na bën dhembja, të lëngonim.”

Poezitë për Shkëlzenin janë elegji të ndjera, ku autori shpalos një brengë e dhimbje prindërore të pamatë. Malli, dashuria dhe humbja e birit përjetësohen në vargje që prekin thellë lexuesin. Ky cikël poezish është kulmi emocional i vëllimit.

Vëllimi poetik “Nëpër dallgët e trazuara të jetës” është një udhëtim shpirtëror nëpër kujtime, dhimbje dhe dashuri. Poezitë janë të thjeshta, të drejtpërdrejta dhe të ngarkuara me emocion.

Autori ndërthur kujtimet e fëmijërisë, sakrificën e gjysheve dhe nënave, plagën e mërgimit, mirënjohjen për mësuesit, krenarinë për nxënësit e suksesshëm dhe mallin për shokët e miqtë.
Kulmi i vëllimit është dhimbja për humbjen e të birit, Shkëlzenin, ku poeti arrin të shpalosë një intensitet emocional të rrallë.

Poezia e Xhevat Kabashit ka rrënjë popullore dhe një gjuhë të thjeshtë, por përçon mesazhe universale që prekin çdo lexues.
Ky libër është më shumë se një përmbledhje poezish – është një testament shpirtëror i një njeriu që e deshi jetën, njerëzit dhe të afërmit, por që e përjetoi edhe dhimbjen më të madhe të mundshme.

Shkruar: Nga profesori Xhemajl Kolgeci

Xhevat Kabashi


ARTIKUJ TË LIDHUR
- Advertisment -spot_img

U lexua shpesh

- Advertisment -spot_img