spot_img

Nga fitorja diplomatike e UÇK-së te Gjykata e Hagës

Shkruan: Bardhyl Mahmuti

Shpërthimi i luftës së armatosur në Kosovë ndodhi në një kontekst tepër të vështirë për drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në rrafshin e brendshëm nuk ishte pa ndikim propaganda që synonte ta paraqiste UÇK-në si “dorë e zgjatur e Serbisë”, ndërsa në skenën politike ndërkombëtare, propaganda serbe kishte mobilizuar të gjitha energjitë e veta politike, diplomatike, mediale dhe financiare për të krijuar imazhin se bëhej fjalë për një organizatë terroriste.

Fatkeqësisht, edhe pas dënimit të krimeve monstruoze që kryen forcat serbe në Likoshan dhe në Qirez më 28 shkurt dhe 1 mars të vitit 1998, si dhe në Prekaz më 5, 6 dhe 7 mars 1998, ku u vranë mbi 80 shqiptarë, Grupi i Kontaktit, BE-ja dhe Këshilli i Sigurimit i OKB-së kishin qëndrim negativ ndaj UÇK-së: aksionet e saj kundër forcave të armatosura dhe pjesëtarëve të aparatit represiv serb cilësoheshin si “akte terroriste”.

Organi i Lëvizjes Popullore të Kosovës, “Zëri i Kosovës”, që botohej në Zvicër, ishte hapësira e vetme mediale që pasqyronte realisht luftën e drejtë çlirimtare. Sipas informatave që kishim dhe që u vërtetuan gjatë takimeve diplomatike, shkrimet e publikuara në “Zërin e Kosovës” përktheheshin nga qarqe vendimmarrëse të skenës politike ndërkombëtare. Përveç shpërndarjes në formë të shtypur në disa shtete të Evropës Perëndimore, nën drejtimin e Adnan Asllanit, redaksia e “Zërit të Kosovës” arriti t’u ofrojë përdoruesve të internetit anekënd globit “Zërin e Kosovës”, si gazetën e vetme shqiptare me edicion të plotë në internet.

Mirëpo, në atë kohë në Kosovë mungonte rrjeti i internetit. Në ato momente vendimtare për rrjedhat e luftës, me angazhimin e palodhshëm të Lulëzim Etemajt, zëvendëskryeredaktor i “Zërit të Kosovës” dhe ndërlidhësi kryesor ndërmjet Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe Lëvizjes Studentore në Prishtinë, redaksia e “Zërit të Kosovës” vendosi kontakte të ngushta me Muhamet Mavrajn, kryeredaktor i “Botës së Re”, gazetës së studentëve të Universitetit të Prishtinës, i cili njëherësh ishte një nga liderët kryesorë të Lëvizjes Studentore ’97 dhe kryetar i Kuvendit të Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës.

Si rezultat i këtyre kontakteve, kryeredaktori i “Zërit të Kosovës”, Adnan Asllani, dhe Muhamet Mavraj ranë dakord që tërësia e shkrimeve të publikuara në “Zërin e Kosovës” të përfshiheshin në gazetën “Bota e Re” dhe anasjelltas.

Realizimi i këtij projekti shënoi ngjarjen më të rëndësishme në informimin e drejtë të opinionit publik të Kosovës për luftën çlirimtare. Të gjithë ata që kanë përjetuar tmerret e politikës gjenocidale serbe, dinë të vlerësojnë guximin dhe sakrificën që morën mbi supet e veta Muhamet Mavraj dhe anëtarët e redaksisë së gazetës “Bota e Re”, për të mbrojtur luftën e drejtë çlirimtare.

Gjatë tërë kohës së luftës, Lulëzim Etemaj ishte i ngarkuar të mbante këto kontakte, ndërsa në kohën kur u pamundësua botimi i gazetës në Kosovë, redaksia e “Botës së Re” u përfshi në kuadër të redaksisë së “Zërit të Kosovës”. Prandaj, një çerekshekulli pas përfundimit të luftës në Kosovë, Bardhyl Mahmuti, drejtues i Grupit Diplomatik të UÇK-së, ka përzgjedhur Muhamet Mavrajn si bashkëbisedues, që për herë të parë të shpalosë thelbin e bisedimeve diplomatike, ku fati i ardhmërisë së luftës sonë ecte në teh të shpatës!

Si rezultat i mënyrës se si do të prezantoheshin qëllimet e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mjetet që do të përdorte për realizimin e qëllimeve, varej edhe fakti nëse UÇK-ja do të vazhdonte të cilësohej si “organizatë terroriste” apo si ushtri çlirimtare e popullit të Kosovës.

Tani dihet publikisht se pas takimeve të përfaqësuesve politikë të UÇK-së me diplomatë të lartë amerikanë, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit deklaroi: “UÇK-ja nuk është organizatë terroriste, por një ushtri që lufton kundër një ushtrie tjetër.” Ky ndryshim cilësor në qëndrimin ndaj luftës sonë çlirimtare ishte shprehje e vetëdijesimit të aktorëve kryesorë të politikës ndërkombëtare për domosdoshmërinë e përfshirjes së UÇK-së në bisedimet për ardhmërinë politike të Kosovës.

Në librin “Ushtria Çlirimtare e Kosovës – Në shënjestër të vazhdueshme”, i autorit Bardhyl Mahmuti, do të mësoni nga dora e parë:

  • Për cilat takime bëhet fjalë?
  • Si u organizuan këto takime dhe cili ishte roli i shtetit shqiptar?
  • Cilat tema u trajtuan gjatë takimeve?
  • Si u shpartalluan shtyllat e propagandës serbe për ta prezantuar UÇK-në në sytë e vendeve demokratike, herë si organizatë “marksiste-leniniste-staliniste-enveriste”, e herë si “organizatë fundamentaliste islamike”?
  • Kush e konsideron si “komplot” kundër Lëvizjes Popullore të Kosovës krijimin e Drejtorisë Politike të UÇK-së?
  • Cilat ishin motivet e divergjencave që shpërthyen pas Mbledhjes së Gjashtë të Përgjithshme të LPK-së?
  • Cilat ishin momentet kryesore gjatë zhvillimeve të Konferencës Ndërkombëtare në Rambuje?
  • Cili ishte roli i Qeverisë së Përkohshme gjatë periudhës përfundimtare të luftës në Kosovë dhe përse mungesa e konsensusit politik e la Kosovën pa institucione të përkohshme drejtuese?
  • Si e shfrytëzoi Serbia mungesën e aktivitetit diplomatik të Kosovës për të përhapur interpretimin e vet për luftën e Kosovës?
  • Cili ishte roli i “Librave të bardhë” të Shërbimit Sekret të Serbisë në përhapjen e imazhit negativ për UÇK-në dhe si u sajua gënjeshtra për “trafikim organesh njerëzore gjatë luftës në Kosovë”?
  • Përse u mobilizuan Carla Del Ponte dhe Dick Marty pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës?
  • Kush ishin hartuesit e raportit që u përvetësua nga Dick Marty dhe cila ishte prapavija e tij?
  • Si u sajua shprehja “ndërmarrje kriminale e përbashkët” dhe përse aktakuza e ngritur kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit vë në bankën e akuzës luftën çlirimtare të popullit shqiptar të Kosovës?

Ramadan Avdiu

Anëtar i Grupit Diplomatik të UÇK-së

ARTIKUJ TË LIDHUR
- Advertisment -spot_img

U lexua shpesh

- Advertisment -spot_img